“RRJEDH UJËVAR’ E SHPIRTIT TIM!…” (Shënime për librin e ri poetik “Përpëlitje”, nga Albulenë Shaqiri) / Nga: Prof.Murat Gecaj

Posted on May 22, 2016

0


“RRJEDH  UJËVAR’ E SHPIRTIT TIM!…”

(Shënime për librin e ri poetik “Përpëlitje”, nga Albulenë Shaqiri)

 

Nga: Prof.Murat Gecaj

 

 

alb

Albulenë Shaqiri-Kosovë

                                                     

 

                      Punë e vështirë, që unë s’po e dija:

                     Marrëzi apo e mirë, qenka dashuria?!

 

1.

 

Poetja e re Albulenë Shaqiri, nga Vushtrria e Kosovës dhe studente për shkenca mjekësore terapeutike, logopedi, në Prishtinë, po paraqitet para lexuesve të saj me vëllimin e ri “Përpëlitja”. Më herët, ajo botoi librin e parë poetik “Duart që prekin botën” (Prishtinë, 2013). Ëndrra për të shërbyer nesër në mjekësi, nuk e ka penguar atë që të vazhdojë të shkruajë poezi. Pra, ndërkohë, krijimet e saj i tuboi në një libër tjetër, në pritje të gjetjes së mundësive për ta publikuar atë. Siç më ka shkruar vetë Albulena, falë dashamirësisë së vëllait të saj, tanimë, kjo “dritare” u hap dhe asaj iu plotësua një tjetër dëshirë.

Nuk është hera e parë që shkruaj diçka për këtë poete. Kështu, kur ajo mori pjesë në edicionin e dytë, të manifestimit letrar të Art Klub “Rifat Kukaj”, i emërtuar “Vjeshta dhe vargjet”, botova në shtyp dhe në Internet skicën moodeste: “Kënaqësia e natyrshme e Albulenës”. Me atë rast,  juria i dha asaj vendin e parë, me çmimin motivues, për krijuesit e rinj, “Iljaz Prokshi”. Ndërsa Albulena u shpreh me këto fjalë të sinqerta: “Sot, me 25 tetor 2015, me poezinë “Përpëlitja”, u vlersova me çmimin e parë, si krijuesja e re më e mirë. Ndihem jashtëzakonisht e vlerësuar dhe e motivuar me këtë çmim. I falënderoj organizatorët, në përgjithësi dhe jurinë, në veçanti!…”

Si për të dëshmuar se ajo është “përpëlitur” me shumëçka të jetës, në ditët e sotme, titullin e atij krijimi poetik autorja ia vuri tërë këtij libri, i cili përmban gjithësej 50 poezi. Ato nuk janë  të ndara në pjesë të veçanta dhe as nuk përmbajnë shumë radhë, secila prej tyre.

Duke plotësuar edhe një dëshirë të Albulenës, në këtë hyrje, më poshtë po shprehem me disa radhë për poezitë e saj, pa menduar të bëj ndonjë analizë ose vështrim kritik rreth tyre.

 

alb 1

Ballina e parë e librit të A.Shaqirit…

 

2.

 

Është e njohur që, sidomos krijuesit e rinj, fillimisht, frymëzohen e shkruajnë  për ato dukuri, objekte ose persona, që i kanë më të afërt dhe që i rrethojnë. Ndër ta, janë prindërit, vëllezërit e motrat ose të afërm tjerë, por dhe miqtë a mikeshat e tyre. Këtë gjë e vërejmë edhe në krijimtarinë e Albulenës. Poezi të tilla janë ato me titujt domethënës: “Ime motër”, “Gjakut tim”, “Mikesha” etj. E dhimbshme është, sidomos, poezia kushtuar vëllait, kur ai merr udhën e kurbetit, gjë që e ka shprehur edhe në titullin e saj, “Natë ogurzezë”. Tashmë, dihet se emigracioni  është një plagë e pambyllur dhe shumë e dhimbshme për shqiptarët. Prandaj, autorja shkruan me pikëllim në zemër: ”Atë orë të mallkuar,/s’kam për ta harruar./E kuptova barrën e kurbetit,/e kuptova peshën e rëndë të lotëve,/mësova ç’do të thotë jetë e kobshme!”

Që në poezinë e parë të këtij libri, autorja merr pjesë e brengoset për problemet dhe padrejtësitë e shumta, që përjetojmë në shekullin e ri, pra XXI. Me ndjenjë të lartë qytetarie, ajo e ngre zërin e saj rinor, sepse tani ka: “shumë varfëri”, “pak të kënaqur”, “pak miqësi”, “pak fije shprese” e “pak dashuri”! Këtë temë therëse, pra duke u ngritur me forcë edhe kundër veseve dhe të ligave, që bëjnë njerëzit e shoqërisë bashkëkohore, e gjejmë edhe në disa poezi tjera. Lexuesi do ta vërejë këtë gjë, por dhe është lehtë e kapshme, që në titujt e tyre: “Botë hallemadhe”, “Kokëboshja”, “Paftyrësi”, “Jetënxirë”, “Padrejtësia” etj. Ajo edhe në pragun e Vitit të Ri e ndjen veten të pashpresë: “Qyteti nga dritat është ndriçuar,/po pse lumturinë s’ma kanë krijuar?!” Ndërsa  në poezinë “Antivlera” e ngre deri në kupën e qiellit zërin e protestës: “Shoh, se si njerëzit me lecka mbulojnë,/të metat e trupit,/ por jo edhe të turpit!?”  Prandaj kërkon: “Dua të ik…/në gadishullin tim/e në etësi të gej ngzëllim;/ay, ku një anë/më lidhë me të tjerët,/me ata që “thesar” i thonë…/…i thonë, vetëm Nderit!”(Poezia “Dua të ik!”)

Por Albulena frymëzohet e shkruan poezi edhe për natyrën, për njerëzit e saj, duke u bërë pjesë e shqetësimeve të tyre, si te: “Natyrë e bukur”, “Vështroj” ose “Hap’ i ri”. Te poezia “Kërkoj”, përveç dëshirës për t’i parë vogëlushë të gëzuar, me zërat e tyre fëminorë, me sinqeritetin e moshës shprehet:  “Eci rrugëve të qytetit,/ dhe me buzëqeshje habie,/ kërkoj frymë njerëzish,/ kërkoj porta lumturie”.

Kështu, me fjalë simbolike ose dhe me gjuhë të kuptueshme, Albulena trajton dukuri të kohës, të cilat i ka vëzhguar me syrin e një të reje, që shpreson e aspiron për çdo gjë të bukur e përparimtare në jetë, larg  të këqijave e padrejtësive, përtej varfërisë.

 

3.

 

Është e natyrshme dhe e kuptueshme për një poete adoleshente, siç është Albulena, se temë e rëndësishme, bile qendrore, në poezitë e saj bëhet dashuria. Me ndjenja të holla dhe fjalë të zgjedhura, ajo shkruan për njeriun, që i ka rrëmbyer zemrën  dhe shpreson e beson në ndershmërinë dhe sinqeritetin e tij. Prandaj edhe shprehet:”Si engjellushe,/ me pelerinën e bekuar,/erdhi dashuria,/ me fytyrën e praruar…”. Ndoshta, ajo ka lexuar thënien: “Dashuria të bën të fortë përpara gjithë botës, por të dobët përpara personit që ti dashuron!” Prandaj, po në atë poezi ajo vazhdon: “Erdhi e s’i them jo!/Është e lirë/ dhe e ëmbël,/po-po!” Te njeriu, që dashuron, ajo shikon çdo gjë të bukur e të mirë: “Pranvera lindë ndryshe,/se vetë lulëzimi je ti;/je bukuria e sinëve/ e dritëdhënësi i kësaj gjithësie”. Me domethënie të veçantë janë vargjet e poezisë “Përpëlitja”, që i ka dhënë emrin tërë këtij libri: “Punë e vështirë,/që unë s’po e dija:/Marrëzi apo e mirë,/qenka dashuria?!”

Por jeta nuk është “fushë me lule”, pra as në dashurinë e dy të rinjëve. Kështu, jorrallë, ajo zhgënjehet nga djaloshi i saj dhe kjo gjen pasqyrim në vargje, që janë me nota trishtimi e pikëllimi:”Mik e kam vetminë,/s’e ndërroj me lumturinë;/ mik vetëm atë e kam,/ qendroi me mua, kur të tjerët më lanë!”. Ndërsa në një poezi tjetër shprehet me ofshamë shpirti, në pragun e ndërrimit të viteve, kur nuk merr asnjë mesazh: “Datat u shënuan,/ e ti s’më urove,/sikur të isha e huaj,/nga vetja më largove!?” Dhe, për të mos dhënë shumë vargje të tillë, po përmendi dhe këta, nga poezia “Hëna, dëshmitare”: “E di, jam e gjorë,/që nga dikush, si ti,/pres të më dojë…?Por unë s’kam faj,/ pse dashuroj!…”.

Me gjithë notat pesimiste, që i ndeshim në disa poezi të këtij vëllimi, përsëri autorja ngrihet mbi të keqen, padrejtësitë e ligësitë dhe shkruan me optimizëm për jetën:”Rrjedh ujëvar’ e shpirtit tim,/nëpër faqet e njoma,/ e përshkon tërë trupin tim…”. Ndërsa te poezia “Shpresa” shprehet: “Në rrezen e parë të agimit,/u përpoqa të akumuloj shpresa…/Dhe, befas, shkëndijat e vogla u zhdukën,/ kur erdhën rrezet e reja!”. Si një misionare për jetën, ajo jep  edhe këshilla të vlefshme për të tjerët: “Ujiti lulet,/ndero çdo njeri!/Kështu shton kujdes,/jep ëmbëlsi…”.

Përmbledhurazi, mund të pohojmë se, ky libër i ri poetik, shënon një hap përpara në krijimtarinë e Albulenë Shaqirit. Prandaj e përgëzojmë dhe urojmë që ajo të ecë me vendosmëri përpara, për të shkruar poezi sa më cilësore dhe që t’i plotësojnë gjithnjë e më mirë kërkesat, dëshirat dhe shijet letrare të lexuesve tanë!

 

Tiranë, maj 2016

 

 

Posted in: ESSE DHE KRITIKA