14137872_1177297772329040_1539745651_n

Poezi nga  Genc  KASTRATI

 

 

Kur ti buzëqesh

 

Kur ti buzëqesh nga hareja,

me mirësjellje më fton në gëzimin tënd

dhe porsa shoh pragun e lumturisë,

verbohem nga vijat e fytyrës sate.

 

Sikur lumi ka gdhendur shtratin tim,

qëndisur në pamjen tënde

dita tretet në buzëqeshjet e tua,

rrezet të pushojnë në mollëzat e faqeve,

buzëve të tua mblidhet harku i hënës

dhe si një oaz fytyra jote është plot jetë.

 

Do të doja të jetoja vetëm në buzëqeshjet e tua,

të shtrihem nga sytë gjer tek goja jote,

faqeve të tua të endem si klandesin dashurie,

me vetullat e tua të mbulohem si me fije bari.

 

Do të doja të më mbash në buzëqeshjen tënde,

të jetoj si një statujë e ngrirë dashurie,

vetëm aty do të qëndroja kurrë pa u mërzitur,

asnjëherë s’do të ngopesha duke u ushqyer,

me magjinë e mozaikut të buzëqeshjes sate.

 

 

Në sokakun e të marrëve

 

Ne nuk diheshim, nuk ishim parë më parë,

ti s’më njihje dhe as unë s’të dija për të gjallë,

por për një çast jeta u kthye si në përrallë,

kur u pamë papritmas sokakut të marrë.

 

Ecje ngadalë nëpër gurët e fjetur,

sokakut duke trokitur me takat e gjata,

mbaheshe për muret që rrinin të stepur,

muzgut që po lëshohej të përshëndeste nata.

 

Të pashë si një hije duke zbritur shkallëve,

une dhe ti, udhëtarë të vetëm sokakut të marrëve,

nuk dëgjohej frymë, bota sikur kishte ikur,

vetëm drita e syve të tu ishte hëna e pafikur.

 

Si në padashje u afruam pranë njëri – tjetrit,

dashuria s’kishte dalje tjetër trotuarit të ngushtë,

tërmetet u zgjuan në ballë të rihterit,

kur u ndeshën shikimet si zjarri me prush.

 

Që nga ajo ndodhi ne më nuk u ndalëm,

të ecim si në ëndërr nga sokaku i të marrëve

dhe tani pas shume viteve tek kujtojmë më pietet,

çuditemi me dashurinë si na lindi në atë vend.

 

 

Për të të harruar ty

 

Për të të harruar ty,

do duhej të mbyllesha në vetmi,

të gjej ndonjë vend ku nuk arrin as hija

e prapë vetmia çelës nuk ka;

do fundosesha agonisë së pyllit të errët të shpirtit,

prapë me ty, duke u mbajtur për trarët e mëshirës,

si një qyqar dështues, pa fitore.

 

Po të mund të zhdukja çdo ngjyrë malli,

të flakja çdo ndjenjë, çdo qelizë gjaku,

duke tentuar të të harroj si një histori të pa vlerë,

e një beteje të humbur dhe ti flamur bardhë,

si një tregim që më as titullin nuk ia di,

prapë erërat e fitores sate do fryenin mbi mua,

mendjes sime, duke u përsëritur episodet e tua.

 

E si mund të të harroj ty,

kur asgjë harrimit nuk u fshika

dhe toka më flet aty ku ke lënë gjurmët.

 

 

Falemnderit Perëndi

 

Falemnderit Perëndi

Që më bëre Njeri

Të bardhë, të zi

Dhe me ngjyra të tjera

Më forcove ti

Më linde nga fryma

Dhe një copëz dashuri

Të jem i gjallë

Të quhem Njeri

Shumë herë nga ti ika

Doja të isha unë Perëndi

S’e dija se ku ishe ti

Në fron të qiellit përmbi

Unë me hijen time në shoqëri

Në tokë shumë fëmijë

Në kopshtin tënd Perëndi

Çapkën dhe i llastuar

Herë rebel dhe i trimëruar

Prapë kthehesha nga ti

Mbi qiellin tim Perëndi

Shikoja me habi se ku ishe ti

Nga kopshti yt sa largësi

Mbeta vetëm fëmijë-njeri

Në rrugë jete gjer në përjetësi

Me trishtim dhe dashuri

Pastaj erdhi një gjumë i ri

Gjer tek një zgjim përsëri

Falemnderit Perëndi.

 

 

Në mundesh

 

Në mundesh të flasësh me buzët e mia,

do të bashkoheshin tingujt në një zë,

dhe nga ai çast më s’do të fliste vetmia,

dashuria ndarjes më vend s’do t’i le.

 

Në mundesh të ecësh gjurmëve të mia,

do ta zësh marrshimin e zemrës sate,

më s’do të niseshe rrugës e pashoqëruar

do të shëtisnim bashkë në gjithë këto vende.

 

Në mundesh të kapesh për duart e mia,

ledhatimet më s’do të mbeteshin boshe,

do të mbaheshim për shtylle të dashurisë,

siç mbahet pema me rrënjët për toke.

 

Në mundesh të shikosh me syte e mi,

e gjithë kjo botë do të mbyllej për ne,

në bëbëzat e tua do të lindte një sfond i ri

dhe do të shijoje shfaqjen tënde të re.

 

Në mundesh të zgjohesh ëndrrës për mua,

do ta filloje ditën me një qëllim,

përmes këtij horizonti të papushtuar

do të udhëtoje me dritën e shpirtit tim.

 

 

Taxh Mahalli im

 

Vitet që po shkrihen me ty,

më duket sikur nuk po të jap asgjë,

puthjet ikin si psherëtimat,

ledhatimet treten si erërat.

Rutinë u bë kjo dashuri,

kuptohet, është e ëmbël, e zjarrtë,

sa vullkanet që nxjerr toka,

sa lava që derdhet mbi trupin e dheut

dhe prapë asgjë nuk po mbetet

trupit tim dhe as shtatit tënd.

Dashuria i falet ajrit,

e përpin hapësira,

ikën pa e përtypur,

pa e pirë,

pa e kapur

dhe çdo ditë, e çdo natë,

kthehemi në shtrat,

si trupa të mëvehtësuar.

Edhe kur flemë bashkë,

dy shpirtra shoqërohen prej dy vetave,

të ndarë pa fajin tonë.

Ndaj kam vendosur

të ndërtoj për ty një Taxh Mahall,

ta ruaj dashurinë

një muzeu ndër kohra,

të mbetet e gjallë, e pavdekshme.

Ketij qellimi, sado simbolik qoftë,

do t’i shkruaj fjalët në gur,

epitafet e zemrës do të flasin me ty,

të jetojnë nëpër shekuj,

do t’i qëndis muret mermerit të lëmojtë,

si nuri i fytyrës sate

dhe sa herë te hysh brenda,

do të më kesh mua rreth e rrotull,

me fjalet e mia, me punën e palodhur,

dedikimit për ty.

Një vaskë e madhe si faqja e detit,

ka për të pritur ujit të ngrohtë,

si lotët që derdhen mallit.

Aty lahu e dashur,

krihi flokët,

fërkoje trupin,

me pikla uji spërkate dhomën,

vërshim u bëftë gjithë ai vend

kënaqu çastit të pazakontë!

Një ballkon do të lerë nga lindja,

qe ta kapësh lindjen e diellit,

dhe ngrohu me rrezet

e kohës së tharë.

Shikimi yt nuk do ndalet aty…

Oborrin thurrur me gardhe të drunjta,

do ta mbush me ca kuaj,

të bardhë, e të zinj,

të kaftë e të kuqërremtë,

do të vrapojnë për ty,

të kujtosh gjithë dashurinë,

si i pluhuruam rrugët ndër vite,

derisa erdhi vendimi, të prihet bileta,

e një udhëtimi të panjohur.

 

 

Si do ishte viti pa ty

 

E dashur si do ishte viti pa ty

Që as shekujt s’do e mbanin në gji

S’do matej me kohën e shkuar

Se koha tretë si për arin e gdhendur

Dhe shekujt do treteshin për ty

S’do matej as me manushaqet e çelura

Se ato vijnë me stinën

E pas tyre ngrejnë kokën të tjerat

Por si ti nuk ka lule tjetër

S’do matej me ditën dhe natën

Që një fije e flokut tënd i ndan kur ndërrohen

Sa afër e dashur, e asnjëherë të bashkuar

S’do matej as me dritën e hënës dhe diellit

Që dritë e tyre lidh tokën me qiellin

E yjet u mbajnë kandilat në gjithësi

Por ti ato të gjitha i ke në botën tënde

Si shkendija dashurie

E ti do mbetje bota ime e vitit të vetëm

Çdo gjë që do shihja dhe mendoja.

 

 

Mos m’i thuaj

 

Mos m’i thuaj paragjykimet që gërmojnë
Unë e di që në brendinë tënde vlon një pastërti
E fshirë bukur me fshesën e shpirtit tënd
E pastruar këndshëm je si oborret mbretërore
Që rrinë të qeta dhe joshese, mbushur me lule ato presin
Për mysafirët e mbrëmjeve elegante

E kuptoj, është përherë prezente mëdyshja te njeriu
Si vesa e mëngjesit që mbulon petalet e heshtura
Por ti mos u bëj pre e veseve që rëndojnë
Dhe sjellin vranësirën mbi fytyrën tënde plot nur

Mos m’i thuaj ato fjalë që lëngojnë brenda teje
Mund të venitin edhe qiellin tim gazmor
Asnjëherë nuk është ndalur buzëqeshja mbi zemrat
Që janë stoike mbi taborin e ndasive
Edhe ashtu ty kurrë nuk të kam parë të vrenjtur
Ndoshta dhe për hir të asaj ndjesie që nuk guxon të humbet për ne
Aty qëndro, ku matet fortësia e një ndjenje.

 

 

Vetëm ne

 

Kush nuk ta di emrin, nuk ta njeh buzëqeshjen,
lotin nuk ta sheh në syrin që thyen kristalet,
si një ishull i harruar ti mbijeton, dashuron me brigjet,
ku vetëm dashuria të mban gjallë si një lule e vetmuar.

Kush nuk të njeh, nuk ta di vajin ngushëllues,
lëmoshën e shikimit që lëkund gurët e përgjumur
pranë teje, si kufoma ikin dhe vijnë hije njerëzish
të heshtur dhe në zhurmë çirren në panjohurinë tënde.

Kush nuk të përshëndet, nuk ta njeh zërin,
fërfëllimën e gjetheve të maleve që freskon detet,
melodinë e zemrës, ushtimën e dashurisë së flakur,
që si zjarr në vetdjegie brendisë së trupit të shkrumbon.

Pa emër ti je për botën dhe askujt nuk i flet,
ndihesh si një oqean i zbrazur pa varkë të përkundur
e mbushur si valë e gufuar, ti vërshon shkëmbit të thepisur,
ku vetëm unë të arrij dhe vetëm mua më përgjigjesh.

 

 

Mëngjesi im

 

Sot ky mëngjes ishte më i bukur!
E fillova me ty, me vesën në lule
që rrinte shtrirë në faqen e petales
dhe zemra kërkonte strehim në shpirtin tënd.

Avullit të mëngjesit gëlonin mjellmat,
krekoseshin patat pasqyrës së liqenit;
shelgjet syve të mi pinin freskinë për ty
dhe gjethet lëshoheshin si dora jote, ballit tim.

 

 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,300,686 hits

September 2016
M T W T F S S
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List