Shtëpia Botuese ” Muzgu” publikon librin ” Letra nga përtej” të autores Lola Shehi Çela dhe me parathënie nga botuesi Mark Simoni.

13105997_1261355243882385_1611900136_o

 

Shtëpia Botuese ” Muzgu” publikon librin ” Letra nga përtej” të autores Lola Shehi Çela dhe me  parathënie nga botuesi Mark Simoni.

 

 

Letrat e Lolës

 

Kurë po lexoja letrat e Lolës për gjyshen e saj të dashur, mu desh t’i kthehesha dhe një herë një realiteti tjetër letrar, librit të Sussana Tamaros “Va’ dove ti porta il cuore” (që është përkthyer dhe këtu, më duket me titullin “Thuaj zemrës po”). Atëherë Sussana Tamaro në një intervistë pati thënë se “dashuria për gjyshet është e para mistikë e dashurive”. Dy mbesa që i shkruajnë gjysheve të veta. E duke patur në dorë Tamaron dhe Shehin, si për dreq, kokën time e populluan në çast lloj lloj gjyshesh, (që nga ata të butat e të mirat, të përvuajtura në shenjtërinë e tyre, e deri tek ato më shtrigat e të mbrapshtat gjyshe), që më vinin në mendje që nga rrugicat e mëhallave të fëmijërisë, dhe ma harlisnin kujtesën me bëmat dhe portretet e tyre gjithëfarëlloji.

Lola Shehi ia dërgon letrat nga fëmijëria e saj, plot ngjarje e kujtime pikërisht gjyshes që e deshi aq shumë. Pavarësisht realitetit nga ku janë nisur ato tri letra, autorja të lë shijen herë të një Kësulkuqeje, herë të një Hirusheje apo Borëbardhe. Zëri i saj ka timbrin e fëmijës, dora e saj duket sikur dridhet herë nga malli e dashuria, herë nga dhimbja e vonesave të vogla për t’i nisur ato pusulla, mbushur me një frymë të kristaltë, gati përrallore.

 

 

Lola Shehi

Lola Shehi Çela

 

Gjyshe të tjera, prej vendesh të tjera, sillen vërdallë nëpër mëhallat e fëmijërisë  sime. Hërë të bukura e të buta e herë të tjera zevzeke e nurëseze, me fytyra të murrëtyera. Gjyshe të paqta që kur flenë në zheg nxjerrin prej qoshit të buzës një frymë të lehtë siç nxjerr ibriku i qajes avullin kur zien mbi sobë. Gjyshe që, megjithëse dinin vetëm një përrallë, (përrallën e pulës kuqaloshe pikaloshe), mbaheshin mend prej mbesave të vogla si përrallëtare të famëshme. Kam parë nga ato gjyshe, që, kur s’kishin njerëz nëpër shtëpi, vajtonin kruspull mbi minder, me vete nën zë, ndonjë vëlla a njeri të vdekur. Kam njohur axha Bijen që mblidhte në oborr  kalamajtë e rrugicës dhe i vinte të dridhnin duhan për cigaret e saj. Gjyshe që iu dhimbnin kockat dhe i luteshin Zotit që ndonjëri prej nipave të bëhej doktor, e pastaj mblidhnin nëpër komodina ilaqe, skaduar e paskaduar, me bindjen se “barnat të bëjnë përherë mirë”. Kam dëgjuar për një vajzë që thuhej se nuk e donte familja e të dashurit nga që ajo qe mbesa e Nurijes. (Kush e di se çfarë Nurije duhet të ketë qenë ajo). Kam parë nga ato gjyshe  që bënin shamatë me gjithë mëhallën dhe u dilte punë me tërë dynjanë.  Ishin gati si burra. Më dukej se prej nervave u dilnin dhe qime si mustaqe. E kishin zërin e trashë prej duhanit dhe shanin me fjalë të pista. Kam njohur tri gjyshe që u mësonin vajzave të mëhallës se si të bënin punët e shtëpisë, se si të qendisnin me moline dhe si të dinin të kujdeseshin kur rriteshin e u ndryshonte fiziologjia.  O sa gjyshe ka kjo botë.

Gjyshja e letrave të Lolës është një gjyshe tjetër, e mikluar nga malli i mbesës së saj që e do aq shumë.

Kjo mbesë shkrimtare ka në letrat e saj pikërisht atë temperaturë që ka patur dikur dashuria e saj për gjyshën, fëmijërinë e saj dhe botën që e rrethonte. Lola Shehi di të përdorë gjuhën e fëmijës, leksikun e moshës, letërsinë e naivitetit. Ajo e njeh dhe e kujton mirë fëmijën që ka brenda vetes, (që s’është gjë tjetër veçse vetja e vet në vogëli), dhe s’ka harruar asgjë, detaj për detaj, një vëzhguese e kujdesshme dhe e përpikët, mbasi është pikërisht dashuria që e ka orientuar këtë kujtesë. Pikërisht me këto copra të vogla të materies së kujtimeve ngre atë botë të madhe të dashurisë për gjyshen e saj. Nuk ka sajdisje më të bukur se këto tri letra. Lola Shehi e ka të shenjtë kultin e gjyshës. Ndjehet në tërë ato që shkruan tempulli i lartë i Nanas, (se kështu e thërret përjetësisht autorja). Këto tri letra e vezullojnë tërë librin, i japin sendiment dhe e bëjnë shumë njerëzor këtë tekst, e bëjnë të duket dhe si manual që tregon dashuritë e mëdha që ikin nga kjo botë vetëm atëherë kur do të ikim edhe ne.  Sa shenjtëri. Letërsia e Lolës në këto letra është si bekim, tamam si në legjenden e lashtë indiane që, nga do që shkonte vajza e vogël, nëpër degët e pemëve kishte sytë e gjyshes në formë gjethesh, anash rrugës lulet kishin petale pikërisht buzët e gjyshes, nën këmbë për të mos u rrëzuar ishin pëllëmbët e gjyshes.

 

 

mark simoni

Nga Mark Simoni

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s