Poezi nga Lumo Kolleshi
PABESIA
Ajo krahun më ka shkuar shpesh,
Klubesh më ka dhënë dhe raki,
Buzët i ka shpënë vesh më vesh,
Ndryshe s’do të quhej pabesi.
Fjalën e ka zgjedhur ballë për ballë
E ka larë gati me flori,
Krahët sa ka kthyer pak mënjanë,
Gjarpër është bërë përsëri.
Në syrin tim, gëzimin ma bën mal,
Për hidhërimin, lotin derdh fitil,
Pas shpine, rrugën bën moçal
E tinëz më ndjek si krokodil.
Guri i Sizifit s’ish aq i rëndë,
Pabesia veç një mal me gurë,
Thikën e mban fshehur nën mëngë
Dhe pa helm nuk di të luajë kurrë.
Udhëtim mbi dëborë
Gjurmë të përkohshme,
Ëndrra të një nate pa zgjim,
Dhe pse thellë kërkojnë të futen,
I zhvatin shirat.
Kalëroj me kuaj dëshirash
Në kërkim të një bore të përjetshme
Për të lënë ca gjurmë të rralla,
Të gjitha më kthehen në lot.
Histori
Që nga Troja e deri në ditët tona
Vetëm luftë,
Ca përcaktorë të zinj pas kësaj fjale.
Mësimi i parë dhe i fundit:
Njerëzimi rrit krimbat në paqe.
Gdhendje
Me daltë gdhenda gurin,
Fytyrë njeriu i dhashë.
Provova të gdhendja njeriun,
Veç gur të plasaritur pashë.
***
Barbarisht i rrahën me shkop ullinjtë,
Plagë merrnin të jeshiltat kokrra mbi gurë.
Ai shkop i egër dhe mua m’i nxirrte sytë
E shikimi nuk do tëkthehej kurrë.
I pagjumë
Këtë natë nuk fjeta që nuk fjeta,
Nën krisma vetetimash si të mbyllësh sy?
Mushmolla nga një anë rëzon fleta,
Nga ana tjeter lulet çel për ne të dy.
ANI
Heu,a je si je,Gaspër Tragaçi? *
Të ndrijnë sytë,bre burrë.
Eshtë rritur patriotizmi,
Kalldrëmit i gjen më shumë patriotë se gurë..
Me flamujt e dugajës tënde
Edhe palaçot e kombit,
Edhe shushunjat
Nesër do të dalin kuq e zi.
Ani.
Mjafton dhe një ditë
Për të mos ia shitur shpirtin dreqit.
*personazh i Ernest Koliqit në tregimin “Tregtarë flamujsh”
VEÇ MILINGONA
Në xhungël fjala mori dhenë,
U ngjit në më të lartat pemë,
U bë njësh edhe me renë:
Do ndahet shapi nga sheqeri,
Xhunglës do zhduket kanceri,
Do vijë hataja dhe vet tmerri.
Sa të ikë me gusht dhe vapa,
Arrestimet ndjekin mbrapa
Që nga sferat më të larta.
S’janë fjalë për në libra,
Do arrestojmë luanë e tigra,
Do kyçet përgjithmonë e liga.
E deklaroi vetë majmuni,
Kryehetuesi,punëshumi,
Tek niste rrjedha e një lumi.
Pa iku vera si nga hera,
Lëruan dheun dosa dhe derra,
Gjethet zu t’i mbledhë humnera.
Majmuni prapë del kësaj ane,
Me qejf mbllaçit,përtyp banane
E struket në një skutë mjerane.
Qielli ndez eshkën te rrufetë,
Me uturimë zbresin rrëketë,
Dëgjohen fjalë poshtë e përpjetë:
O qiell,me re mbulona,
Shkarko rrufetë mbi kokat tona,
Po arrestojnë veç milingona.