Poezi nga Ardijan Thaqi

Ardjan thaqi

 

Poezi nga  Ardijan Thaqi 

 

 

 

Hesht

 

Edhe kur gjithë bota të ka kthyer shpinën

dhe të gjithë të thonë se fajtor je ti.

 

Hesht, edhe kur ata që më së shumti i deshte

largohen prej teje dhe t’thonë i keq je ti.

 

Hesht, edhe kur yt vëlla, motër, nënë e baba

t’thonë se kurrë në jetë më s’duan me t’pa.

 

Hesht, prapë hesht, mos nxjerr fjalë nga goja

edhe pse të flasësh ndoshta është nevoja.

 

Ti hesht, dhe me heshtjen tënde nisu n’rrugë pa kthim

ndonëse për ty vuajtjet kurrë s’do t’kenë mbarim.

 

Ti hesht, se me heshtjen tënde ke heshtur të gjithë ata

që t’thanë se je i keq, i poshtër, maskara.

 

Ti hesht, se me heshtjen tënde ke thënë më shumë se njëmijë fjalë

më mirë se t’i fyesh e t’i shanë pa ndalë.

 

Hesht, dhe me heshtjen tënde jeto deri n’fund jetën

se vetëm një ditë koha do t’a tregon t’vërtetën.

 

E ata që t’shanë, të fyen e t’mallkuan

një ditë do ta kuptojnë sa shumë me ty gabuan.

 

E përderisa ti vazhdon të jesh i qetë

ata do qajnë me lot, e ndërgjegjja çdo ditë nga pak do i vret.

 

 

 

Një lule tek varri

 

Këtu jam baba, erdha t’flasë me ty

edhe pse s’më sflet, e di, më sheh ti

këtu jam baba, unë, biri yt i vetëm

vij tek varri yt, kurrë nuk të lë vetëm.

 

Këtu jam baba

kam ardhur të qaj hallet sot

si atëherë kur më m’baje n’krahë

e më flisje për këtë botë.

 

Kam ardhur këtu baba

dhe dhimbja dyfish sot më shtohet

ti ke rënë për këtë vend

por sakrifica jote sot nuk ç’mohet.

 

Baba, ti ike e dhe jetën

por mua më le vetëm pa njeri

bredh rrugëve, e drejtim nuk kam

kërkoj lëmoshë, sa herë që kam uri.

 

Ah baba!

Do të doja sot të ishe këtu

e të shohësh këtë vend sa keq është katandisur

e të shohësh ti, birin tënd të mjerë

që mezi jeton, i vetëm, i braktisur.

 

Të shohësh ti shokët e tu të luftës

invalidët, veteranët, sa keq janë lënë

dhe n’vend tyre disa ‘‘komandantë”

çdo pozitë n’këtë vend e kanë zënë.

 

E të shohësh se si ata që vërtetë luftuan, si ti

por që i mbijetuan luftës, i mbijetuan vdekjes

sot atë që si bëri armiku, i bën vet shqipëtari

e veprat e tyre i ka mbuluar pluhuri i harresës.

 

Ah baba!

Sa fjalë kam të them, por asnjë të mirë

e di, të lodha ty, e të mërzita shumë

por, më beso, është e vështirë për mua

jam biri i dëshmorit, por pa mbështetje unë.

 

Mbase e ke parë, dhe vetë e ke ndjerë ti

sa herë që vjen përvjetori i rënies tënde baba

disa nga miqtë tu të lënë një lule tek varri

dhe më për një vit s’vjen kush me të pa.

 

E unë biri yt, i vrarë n’shpirt, i thyer

jam çdo ditë këtu dhe lajme të sjellë

jam çdo ditë këtu dhe ta ujis varrin

i ujis këto lule që për ty kam mbjellë.

 

Dhe pastaj një zë sikur e ndjejë n’shpirt

e më thotë mjaftë më, s’dua të dëgjoj fjalë

unë e bëra timen, për këtë vend dhashë jetën

dhe gjakun tim këtij vendi unë i bëj hallall.

 

Atë gjak që derdha bashkë me shokët e mi

atë gjak që derdhëm për idealin kombëtar

Një ditë, kur trojet tona t’ndara të jenë bërë një

do të na kujtojë mbi tokë çdo shqipëtar.

 

Dhe atë ditë ti bir, që çdo ditë vjen tek varri

edhe qan për mua se ika nga kjo botë

do ndjehesh krenar ngado ku të ecësh

kur dikush me zë, është djali i dëshmorit të thotë…

 

 

 

Gjakmarrja

 

Çka ky qiell që është i zymtë

errësira e ka mbuluar?

Yjet kan hy thellë,janë fshehur

hëna dritën ka ndaluar.

 

Çka kjo nënë që rri e strukur

në mendime pa ndal qan?

Ka ulë kokën,asnjë fjalë s’flet

e në dorë shaminë e mban.

 

Çka ky burrë,ky hijerëndë

që rri ulur n’ballë t’oxhakut?

E s’guxon të dalë n’oborr

a t’shikoj përreth sokakut.

 

Çka kjo grua,që vajton

e në grykë mban një fëmijë?

Burrin n’burg ia paskan marrë

paskan rënë në hasmëri.

 

Dhe ky burrë që sot një vrau

jetën tjerëve i shkatërroi

një baba e la pa bir

babën e vet e bllokoi.

 

Një nëne i mori djalin

t’vetën e la me lot n’sy

një grua e la të ve

gruan e vet e la n’vetmi.

 

Një fëmijë e la jetim

djalin e vet n’hasmëri

një burri i mori jetën

e shkatërroi jetën e tij…

 

Po mirë,fajtorë ky që vrau

po përse familja tij?

Hakun duhet nxjerrë dorasit

ta paguajë me jetë të tij.

 

E jo ti vritet vëllau,djali

dhe t’shkoj hakmarrja zinxhirë

e të shuhen dy familje

per faj të njërit katil.

 

Ose le t’i lënë drejtësisë

që të bëjnë punën e tyre

burrë është ai që e fal gjakun

s’është burrë ai që vret pas shpine.

 

 

 

Lamtumirë nënë

 

Lamtumirë oj nënë

nga ky vend po shkoj

mos qaj ti për mua

se unë nuk të harroj.

 

Po shkoj nënë unë sot

nga ky vend ku linda

këtu ku u formësova

këtu ku u rrita.

 

Po shkoj nënë unë sot

vetëm po të lë ty

amanet oj nënë

mos e lësho këtë shtëpi.

 

Mos e lësho nënë

se vend tjetër s`ke

jetove në vuajtje

gjithmonë në skamje.

 

Jetove në tmerr

ditë të mirë kurrë s`pave

vuajte nga serbët

sot vuan prej shqipëtarëve…

 

Por,nënë unë kam një jetë

përpara për të jetuar

dhe s`dua të rri

n’këtë vend i ngujuar.

 

S`dua nënë të rri

të nëpërkëmbem pa mëshirë

vetëm se kërkojë

një jetë më të mirë.

 

Sot po iki nënë

shpinën po ta kthej

shpresoj që kur të kthehem

shëndoshë do të gjejë.

 

 

 

Ndoshta një ditë

 

Ndoshta një ditë prapë do takohemi

në shatërvan a ndonjë sokak

te kalaja lartë në kodër

a në marash tek lisi plak.

 

Ndoshta në rrugët me kalldrëm

fati prapë do t’na takojë

s’do ulë ti kokën, do më flasësh

e drejtë në sy do më shikon.

 

E do më pyesësh si jam, çfarë bëj

jam i martuar a kam fëmijë

e unë ngadalë do e tundë kokën

do bëjë sikur t’kam harruar ty.

 

Ashtu do bëjë se ndryshe s’bëhet

nuk do të them se s’t’kam harruar

do qeshë në sy me ty kur t’flasë

ndonëse me zemër do të vuajë.

 

Por atë ditë s’do flasë për dhimbje

atë ditë vetëm do t’qesh unë

si dikur kur ishim bashkë

si dikur kur duheshim shumë.

 

E deri sa t’vijë ajo ditë

n’këto rrugë vetëm do ecë unë prapë

në shatërvan, te kalaja

e në marash tek lisi plak…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s