Poezi nga Myrteza Mara

 

Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

 

ATO, TË BUKURAT SI LOTI

 

Ajo që më lindi ishte një Perëndi
Një grua e bukur me emrin NËNË,
Me gjirin më mëkoi një detdashuri,
Tok me dashurinë dhe një këngë.

Një këngë shpirti pambarim
Të bukur si loti në pasqyrë të lotit
Në notat e saj ndjej përjetësinë,
Dritën e shpirtit bekuar prej Zotit.

Dhe ajo që më ndezi dashurinë e parë,
Dashuri e vërtet me zemër të madhe,
Shpirtin e poetit asaj ia kam falë
Tek ajo mar jetë, tek ajo ringjallem.

Ajo mban ndezur zjarrin e këngës
Dhe “burgun-kështjellë” për mua
Ndriçon rrugën me diellsytë e ëmbël
Ndryshe do kërkoja dhe dritën hua!

Ajo që më lindi ishte një Perëndi,
Ajo që më jep jetë është dashuria.
Për këto ikona do tretem si qiri
Këto janë motivet e këngëve të mia!

 

 

 

NËSE NJË DITË

 

Nëse një ditë të lag shiu i trishtimit,
Nën ombrellën time ka vend përherë.
Aty do i gjesh gjithë hirin e kujtimit,
Shpirtin tim muzeum me pranverë!

Nëse një ditë do të duhet një urë,
Të kalosh pa frikë “detin e Dilemës”,
Mos u mundo, varkë bëhem unë
Gjoksi i ndezur shkrinë ajzbergët.

Nëse një ditë do të humbas kënga
Trokit tek muza ime e vjetër.
Veç, të lutem, mos m’i zgjuaj ëndrrat,
E vetmja pasuri që më ka mbetur!

Nëse një ditë do të duhet një qiell,
I pastër si loti yt kristal,
Eja, pëshpëritmë lehtë mbi mermer,
Për ty do e le jetim atë varr!

 

 

 

IKIN STINËVITET

 

Si erdhi pa kuptuar kjo vjeshtë
Veshur me gëzofin e rëndë të dimrit
Unë kam mbjell një këngëshpresë
Dhe e rris me refrenin e një himni.

Më duhet akoma edhe një muaj vere,
Sa të bymehet fara e mbjellë
Pastaj le të vij vjeshta me fustan prej ere
Le të vij dhe dimri me kollën e thyer.

Si iku kaq shpejtë kjo verë, si iku
Akoma s’kam vën fotot në korniza
Më dridhen duart, malli më piku
Krahët e natës u zgjatën tek dita…

Si po ikën kaq shpejt kjo vjeshtë,
Nuk e shijuam mushtin e stinës
Na ikin stinëvitet, ikën një jetë
Nxitoni njerëz, më pas ka dimër!

 

 

 

NUK QENKE IMAZH

 

Ti thua se diku,
dikur, jemi parë,
ke aq besim tek kujtesa.
Unë mendoj
se është thjesht një imazh,
siç ndodh shpesh në ditët e nxehta.

Mar me vete buzëqeshjen
dhe largohem menduar,
si gjurmët nëpër natë.
Ti më ndjek si era,
me flokë të shpleksur
dhe sytë e ndezur flakë.

M’u desh të shfletoj
arshivën e kujtesës
dhe të gjeta në një faqe
si petale lule ngjyrë ar.
Me sytë e përlotur
pëshpërita ndjesën:
“Ke të drejtë
nuk qenke imazh!”

 

 

 

NUK E MENDOJA

 

Nuk e mendoja se do të doja aq shumë
dhe lumi, dhe deti lodhen në udhëtim,
por ne të dy, si ata zogjtë në furtunë,
puthemi me diellin dhe s’duam t’ia dimë.

Nuk mendoja se do betoheshe për mua,
siç bëjnë gjithë lulet e etura për vesë,
ndaj jam lutur para Zotit të të dua,
ty, që më bëre të jetoj dy jetë.

Nuk e mendoja se do isha një skllav,
skllav i burgosur me pranga lumturie,
nuk e dija se do rindizesha vullkan,
nuk paska fund ky oqean dashurie.

 

 

 

MË SHUMË SE NJË FAT

 

Sa më shumë dashuri unë të fal,
aq më shumë kërkon edhe ti.
Etje që shuhesh vetëm me zjarr,
vullkan mbi mal, si një Perëndi!

Sa herë mes lotëve më përcjell
aq herë dridhërohem deri në asht.
Je fryma ime e shpirtit, je diell,
për mua je më shumë se një fat!

Sa herë për ty përgjërohem,
psherëtimat burojnë si gurrë
Ti për mua lutesh e betohesh,
por ku të le radhën unë!

Nuk dua t’ma kalosh në dashuri,
dhe ti kështu bën për mua.
Një puthje unë, dy më jep ti
ndaj ndihem i “zemëruar”!

Më duaj e dashur, më duaj,
por unë do të dua më shumë
Nëse dikush nga ne duhet të vuaj
Ai, le të mbetem vetëm unë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s