Poezi nga Hysen Grajqevci
POEZIA IME
Poezia ime
Burim ka
Damarin tënd Atdhe.
Frymim,
Freskin e bjeshkëve.
Ushqim,
Brumin e trungut tënd.
Dritë ka Diellin,
Rritë, lëngun nga rrënja
Ngjitur fort për Tokën
Poezia ime,
Djep ka dhimbjen,
Prush dashurine,
Rënjen këngë,
Varrin Lavdi.
ZVETËNIM
Ngrehinave boshe rropatem pa shpresë,
Fanfare të zhurmëshme dalur bojet,
Në djepat e kotësisë perkundën ëndrrat,
Dhimbshëm ndërgjegja rrugëve troket.
Humbur thellësive zëra të mekur,
Nata m’kot iluzionet mbulon e mbjellë
Mbushur udhëkryqet me retorikë shterpe,
E nesermja rrezen e pritur nuk sjellë.
Në zvarritje atavike arrnohen motet,
Në zbrazëtira ekstazash fshihen gjurmët,
Në hije fantazmash dergjet dhimbja,
Lëngata mbërthehet skutave t’mjerimit.
PIANO E VJETËR
Në pianon e vjetër një simfoni e shkruar,
Nga pluhuri i kohës notat mbuluar,
Një dhimbë në emocion se ç’më preku fortë,
Në përqafim te valsit lotin se heq dot.
Largo vellon natë, syrin e dritës ta shoh,
Është mirësi e fjalës zemrën që më ngroh,
Nuk dua te ti dhimbë, dhimbën e mbaj vetë,
Jam qiri i ndezur koha le të më tretë.
KËTU DHE ATJE !
Ne rrugëtime motesh stis mendimin Damareve ne shekuj ua shtrydhe vitet
Ketu:
Ne token time kan mbetur vetem hieroglifet,mbetjet arkeologjike.
Atje;
Ne labirinthet labarororike copeza mishi te prishur
ne epruveta gjak i mpiksur per kombinime historike
E verteta vritet…
Atje nuk ka Diell, as drite nuk ka.
Ka nje kuzhine me nje perzierje qe kundermon.
Ka sajese per servime te rrejshme mitike!
DERI KUR?
Gumzhijnë aeroportet…,
Si për çdo ditë dhe sot,
Përqafime, buzëqeshje, dhimbë,
Aty ketu ca pika lot.
Fytyrë e ngrysur e nënës ku lexohet mall,
Dorë e vyshkur,
Dy kroje te shterrura në ball,
Janë imazh i lëvozhgës së lisit,
Ku janë derdhur vitet, ku janë thyer stinët.
Qan e mjera nënë për bijtë e vetë,
Rënkon në belbëzime dhe me vetën flet,
Deri kur o bijë, deri kur kështu?
Të përvlohemi Ne e të treteni Ju!?