Shtëpia Botuese “Milosao ” publikon Vëllimin poetik “Zgjimi i ëndrrave” të autores Teuta Osmani.
Shtëpia Botuese Milosao, nxorri nga shtypi vëllimin me poezi të autores Teuta Osmani, “Zgjimi i ëndrrave” me rreth 80 poezi. ISBN 978-99956-15-94-9. Teuta Osmani (Beqari) ka lindur në qytezën e Kamzës pranë Tiranës, ku mbaroi shkollën fillore dhe të mesmen. Më pas studion po në Tiranë një vit për galanteri. Poezia ka qenë hobia e saj që në fëmijëri. Në vitin 1995 emigron në Athinë, Greqi. Tani jeton si emigrante, së bashku me familjen në Amerikë.
Teuta Osmani
Ky është libri i saj i dytë.
Për poezinë e saj, kritiku i njohur prof. Fatmir Terziu, ka shkruar midis të tjerave: “..Një varg jetik i tillë, i thjeshtë, është një imitim i veprimit të një njeriu të lirë, që konsiderohet një karakter tipologjik. Forma e këtij karakteri tipologjik është e lidhur me formën narrative, që ndikohet nga fabula, mënyrat e ndjenjës së thjeshtë: mendimet janë të qarta, por pranojnë një mprehtësi të vogël dhe pasion, arsyeja është e shkurtër dhe rrjedh lirshëm me shprehje të përulur, e pastër si gjuhë që do të përballojë ndjesi dhe sekuenca ndjesore, poezi e lehtë, dhe ende e gjallë pas leximit: “Më rrëmben kjo natë, si të ish magjistare,/Më kap me kthetra dhelpre,si dinake./Më tërheq nga vetja ,më zhvesh nga ndjenjat,/Më mpin me të kafshuarën ,si te ish vampire.”
Me pak fjalë, ndjesitë, sjelljet, mendimet dhe shprehjet janë plot me ornamente fjale të lirë në natyrë. Karakteri i plotë i kësaj poezie konsiston në delikatesë; duke e bërë atë një eklogë natyrore. Ajo kërkon jo thjesht ta bëjë kopje natyrën, ajo e detyron atë mes vargut metaforik të jetë e dobishme për të marrë këtë ide, së bashku me ne.”
Botuesi : Agim Mato