Poezi nga Adem Zaplluzha

adem

 

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

 

 

ERA I PËRQAFON KUAJT E VERBËR

 

Sot është e diel
Pemët kanë një tjetër hije
Që nga rrënja
Lastarët lëshojnë jetë

Nëpër çdo shtëpi këndohen psalmet
Shtrohen sofrat e darkave të shenjta
Dymbëdhjetë lugë prej shimshiri
Rrinë ulur përballë oxhakut

Ku një valixhe për çdo stinë
Hapet herët në mëngjes
Kjo ngjanë vetëm të dielave
Kur këndesat e zgjojnë agimin e fjetur

Nënat tona të mira veç i kanë pjekur bukët
Nëpër çdo shtëpi hapen portat
Depërton aroma e ngrohtë e thekrës
Në krah zogjsh kungohen kujtimet

Njerëzit dalin në rrugë
Era i përqafon kuajt e verbër
I përqafon drurët
Stina e dimrit veç troket nga malet.

 

 

 

I BELBËZON ÇASTET E HUMBURA

 

Nëpër stacione trenash
Shoh gojë fëmijësh që s’dinë asgjë tjetër
Përpos të qajnë
Me orë të tëra qajnë për një qese me qumësht

Gratë me gjokse të zbrazëta
Përngjajnë me ikonat e varura në kishën
E Shën Mërisë
Që me fytyra të zbehura shikojnë lashtësinë

Një hije e fishkur nën kambanoren e kishës
I përngjanë me një cope të mjegullës
E cila varet për çdo mëngjes
Si një zog i shenjtë nëpër degët e selvisë

Më tutje te kajsishtat një grumbull zogjsh
Bisedojnë me eklipsin e diellit
Gjersa hëna noton nëpër kujtesën e pemëve
Noton nëpër lagjet e kalldrëmta të një kohe

Një orë e vjetër të një kohe edhe më të vjetër
I belbëzon çastet e humbura
E duart e zgjatura dridhen në shi
Dridhen trungjet e pemëve
Deri në skajshmëri.

 

 

 

PIKON HESHTJA E ZEZË

 

Në rreshtat e gjata si zogjtë mërgimtarë
Lëvizin kolonat e njerëzve
Lëvizin në drejtim të një asgjëje
Askush nuk i kupton
Ecjet e ngadalshme të hapave

Ecin thua se kanë mbirë
Nga shpirtrat e somnambulëve
Duart e lodhura të njerëzve
Bëjnë hije si degët e thata të pemëve
Ecin nëpër një rrugë të pakalueshme
Rrapëllojnë vetëm hapat e lodhura të drurëve

Përpara syve të milingonave të kuqe
Një hon i zbrazët
Edhe zbrazëtia e shpirtrave
Ngjan me flluskat e sapunit
Dy zogj fluturojnë hapësirës së hirtë
Dy zogj si dy shpresa të këputura dënesin

Shiu i portokalltë i lyen buzët e erës
Nga ullukët e ndryshkur
Nëpër sandalet e kuqe të ditës
Si balsami pikon rrëshira e myktë
Pikon heshtja e zezë në shpirtra të myktë.

 

 

 

BLEGËRON NJË KOHË E TRISHTË

 

Rrimë zgjuar
Megjithëse na trembet gjumi
Një dorë e padukshme mbinë
Nga parzme e tokës
Dhe i ledhaton gjethet
Që me vite të tëra nuk pushojnë së lënguari

Bari i fishkur si asnjëherë më parë
I përngjan zogjve në ikje
Asnjë lejlek s’paska mbetur mbi çati
Nën pemët e brymta po bie një shi
Po bien stinët një nga një

Tërmal rrugës së kishës dëgjohet një lehje
Nuk ndalen as ulërimat e ujqërve
Njerëzit i kanë mbyllur dyert dhe dritaret
Askush s’duket
Nëpër rrugët e boshatisura

Një hënë e zhveshur zgërdhihet në qiell
Kolonat e yjeve të verbëta duken
Si delet e sëmura në torishtë
Blegërojnë disa kohëra të trishtë
Kurse mjegullat e përhitura
Po na e zënë diellin mbi kokë

Pranë shtëpisë së Vëllezërve Frashëri

 

 

 

 

HYNI DHE DILNI NGA ËNDRRA IME

 

Nga buzët e gjetheve të njoma derdhen
Shrapnela fjalësh
Një hije groteske zvarritet
Mes trungjeve të gështenjave

Kudo trokas nëpër ajër
Edhe në portat e yjeve
Askush nuk i hap dyert
Dhembjet nuk paskan të ndalur sonte

Kush jeni ju që me kaq lehtësi
Hyni dhe dilni nga ëndrra ime
Mos vallë jeni engjëj
Që vetëm ju i njihni rrugët e pikëllimeve

Një frymë e ligshtë po frynë nga malet
Po frynë deniku si kurrë më parë
Nga kafka ime po bien eshtrat
Po bien si stinët nga degët e kajsive

Ky kopsht i vjetër që ka mbetur i vetmuar
Po i shkund të gjitha stinët
Një kohë e ligë po duket në hapësirë
Vite me radhë nuk ndalet dënesja e lumit.

 

 

 

NJË DORË E NGRIRË

 

Nga gjoksi i murrmë i mjegullave
Të plumbta
Zbresin shirat e hidhëruar
Zbresin mbi xhamat
E thyera të pritjes së padurueshme

Brenda në ngushtësinë e dhomës
Po dënes pasqyra konvekse
Nëpër lagështit e mureve
Si një elefant nervoz
Lëviz një njeri i harruar

Kë e shikon kjo fantazmë
Nëpërmjet sklepave të erës
Vegimin e ditës së vrarë në hapësirë
Ose vetveten e humbur
Mes gishtave të shirave

Lëviz i tërë në djersë
Trupi i përngjan thuprës së çeliktë
Në shpirtin e hekurit të ndryshkur
Dëgjohet kollitja e plumbit
Kollitet edhe muri i plasaritur

Nëpër pasqyrën e palarë
Si nëpër akull rrëshqet një mushkonjë
Një dorë e ngrirë ngritët ngadalë
Dhe si në ëndërr
Qëllon për vdekje insektin
E demoralizuar nga vapa e padurueshme.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s