Poezi nga Lumo Kolleshi

lumo

 

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

 

Botuar në antologjinë “Lotët e virgjër”

(nënës)

 

Po ndahen dhe gjethet e kësaj vjeshte
Djegur nga dielli i mallit për ty.
… Fjala prapë më dridhet si në ethe…
Dhe burri e fshehka një lot nëpër sy.

Dimrat gatuan ndër pemë sythe të reja,
I shtruan lëndinash aq sofra blerimi,
Po lisit të moçëm iu shua hareja,
Priti e priti, u rrëzua nga vajtimi.

E plagosur zemra ime, si ato net,
I ndezi qirinjtë që kullojnë vaj;
Zogjtë i lanë nëpër shira foletë,
Morën mërgimin e qiejve të paskaj.

E mekur në kyç qëndron sot shtëpia,
Shtëpia ime që derë s’mbylli kurrë.
Ka mbirë mes gurësh bari te avllia,
Ka mbirë e s’ka kush ta shkulë.

Oxhaku ka prishur kontratën me retë,
Ai që na mblidhte si bletët në vatër;
Merimangat i ngrejnë tezgjahët e vet
E thurin pëlhurën e tyre të flashkët.

Kam pritur, kam pritur mrekullinë,
Nga deti i ëndrrës të ktheheshe në breg,
Valët e trazuara sërish me përpijnë…
Sa shumë gjethe po rrëzoka kjo vjeshtë!

 

 

 

PASTAJ

 

Ti ke dëshirë të jesh mes peshkatarësh,
Ta hedhësh grepin tutje nëpër valë,
Të mburesh sadopak në këtë botë të gjallësh
E një ciroi t’i drejtosh me mijëra fjalë.

Të presësh me durim ç’bëhet nën ujë
E një ankth ta mbytësh po aty,
Të ikësh disa orë nga jeta në rrëmujë,
Të gjesh një qetësi që s’bëhet dy.

Pastaj,pastaj si gjithë peshkatarët,
Të rrëfesh aq bukur sa më s’ka,
T’i zgjedhësh në mes shoqesh fjalët
E fijen e flokut ta bësh sa një tra.

Këto gënjeshtra s’iprishin punë njeriu,
Palcë s’mund të kenë,se s’kanë eshtër.
Vetë jeta mbetet një fantazi çilimiu,
Brigjeve na peshkon vdekja,kjo peshkatare e vjetër.

 

 

 

E KRYER E THJESHTË

 

Mbaroi kafeja e zezë e mëngjesit,
Mbaroi dhe pakoja e fundit të mishit në frigorifer.
Si për ironi mbaroi dhe duhani i grirë,
Për të kënaqur një sarkazmë,mbaroi dhe oferta e telefonit,
Për çudi,nuk ka mbaruar ende muaji.
Bankomati të shikon si të huaj,
Ndërsa në fronin e zotave
Zeusi kërkon gërshërë për shirita pedonalesh.

 

 

 

***

 

Në qytetin tim s’ka më sallë operimi,
S’ka më as maternitet.
Ka mbetur veç rruga e spitalit,
Por ajo të çon vetëm në varreza.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s