Nuk isha student i dhjetorit (Ramiz Alia dhe Sofokli Lazri:enigma e vëllezërve siamezë) – Autor : Mehmet Elezi / Përgatiti : Bardhyl Selimi

 

meh 2

Nuk isha student i dhjetorit

(Ramiz Alia dhe Sofokli Lazri:enigma e vëllezërve siamezë)

 

 

 

Mehmet elezi

Autor : Mehmet Elezi

 

Enti Botues Gjergj Fishta

2011

 

 

Më duket, me shumë vonesë e lexova këtë libër të mikut tim të vjetër, Mehmet Elezit. Me të jam njohur në fund të viteve 60, kur unë jepja mësim në universitet, ndërsa Mehmeti drejtonte gazetën “Studenti”, ku botoja edhe unë ndonjë shkrim. Më pas, kam njohur familjen e tij, nënën e nderuar dhe vëllezërit, (Çaushin, Halilin dhe Tahirin), të gjithë njerëz punëtorë, të ditur dhe modestë.

Qëlloi që me Mehmetin të punoja edhe në të njëjtin seksion të “Jetës së Partisë” në gazetën “Zëri I Popullit”, ku unë pasqyroja problematikën e isntituconeve dhe të punës shkencore ne vend. Më pas unë u largova nga gazeta për në prodhim dhe mandej në fshat si mësues i thjeshtë dhe marrëdhëniet me Mehmetin sikur “ngrinë”, aq më tepër se ai u ngjit në karrierën e vet politike.

Pas vitit 1990, kur Mehmeti drejtonte gazetën “Bashkimi”, ai më ka pranuar me shumë dashamirësi shkrime të mia, kryesisht përkthime. Natyrisht, gëzohesha kur dilnin romane dhe përmbledhje poezish me firmën e mikut tim, si dhe kur ai u emërua ambasador në Konfederatën Zvicerane. Padyshim, vepra më e madhe e tij mbetet Fjalori I Madh alternativ I Shqipes që përfshin pasurinë e madhe të dialektit gegnisht, të anashkaluar nga Fjalori I mëparshëm zyrtar. Kjo është rezultat i një punë vigani! Edhe ky libër është shkruar duke shfrytëzuar këtë pasuri të madhe të gegnishtes.

Librin “Nuk isha student i dhjetorit” e lexova për një kohë shumë të shkurtër, dy tre ditë, gjë që nuk më ka ndodhur me libra të tjerë, pasi unë mbaj shënime. Kisha shumë kureshti të mësoja çfarë ka menduar dhe si ka mbijetuar Mehmeti gjithë atë periudhë të stuhishme të luftës klasore duke qenë në majat e pushtetit. Pas leximit të librit, ndjehem i qetë se ai ka ditur mjeshtërisht jo  të fshihet, por të veprojë me guxim, brenda vijës zyrtare, në mbrojtje të vlerave vetiake dhe çështjes kombëtare.

Por më mirë njihuni me disa paragrafë nga libri vetë:

 

 

Bardhyl Selimi

Përgatiti : Bardhyl Selimi

 

 

 

Fragmente

 

f.12

Te ne intelektualë janë quajtur të gjithë ata që kishin diplomën e një shkolle të lartë, ndonjëherë thjesht të mesme dhe që nuk bënin punë fizike ose që bënin punë mendore, si thuhej. Këta kanë përbërë atë që njihej si shtresa e inteligjencies.

Në Perëndim ka koncept tjetër. Në se mund të përblidhet me një fjali, atje intelektuali është dikush me shkollim të mirë si dhe me përfshirje publike në jetën e në problemet e shoqërisë, në veprimtari me interes të gjerë politik a shoqëror, duke u shprehur në media etj.

 

f.16

Duke perifrazuar thënien e Volterit për mbretëririt, diktatura e proletariatit këtyre (ish luftëtarëve idealistë dhe punëtorëve të kantiereve) u mori dy gjera: lodhjen dhe lirinë. Këtyre dhe tërë popullit.

 

f.51

Anekdotë me Lenka Çukon

Lenka u takua me një gazetar perëndimor, i cili qenka mrekulluar nga zgjuarsia dhe kultura e shoqes Lenka dhe e paskesh pyetur ku ke studiuar, në ç‘universitet je diplomuar. Ajo qenkesh përgjigjur me krenari:- Të Partisë kam bërë; nuk më kanë lënë punët e shumta të Partisë, pa do të kisha mbaruar edhe gjimnazin!

 

f.54

Kulaku ishte lëçitur. Nuk duhej me i folë në rrugë, nuk duhej me ia shkelë derën për dasmë, as për vdekje. Unë thashë thjesht: pse me ndodhë kështu edhe me fëmijët e nipat e kulakut, pse të shtrihet kjo sjellje edhe në brezin e dytë e të tretë, që janë rritur dhe edukuar me frymë tjetër, në socializëm? Solla shembullin e një familjeje në malësinë e rrethit të Lezhës, e mbaja mend nga koha kur punoja me rininë. Në atë familje “pema” e kulakut mbulonte me hijen e vet mbi dyzetë frymë, ua nxinte jetën. Ata ishin të rinj e s’kishin asnjë të drejtë, me ta mund të fejoheshin e të martoheshin vetëm nipat e mbesat e kulakëve të tjerë, për ta s’kishte shkollë, as punë përveç kazmës në kanal a në tunel, me ta nuk duhej me u anëtarësue aas në organizatën e rinisë. A nuk po i shumëfishojmë pa nevojë kulakët, kur duhet me ba të kundërtën, ç’faj kanë nipat e mbesat se gjyshi i tyre, 30-40 vjet përpara s’kishte dashtë me hy në kooperativë bujqësore? Aso kohe ata s’ishin fare në këtë botë, ç’të mirë kemi me i ndëshkue?

 

f.68

Përanash kangjellave që rrethonin ambasadën italiane, tashti ambasada amerikane, ishin mbështjellë studentët si luzmë. Rrëshem i plymë bletësh, që lëshon me ushtimë. Masa e tyre derdhej ngadalë dhe rëndë, duke mbushur rrugën pjetposhtë. Merrte hov si dallgë. Pengohej prej forcave e mjeteve të policisë. Përmbahej, vorbullonte, pështillej. Tkurrej pak. Turrej prapë. Kësaj here më fort. Muri i policisë prapohej do hapa, nuk e ndalte dot. Dallga studentore fitonte hapësirë. Qindra e qindra djem e vajza njëzetëvjeçare, fundi nuk u dukej. Veshur hollë. Kush me ndonjë xhup të vjetër, kush thjesht me triko të thurur në kërrabëza, me penjtë e përftuar duke zhbërë triko të përdorura. Nën një qiell të përhimët, të shtangur, të droguar. Në një të ftohtë tinëzar, therës.

Grumbulli veç rritej. Masiv mali që rrëshqet ngadalë. i ngjeshur, i rrastë, i thukët. i pandalshëm

 

f.72

Lloj-lloj skenarësh më rrotulloheshin në krye. Do të vinte një zgjidhje politike, po, por sa do të vonohej? Dhe cili do të ishte çmimi? i druhesha përgjakjes. Kohët po ndryshonin, por ai regjim s’kishte falur kurrë. Nuk e njihte dhimbjen e tjetrit. Nuk e njihte faljen. I dobëti nuk mund të falë asnjëherë, falja është atribut i të fuqishmit, kishte thënë Mahatma Gandi. Ai pushtet vriste. Vriste sepse ishte i dobët, pa rrënjë e pa të ardhme.

 

  1. 95-96

Mbi televizionin italian vazhdonte sipari i rëndë. Ndërsa televizioni i Beogradit lejohej me u këqyrë lirshëm. Lajme dhe jo lajme. Anipse bash ai kishte zhvilluar fushatë energjike në rrekje me përsëritë në vendin tonë gjakderdhjen rumune, sipas skenarit të Timishoarës, në përmasa të shumëfishuara. i duhej edhe për të larguar vëmëndjen nga terrori shtetëror mbi shqiptarët e Kosovës dhe nga çorbat e veta të brendëshme.

 

Duke vënë në dukje (në Komisioninj Ideologjik) se Beogradi po trajtohej si “më pak i rrezikshëm” se vendet perëndimore si Italia përshembull, pa dashtë kisha prekur një kallo veçanërisht të dhimbshme e me rrezik për atë që e prekte. Kisha ngacmuar lidhjet e vjetra të PPSH e të udhëheqësve të saj me Beogradin, që nga themelimi tepër i dyshimtë i Partisë Komuniste Shqiptare nga Miladin Popoviçët e Dushan Mugoshët me shokë dhe katapultimi i Enver Hoxhës në krye të saj. Kushedi ç’hipotekë të zezë kish lënë diktatori atje me kushtin e pushtetimit të vet. E para në këtë hipotekë ishte çështja e Kosovës, që dihet. Por me gjasë edhe vetë shteti i pavarur shqiptar ishte hipotekuar aty: a nuk i kishte shprehur hapur Enver Hoxha J.B. Titos se populli shqiptar po pritkesh me padurim për t’iu bashkuar Republikës Federative të Jugosllavisë, prandaj duheshin përshpejtuar ritmet e këtij bashkimi? Kjo letër gjindej në shtypin e kohës dhe në botimet e asaj kohe të librave të Enverit. Në ribotimet e mëvonshme ishte hequr.

 

  1. 112

Sofokli Lazri vuante nga paragjykime të errëta krahinore. Mjaftonte me pa rrethin e njerëzve që propozonte për t’i emëruar në përfaqësi diplomatike ose në vende të tjera kyçe. Të tërë ishin nga krahina e tij ose nga disa treva të caktuara fqinje. Të tjerët numuroheshin me gishta. Për të njerezëit në Tiranë e përpjetë s’kishin vendlindje. Ishin thjesht “na Veriu”. Dikush më kishte kallëzuar se, kur do të emërohej Maxhun Peka ambasador në Francë, profesori kishte rrudhur buzët: djalë i mirë është, por…është na Hasi! Kjo ishte politikë e pashpallur e atij regjimi.

 

f.124

Ende s’kishte dalë në skenë faktori Gorbaçov, perdja e hekurt vazhdonte me gjymtue njerëzimin e me vra ndërgjegjen e tij. Bota e Lirë ishte në kërkim të rrugëve soft (të buta) për të shembur perandorinë e kuqe (perandorinë e djallit, do ta quante presidenti Regan). Me gjasë, si pjesë e këtij skenari u planifikua një “projekt pilot”. U zgjodh një vend komunist i përshtatshëm, ku Perëndimi do të sponsorizonte reforma të shpejta, të thella, që do ta shndërronin atë nga një vend i shkretë në një ujdhesë joshëse, me liri e lulëzim shpërthyes. Gjedhja e kësaj përmbysjeje të ëmbël, model shndërrimi të hovshëm plot mbarësi, do të shërbente me frymëzue popujt në vendet e tjera komuniste

Për këtë “projekt pilot” u zgjodh Shqipëria. Dhe u dërgua aty me mision një emër në zë i politikës gjermane e më gjerë: Franc Jozef Shtrausi.

…Por mjerisht, kjo u hodh në bërllok. Pavarësisht se kush i ka kryesuar negociatat me gjermanët, në të gjitha takimet kyçe nga pala shqiptare ka qenë i pranishëm Sofokli Lazri…

 

  1. 128

Ndodhte që e “tepronim” me lajme për ngjarjet tragjike në Kosovë, edhe ato të marra shpesh nga kuzhinat e TANJUG-ut “për konjukturë”. Te dera e zyrës kalonte si rastësisht profesori dhe lëshonte pyetjen shkatërruese: “More, po ki televizioni inë, i Tiranës është apo i Prishtinës, këtë nuk e marr vesh unë!”.

 

f.130

Sofoikli Lazri fliste me gojën e Ramiz Alisë. Dhe Ramiz Alia fliste me mendtë e Sofokli lazrit.

 

f.142-143

Kisha qenë 10-11 vjet gazetar, nga reporter deri te kryeredaktor i Zërit të Popullit, shtatë-tetë vjet si drejtues në KQ të Rinisë isha marrë së afërmi edhe me shtypin e rinisë, veçanërisht me gazetën Zëri i Rinisë, politika e jashtëme ishte vijim i gazetarisë…Sa fillova me shkrue diçka për Kosovën, po ai Ramiz Alia më thirri menjëherë dhe më lëshoi një fjali të krisur: kështu ndihmohet Beogradi!

Ishte xhelozia e Sofokli Lazrit se dikush po i hynte dhe po e rrezikonte në “domenët” e tij të paprekshme, siç më kishte paralajmëruar miku që recitoi fabulën për Zhan Ferorin? Me gjasë edhe kjo. Por kurrësesi vetëm kjo….

Duke pasur parasysh qendrimet tepër të dyshimta të udhëheqjes së PPSh për çështjen e Kosovës qysh në themelimin e saj dhe në vijim deri sot (kujto psh përmbysjen e Konferencës së Mukjes, kërkesën zyrtare me shkrim të Enver Hoxhës drejtuar J.B.Titos për t’i shpejtuar procedurat e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë se “populli shqiptar mezi po prêt” e të tjera);  duke pasur parasysh për më tepër se ai që po shkruante tashti për Kosovën në të përditshmen e KQ të Partsië Zëri i Popullit nuk ishte thjesht gazetar, por drejtor i shtypit në Komitetin Qendror; atëhere idetë e shkrimeve të mija për Kosovën tingëllonin si plotësisht zyrtare. Kësisoj nuk prekeshin vetëm “domenet” vetjake të Sofokli Lazrit, ato po se po. Prekej drejtpërdrejt në nerv Ramiz Alia. Prekej politika që kishte ndjekur Enver Hoxha dhe që vazhdonte me ndjekë njësoj pasardhësi i tij, në krye të shtetit!

 

f.161-162

Oficeerët tanë janë ndër grupimet më të shpërfillura të shoqërisë. Krejtësisht të zhvleftësuar. Vendet me shtet të fortë e të qendrueshëm ushtrinë e kanë institucion të nderuar. Gradat e ushtarakut vlerësohen, bëjnë pjesë në krenë, në elitën e vendit. Atje një ushtarak krahasohet me një avokat ose me një mjek. Atij i vinë rrotull vajzat ose të paktën familjet synojnë me e lidhë bijën me ndonjërin sish. Kështu ka qenë edhe në Shqipëri në kohën e mbretit Zog.

…përkundër pohimeve të fryra, ushtria dhe në tërësi sistemi ynë i mbrojtjes janë në gjendje të mjerë. Do tanke të prodhuara ndërmjet dy luftrave botërore, të lyera me bojë. Do avionë po aq të vjetër, thuajse çdo herë që ngrihen në qiell për stërvitje, njëri prishet a rrëzohet, piloti përcillet në varr mbuluar me dekorata. Dhe mija e mija bunkerët qesharakë, të shndërruar në gropa të zeza gjigande, një sistem që nuk bën pjesë në strategjinë mbrojtëse të asnjë vendi serioz të planetit.

Në rast lufte, trimëria e atdhetarizmi i shqiptarëve nuk mjaftojnë. Duhen edhe armët e logjistika moderne, prapavija e fuqishme. Duhen edhe shkollimi e stërvitja me kërkesa bashkëkohore. Duhen ato që në ushtrinë tonë nuk janë.

 

f.193-195

Për të mbijetuar në gazetë duhej bërë kompromis me veten. Skemën e këtij kompromisi e shpreh mjeshtërisht poeti amerikan Stefan Kreji (thuajse i panjohur për ne, jetoi vetëm sa Migjeni dhe vdiq një vit me Naimin).

Gazeta është pazari

Ku mënçuria shet lirinë e vet.

 

Duket e pabesueshme, por faktet janë kryeforta. Kush ka dëgjuar asokohe në Radio-Tirana këngën

 

Më ka shkue mendja me u fejue

 

ka parë një ndryshim pa kuptim. Tubëza (strofa) popullore, e kënduar mjeshtërisht nëpër dhjetëravjeçarë nga artisë të mëdhenj popullorë si Ibrahim Tukiqi e të tjerë, është

M’ka shkue mendja me u fejue

E me marrë nji ulqinak

Ulqinakun s’ma do nana

Ç’më ka zanë i ziu marak

 

Radio ishte urdhëruar mos me i përmëndë krahinat shqiptare në ish-Jugosllavi, as Ulqin as ulqinakë, dhe kënga u regjistrua sërish, por me të tjera fjalë:

M’ka shkue mendja me u fejue

E me marrë një djalë beqar

Këtë beqarin s’ma do nana

Ç’më ka zanë i ziu marak

 

Brezi i atëhershëm, të sotmit jo se jo, nuk mund ta kuptojë kurrë për ç’arsye ajo nanë paska dashtë që e bija të mos martohet me një beqar, por me një burrë të martuar?

 

Kënga

Preng Gjeloshi ngjesh alltinë

e cilësuar si një prej perlave të Festivalit të Gjirokastrës, iu nënshtrua ndryshimeve që e larguan nga koha dhe historia reale. Vargu

 

S’ma druen shkjaun kurrnji grimë

 

me urdhër nga lart u bë

 

S’ma druen hasmin kurrnji grimë

 

Anipse nuk ishte këngë e re, ishte krijim i para njiqind vjetësh e mbase më shumë. Veç të tjerash, ky ndryshim e mjegullonte kumtin artistik, e xhveshte këngën nga thelbi atdhetar. Nuk merret vesh më kundër kujt ka luftuar Preng Gjeloshi, pse u vra ai. Sepse fjala hasmi në tekstin e “ndrequr” nuk thotë gjë. Hasëm në atë kohë mund të ishte edhe një shqiptar, me të cilin heroi i këngës kishte rënë në gjak.

 

…Në një shkrim për Mic Sokolin përmendja Malsinë e Gjakovës. Kryeredaktori më tha: pse ke shkruar Malsia e Gjakovës? Shkruaje Tropoja, apo do t’ua japësh atyre Tropojën bashkë me Gjakovën?…

 

f.208

Në një mbledhje urgjente në redaksinë e Zërit të Popullit, kryerdaktori me zë të tjetërsuar, solemn tha:

Në kolektivin tonë kemi armiq. Ja armiku: Niko Tanini! Drejtoi gishtin kah ai.

Redaktor letrar i gazetës, delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), Niko Tanini kishte punuar një jetë të tërë në Zërin e Popullit. Po u afrohej të gjashtëdhjetave. Njihej si njeri tejet skrupuloz, i ndershëm dhe i drejtë, me një prirje disi spartane në jetë e me një dozë besimi deri në naivitet, si të gjithë idealistët….Nuk e fshehte krenarinë se ishte frashërli.

 

Tmerrsisht i befasuar, njësoj si dhe ne, Nikua u bë gëlqere në fytyrë dhe u këput në vend. i ra të fikët. U përmënd. Ndërkohë dikush lëshoi nëpër dhëmbë një nga fjalitë më cinike që kisha dëgjuar ndonjëherë:

-Shtihet, asgjë s’ka!

Poshtë në trotuar, te hyrja kryesore e ndërtesës në ish bulevardin Stalin, tashti Zogu i Parë, priste Gazi i famshëm i drejtorisë së brendëshme të Tiranës. Nikua u zhduk prapa mushamasë së tij misterioze.

 

f.214

Enver Hoxha nuk mund të pajtohej me filozofinë liberalizuese të Ten Hsiao Pinit jo për shkak të ortodoksisë marksiste, siç thuhet e shkruhet herë-herë. Ai nuk ishte marksist, nuk ishte komunist me bindje, nuk ishte ideolog as filozof, nacionalist aq më pak. Maksizmi iu desh vetëm si maskë me mbrojtë pushtetin e vet të përgjakshëm, mesjetar.

Do kish mjaftuar pak liberalizim alla Ten Hsiao Pin në Shqipëri që sundimi i tij të përmbysej.

 

f.221

Enver Hoxha e kishte kuptuar se në Shqipëri gjuha dhe kultura ruse nuk përbënin rrezik për sundimin e tij. Shqiptarët nuk e donin rusishten dhe Rusinë…Përveç të kaluarës, shqiptarët e njëhtësonin Rusinë me komunizmin, komunizmi na kish ardhë prej Moske.

 

…Rrrezik për regjimin totalitar në Shqipëri përbënte Perëndimi i lirë, modeli i qytetaruar i sistemit politiko-shoqëror demokratik, gjedhja e zhvillimit ekonomik me tregun e lirë dhe krejt sistemi i vlerave perëndimore

 

f.227-228

Aq i madh ishte terrori, sa njerëzit po tjetërsoheshin në thelbin e tyre, në gen.

Në një mbledhje Fronti për demaskimin e një të arrestuari, çohet i biri dhe thotë:Ish-babai im… Lufta e klasave e shndërroi prindin në ish-prind, fëmijën në ish-fëmijë, njeriun në ish-njeri! Ish-njeriu quhej ndryshe njeriu i ri i Partisë, i socializmit.

 

f.234-235

Është thellësisht parake me mendue se pavarësia forcohet duke ngujuar vendin si eremitët në shpellë me një kore bukë thatë, duke e shkëputur prej botës e qytetërimit, duke e lënë pa një mik e dashamir. Pavarësia forcohet në përpjesëtim të drejtë me lirinë, me zhvillimin e modernizimin.

 

Profesori zvicerian Viktor Ghebali dallon Nacionalizmin qytetar dhe Nacionalizmin parak. i pari nënkupton me e zhvillue kombin tënd në lartësinë e qytetërimit bashkëkohor, në bashkëpunim e harmoni me kombet e tjera. I dyti është përjashtues. I ngre lavd kombit të vet, duke përjashtuar e shtypur kombet e tjera.

 

  1. 236-238

A ishte Enver Hoxha nacionalist? Nacionalist parak jo e jo. Po atdhetar, a ishte ai? Ai i kërkoi aleatët politikë të kombit te armiqtë historikë të kombit dhe shpalli armiq miqtë e njëmëndtë e aleatët e natyrshëm, SHBA etj

 

…në emër të “internacionalizmit proletar” dhe jo t ë nacionalizmit shqiptar, në mbarim të Luftës së Dytë, ai nisi brigadat partizane me mision “për të ndihmuar popujt vëllezër të Jugosllavisë”. Është i vetmi rast në Evropën e Luftës së Dytë, kur një vend i vogël, pa kurrëfarë potenciali, i shkon në ndihmë ushtarakisht një vendi disa herë më të madh; dhe për çudi, ky vend është Shqipëria, më e vogla, më e varfra.

…Qëllimi ka qenë tjetër: përmbushja e marrëveshjes së Hoxhës me Titon për të shtypur lëvizjen kombëtare të shqiptarëve në Kosovë e në trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi me armët e vetë shqiptarëve.

…Idealistët e Konferencës së Bujanit dhe shqiptarët e tjerë atdhetarë i kishin bërë hesapet pa hanxhiun. Hanxhiu ishte Titua. Bashkëhanxhiu – Enveri.

Duke çuar brigadat partizane në Kosovë, Enver Hoxha i bëri Beogradit shërbim të paçmueshëm: siç ishte shestuar, lëvizja atdhetare shqiptare u shtyp prej shqiptarëve. Nacionalistët e Kosovës nuk mund të binin në kurthin e zi të vëllavrasjes.

 

f.242

Atyre që arratiseshin në shtetin amë, u ndodhte si në këngën e Dervish Shaqës

 

Kur ta kthyem oj Kosovë shpinën

E lamë borë e gjetëm dimën

 

f.244

Atdheu fillon te carani i votrës, thotë Fishta. Enver Hoxha ua mori shqiptarëve edhe gurin e vatrës.

 

f.248

Megjithatë, Enveri i bëri një shërbim jo të vogël Evropës. Krejt pa dashje. E ashtuquajtura Republikë Popullore Socialiste e Shqipërisë, vepër politike e tij, i vlejti Perëndimit si shpifë, dordolec, për të trembur adoleshentët e fluturakët që lëshoheshin prej aventuarave komuniste të modës alla Che Guevara. Doni komunizëm ju? Qe ku e keni fytyrë të gjallë të tij, Shqipërinë, ju pëlqen?

 

f.258

Cili prej tyre, Sofokliu a Ramizi, ka qenë peshk më i madh e më i vyer për kuzhinën sovjetike asokohe? Më drejtpërdrejt ( nëqoftëse..: cili ka qenë shefi te i cili falej më i vogli, cili ka qenë kryesori që filtronte informacionet dhe i përcillte urdhrat vartësit për llogari të KGB-së?

 

Mblodhi Bardhyl Selimi, 30 shtator 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s