Pjesëmarrës në meshë / Cikël poetik nga Syrja Kurti

 

Pjesëmarrës në meshë

 

 

Syrja kurti 1

Cikël poetik nga Syrja Kurti

 

 

Rrugë e treguar

 

Ne bijtë e tyre erdhëm andej nga ikën ata

por para se të iknin bënë çdo gjë që mundën,

me lodhje djersë e gjak, pa fjalë të mëdha

për të na shtruar edhe lehtësuar rrugën.

Dhe ne do të mbesim timonierë të anijeve

që të lundrojmë nëpër detrat e jetës pa anë,

për ti treguar rrugën drejt porteve fëmijëve

duke valëvitur flamujt e etërve tanë.

 

 

 

Çasti

 

E pashë te fluturojë sot një dallëndyshe

u ktheva për një çast , femijë si me magji,

koha përzieu ngjyrat, çdo gjë e ktheu ndryshe

skicoi një hark ylberi në qiellin ngjyrë gri.

Por ishte një vegim që zgjati veç një çast

se iku dallëndyshja, nuk duket më tani,

koha e mblodhi veten dhe u kthye pas

e çoi prapë femijën, larg në fëmijëri.

E pashë të fluturojë sot një dallëndyshe…

 

 

 

 

I palexuar

 

Edhe kur ndonjëherë më thërrasin poet

të them të drejtën më duket sikur njeri po më tall,

se s’jam mësuar që ky vend të më shohë me respekt

ku asnjë njeri s’të lexon dhe ku askush nuk ta var.

Nëse në rrugë do të pyesim se kush lexon poezi

do thonë “po” veç poetët që lexojnë veten e vet,

se të tjerët po ti pyesësh do të shikojnë me habi

si jashtëtokësor që ke ardhur nga një tjetër planet.

Por s’më bën më përshtypje se tani jam mësuar

ndaj do vazhdoj të shkruaj poezi si përherë,

se unë mund të jem një kronikan i palexuar

por kurrsesi nuk do të jem një dëshmitar i blerë

Ne fund të fundit kjo jetë, kështu i ka përmasat,

tingujt janë për ata që duan ti dëgjojnë këmbanat.

 

 

 

Në kokërr të ditës

 

Një burrë bërtet sikur grindet me dikë në telefon

një grup vajzash shpërndajnë fletët e reklamave,

një polic me motor ka ndalur në rrugë një furgon,

një gjyshe në kat të dytë,shikon njerëzit pas xhamave.

Tre burra pijnë birrë tek lokali në fund të rrugës

tek dyqani i luleve një grua mban në dorë një buqetë,

polici i hap rrugën një ambulance mes zhurmës

tek pika e basteve dy djem se ç’’lexojnë në gazetë.

Tek rrobat e përdorura prapë sot ka shumë njerëz

një grumbull grash me zhurmë gjithë dyqanin mbushin,

një djalë me dy pica në dorë nuk po gjen dot adresën

disa fëmijë të vegjël vrapojnë të kapin autobusin.

Shpresa rri e përgjon atje buzë trotuarit,

për të ndarë me të vërtetën hapësirat e rrugës..

 

 

 

 

Pjesëmarrës në meshë

 

Mbrëmja me veten e saj ka kohë që ka darkuar

hëna me yjet nuk e di se ku janë zhdukur

nata ka ftohtë dhe me mantelin e saj është mbuluar

qyteti fle i qetë porsi një kafshë e zbutur.

Tani jam gati përherë i ulur në karriget e radhës

se koha më fton shpesh qirinjtë e ndezur të mbaj

si pjesëmarrës në meshën e përshpirtjes së natës

kur agimi këndon profecinë e vdekjes së saj.

Amen!…

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s