LYPËSI

 

miltiadh

Tregim nga Miltiadh DAVIDHI

 

 

LYPËSI

 

E shikoja shpesh nëpër rrugët e qytetit me dorën të zgjatur duke lypur, ashtu si dhe disa lypësa të tjerë. Dhe të gjithë e thërrisnin lypës, ndonëse dhe ai si ne, kishte emrin e tij. Se, dhe lypësat kanë emrat e tyre. Madje një pjesë kanë dhe emra shumë të bukur. Po le të kthehemi sërish te lypësi i jonë. Ai kishte një trup mesatar e fytyrë pak të zeshkët, por shumë të bukur. Kishte veshur pantallona jeshile dhe bluzë e kapele ngjyrë tulipani. Me flokët e gjata e kaçurrela, dukej si një tulipan i vetmuar me fletët nëpër erë, si një tulipan në lëvizje, që lypte për të s’fiduar dimrin e kohës ku jetojmë, si një tulipan i mjerë. Ishte pranverë, tamam koha e lulëzimit të tulipanëve, por dhe e vyshkjes para kohe të tyre. Po nga ishte ky njeri? Nga cili shtet vinte? A kishte njerëz të tjerë të afërt në këtë jetë? A i kishte prindrit ende gjallë, që e prisnin me sytë e patharë nga lotët? Pyetje të cilat bota si bëri asnjëherë me indiferencën e saj të pa shpirt, e aq më shumë dhe përgjigja mbeti enigmë. Nëpër sytë e njerëzve, të cilët i shikonte me përgjërim e i përshëndeste sinqerisht, si një njeri me një hall të madh, ai pikë dashurie nuk po lexonte më. Por një shikim përbuzës e shpesh dhe fyes. Të rrallë ishin ata që mund t’i falnin diçka e ta shikonin me një buzëqeshje, që ai e kuptonte, se dhe ajo ishte e shtirur. Por i gëzohej asaj që i jepnin dhe i uronte me gjithë shpirt.

-Hej, njerëz të mirë, -dukej sikur thoshte,-dhe unë jam njeri! Ju asnjëherë s’më pyesni për hallin që kam…nga vij, pse lyp, pse endem rrugëve të kësaj bote? Dhe pasi klithmën ia treste humbëtira e natës, me gjymtyrët e këputura nga të pa ngrënët, shkonte e shtrihej para një dyqani me qepena të mbyllura. Kushedi se sa herë i zoti i dyqanit e kishte gjetur në gjumë. E shante, e ofendonte, e herë pas here e zgjonte duke e gjuajtur me shqelma. Atëherë, ai ngrihej i trembur e largohej, si të ishte një qen i braktisur nga të gjithë dhe prej perëndisë së tij. Kështu ndodhi dhe sot. I zoti i dyqanit, një burrë me trup të madh, bark të dhjamosur e faqe të skuqura prej shëndetit, sapo e pa që sërish ishte atje, i shtrirë gjatë e gjërë si një shtatore në gjumë të përjetshëm, i nervozuar dhe i pa shpirt e gjuajti sa i hanin këmbët mbi bark, në fytyrë, në kokë, me këpucët llustrafine e të kushtueshme, aq sa e la pa frymë. Kërrusej sa herë që e gjuante, që ta godiste sa më fortë, e lypësi i pa faj mblidhej kruspull nga dhimbjet që ndjente, deri sa mundi të çlirohej prej kthetrave mizore.

Ore mik, ç’farë pate,- i tha, me sytë me lotë, e gjaku i rrodhi nga hunda si dhimbje e shpërfaqur? Pse më rrahe kështu si të isha një kafshë e keqe? S’të kam prekur gjë, as dhe murin, vetëm se fjeta në çimenton e ftohtë?! Kush është krimi që bëra? Cilin nen, a ligj kam shkelur? Të lutem ma thuaj?!

-Të mos të shikoj më para dyqanit tim, lypësar i qelbur, -ulëriti pronari, e fjalët ia rrëmbeu era e ia përplasi sërish si grusht urrejtje turinjve, mjeranit.

-Pa ta trgoj unë ligjin e nenin, herën tjetër ty,-vazhdoi duke e ngritur zërin.

I pikëlluar lypësi u largua rrugëve plot mjegull të Modenas duke shkelur mbi trupin e ëndrrës së vrarë. E tashmja dhe e ardhmja e tij, nëpër sy e në fytyrën e zeshkët, ishte si një  mjegull e përjetshme. A do shkrinte ndonjëher’e të dilte dielli dhe për të?! Këmbët e çuan tek shatërvani aty pranë, ku uji hidhej lartë me një vrull e gëzim rinor shkëlqimtar, e që i pafuqishëm pas një farë rruge drejt lartësive, kthehej sërish nga ishte nisur, me një zhurmë si psherëtimë shpirtërash, ndoshta nga fakti, se nuk mundej më për të vazhduar drejt kaltërsive. Dikur vetja i dukej si ky shatërvan i bukur me dritë në sy. Gjithonë i kishte dashur shatërvanët. Se ç’gjente diçka të përbashkët midis tyre dhe vetes. Ndoshta mundësinë për të rënë e për t’u ngritur sërish. Ngjashmërinë për t’u ndeshur me jetën, pa e pranuar kurrë humbjen. Mori uji me duart që i dridheshin dhe ia hodhi syve e fytyrës, për të larë gjakun e pluhurat e ndoshta për të zgjuar veten, e të kuptonte më mirë se ç’po ndodhte me të. I vinte turp nga kalimtarët që e kishin parë. Shatërvani filloi të ngjante me një lulëkuqe. Pasi i ndaloi së rrjedhuri gjaku nga hunda, me hapa të ngadalta nisi të ecte nëpër rrugët e Modenas, deri sa ndaloi mbi një trung të prerë shprese, diku afër koshave të plehrave. Rrëmoi nëpër ta dhe gjeti pak bukë të hedhur, sa mund të mbante shpirtin gjallë. E hëngri ngadalë duke patur frikë se i mbarohej mes erës së keqe të plehrave, larg syve të botës së pashpirtë. Ashtu, të dekurajuar e të zhytur në mendime e pash tek po kaloja me qenin për dore, duke mos e patur të vështirë të kuptoja, atë ç’ka mund të mendonte ato çaste, një shpirt i coptuar. Sa më pa më buzëqeshi ëmbël me sy si përherë kur i kaloja pranë e i foli me përkëdheli qenit në gjuhën e vet. Pastaj uli kokën poshtë e u zhyt sërish në mendime. Dhe nga ky moment nuk e pashë më, megjithëse, ku se kërkova t’i jepja diçka, e ta ndihmoja me aq sa mundesha. Se…të nesërmen e gjetën të vrarë  para dyqanit ku flinte çdo natë. Gjaku i kishte ngrirë, i shpërndar mbi territorin para dyqanit të shitësit, që e kishte flakur me shqelma një ditë më parë. Gjaku, ashtu si dhe trupi i shtrirë i të zotit ishte vetëm në pjesën e dyqanit ku rrinte trupi i tij, pa prekur kufijt’e dyqaneve të tjerë aty pranë. Dhe gjaku ishte i mirë e i kujdesshëm si ai. Në të dyja anët e rrugës, gjëndeshin pemë të larta, në formën e një skeleti me bark të uritur. Degët-eshtra më ngjasonin me thika e duar të përgjakura. Kush vallë ta kishte vrarë?! I zoti i dyqanit me neveri po lante gjakun e mbetur pas marjes së kufomës së mjerë. Fliste nëpër dhëmbë me përçmim, sikur të lante gjakun e një kafshe të sëmurë, pa pikë dhimbje në sy e në shpirt, e pa e çarë kokën fare, se para dyqanit të tij ishte vrarë një njeri.

-Shyqyr që m’u hoq qafe,-tha, dhe vazhdoi të pastronte ambjentin para territorit të vet!

Po atë natë mora vesh, se, atij pronari zemër zi e të pa shpirtë, ia kishin vjedhur të gjithë mallin që kishte dhe paisjet ia kishin thyer. Natyrisht që nuk u gëzova, megjithë urrejtjen që kisha në gji. I nisur prej shqetësimit për të gjetur personat që kishin bërë vjedhjen, e kuptohet, aspak për të vrarin, pronari i lokalit nisi të kontrollonte kamërën e fshehtë, filmimet e bëra prej saj. Po ç’të shikonte? Lypësi po ndeshej me grushta e shqelma me hajdutët që po tentonin të vidhnin dyqanin e tij….dhe, ai, për çudi ishte aq i fortë, sa i mposhti ata, ndonëse i pa ngrënë!

-Dhe, ndaj meje,-tha,- asnjëherë nuk pati ngritur dorë, qoftë dhe për t’u mbrojtur! Me sy të habitur  nga e pa pritura që i doli përpara, e i shqetësuar, shikonte, se si i ndiqte hajdutët e nuk i linte t’i afroheshin dyqanit. Dhe pa se nuk ishte hera e parë që vinin për ta vjedhur. E kishte ndihmuar vite me radhë, teksa ai vinte pasuri e si kishte dhënë as dhe një gotë ujë, as dhe një kore bukë! Por, përkundrazi, e kishte rrahur keq, sa herë që e kishte gjetur në gjumë ndaj mëngjesi, se, lypësi i mjerë rrinte gjithë natën zgjuar e i ruante dyqanin. Ia kishte ruajtur mallin, sikur të ishte i tij! Pastaj, pa në filmimet në vazhdim,se si, po ata persona që lypësi i kishte përzënë nga dyqani një natë më parë, me një numër më të shumtë shokësh, e vranë dhe e masakrun me thika, natën tjetër. I bërë dyllë i verdhë nga ajo ç’ka po shikonte, urreu veten me sjelljen e pashpirtë, i bafasuar, se mund të gjendeshin ende njerëz të tillë në këtë botë. Ndjeu të ishte shndërruar nga një kafshë pa ndjenja, që sytë ia kishte zënë fitimi, paraja, në njeri të dhëmbshur. Filloi të mallkonte veten e nisi të qante me kokën mbështetur mbi banak duke e gjuajtur me grushta i nervozuar. Tashmë donte t’i falte çdo gjë që të kërkonte, po qe tepër vonë. Ai ishte një lypës i vdekur e anonim, që as shpenzimet e varrimit nuk mund t’ia hiqte më. Veç erërat qan e ulëritën për të. Kishte lindur e ishte larguar nga kjo jetë si një tulipan dashurie me të gjitha ngjyrat e tij, ashtu i bukur, fytyrë qeshur e i pa zë. Realiteti, apo fantazia e krijoi këtë njeri?! Me të vërtetë pyes, ky njeri a ekzistoi? Cila re mund të tregojë për të ?! Bota ende nuk ka një skenar dashurie e jetese, njëlloj për të gjithë të gjallët, e jo të ketë një skenar kujtese. Le t’i bëjmë një përmendore dorës së tij, ashtu duke lypur, të shtrirë përpara mbi ktë planet ëndrrash! Unë e sponsorizoj me palcën e dhimbjes time.

 

Dt. 15.04.2016.

Modena.

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s