Zagoria në vitin 1930 / Nga Mihal Ilia Dilo

 

14269883_1703552876630531_523559039_n-1

 Nga Mihal Ilia Dilo

 

Zagoria në vitin 1930

 

Fare të rralla janë dokumentat historike të mbajtura përmbi vendin e quajtur Zagori. Disa shkrimtarë grekë e kanë dashur t`a quanin “Shqipri” dhe të tjerë Sheper. Më vonë, kur Shqipri ose Sheperi zu të bëhej vendbanim, në kohën e sundimit bullgar, filloi të quhej Zagorie, fjalë bullgare që do të thotë tejmal, prapamal, një fushëmal  rrethuar nga çdo anë me male. Nga sa mirret vesh përpara sundimit bullgar, Zagorieja nuk do të ketë qenë vendbanimi, po vetëm vendveror, që veronin stanarët pse stina e dimrit e bën të jetë i pabanueshëm për gjënë e gjallë.

Klima e Zagorisë ndryshon sipas stinës. Dimrit nuk i mjaftojnë tre muaj, po fillon rregullisht një muaj më parë dhe mbaron një muaj më vonë. Në këtë periudhë të gjatë, toka ndodhet e zhveshur; bora, shiu, të ngrirët e tokës dhë era e fortë e keqësojnë jetesën e bujkut të mjerë që s`ka as një mjet për t`i bërë ballë. Në shtëpinë e tij i hyn era dhe shumë herë shiu dhe bora. Pranvera ësht me të vërtetë një stinë e bukur, që rrallë mund të gjendet në vende të tjera malore. Në këtë kohë çdo vizitori i hiqet vërejtja prej bukurisë natyrale : pyje, fusha dhe male të jeshiluar dëfrejnë sytë, erërat e luleve e bëjnë të këndshëm vëzhgimin e shtegtarit dhe ujët e ftohtë i ngjallin urin më të sëmurit. Vera përmblidhet vetëm në muajin e Gushtit. Në këtë muaj fillon vapa në katunde. Banuesit në këto muaj lënë shtëpitë e venë e zënë hijet e pemëve ose majat e maleve. Vjeshta i përshtatet prandverës. Në këtë stinë rifillon çelja e luleve e bimëve dhe e barit. Të shumta janë frutat e kësaj stine, po, mjerisht, moskujdesja dhe mospunimi i tokës i rrezikon vit për vit. Ësht vënë re se me gjithë ndryshimet e shumta që bën klima (amplituda nga 200 ngjer 40 0),  toka e Zagorisë produkton çdo soj bime, vetëm është i nevojshëm një shi në muajin e Gushtit që të mos prishi të lashtat. Gruri dhe misri, që mbillet si trashëgim nga të parët, mund të bëhej me shumicë po të mos punohej simbas mentalitetit të vjetër. Toka e ndryshme -rërishte, zallishte, kalkare, argjile etj-  dhe variacionet e klimës do të mundnin ta pasuronin po të mos mungonin mjetet për të shfrytuar tokën, kapitalet për të ndihmuar bujkun dhe komunikacionet që ta lidhnin me qëndrat e afërme.

 

Si kufizohet Zagorieja ?

 

Zagorieja kufizohet nga lindja me Grykën e Dhëmbelit dhe me malin Dhëmbel; nga Juglindja zgjaten Kodrat e Sinorit me Fushën e Bardhë; nga Veriu dhe Verilindja me malin Bisej; nga Perëndimi me Çajupin, Strakavecin dhe Gryk` e Peshtanit; nga Juga me malin Rrapavicë që çdo majë e saj merr emra të ndryshëm: Bisht i Malit, Nanako, Zoran, Shtrung` e Gjarpërit, Mangjeza, Lug i Sheperit, Lug i Thellë ose Lug i Madh, Kuçollak, Lug i Arapit, Katali dhe Mali i Lliarës. Prapa maleve të numuruara, Zagorieja ka nga Veriu dhe nga Lindja Përmetin me qarkun e tij, nga Jugë-Lindja Pogonin, nga Perëndimi Tepelenën dhe nga Juga Lunxhërinë dhe Libohovën.

Përmes Zagories shkon një lumë i vogël, Lumi i Zagorisë, që lind nga fusha e Sheperit. Katundet shtrihen nga njëra dhe tjetra anë e lumit. Nga Lindja, nga ana e djathtë, ndodhet Sheperi, një katund mjaft i madh, Nivani, Koncka, Bythyqi, Hoshteva, Lliara dhe Zhei; nga ana tjetër gjëndet Ndërani dhe Topova.

Dokumentat e ngjertashme na tregojnë se fshatërat e sotme nuk e kanë patur vendin e tyre në vendet që ndodhen sot. Sheperi që më parë se 400 vjet gjendesh në kodrën me emrin Tërovë, ka lënë shtratin e parë dhe ësht vendosur në kodrën Seper dhe u quajt më vonë Sheper. Fernani që ndodhet në arqivat e kishës së Sheperit është afro 350 vjet. Gjëra antiku nuk janë gjetur. Nga godinat më të vjetra ndodhet “Kisha e Shën-Gjergjit” bërë prej një Kallogreje më 1799. Edhe për çudi, në kulmin e kodrës së Sheperit ndodhet një shpellë me emrin “Gur i Romit”. As dhe nga një mot nuk gjejmë se si e qysh ka rrjedhur emri i këtij guri. Pastaj në radhët e Sheperit hyjnë dhe Nivani me Nderanin, që formonin më parë një fshat përposh në fushë. Si dokument të sigurt për këtë gjë kemi sot kishën e Manastirit që, sipas gojëdhanave, është qëndra e gjithë Zagorisë. Po, siç duket, këta katunde që kanë qenë në vende fushë dhe udhë, në të cilat shtegtarët dhe briganët shkonin hera-herës dhe i plaçkitnin sipas zakonit, janë shtërnguar t`i lënë sheshet e të hidhen nëpër majat e brigjeve, pse në këtë mënyrë në kohët e para mund të punoje lirisht e të mbroheshin më mirë. Edhe ky installim gjan të jetë bërë në kohën e fedualizmit.

Përpara se të dilte emigracioni për Turqi, Maqedhoni dhe Amerikë, banorët e këtij vendi mireshin të gjithë me bujqësi. Po më vonë, kur panë se kish vende më pjellore, zunë ta linin pak nga pak vendin e stërgjyshërve dhe sot shumë prej tyre ndodhen në Maqedhoni, Misir, Amerikë etj.

Arësimi në kohët e para ka qënë i detyrueshëm. Zagorieja ndryshonte nga çdo vënd tjetër, pse në çdo katund ka patur shkollë fillore e dy tre bashkë formonin shkollë plotore. Në lëmin e çdo dege të shkencave Zagorieja i ka falur atdheut profesorë, doktorë, avokatëQysh do të bëhet halli i të tjerëve që mbeten pa shkollë ?

 

KA KOMUNIKASIONE

 

Komunikacione ! Ësht për t`u çuditur si s`ka mundur të ketë ky vënd ndonjë autostradë. Udhët e sotme (mulative), janë aq të pakta dhe aq të këqija sa nuk mund të quhen udhë, po përrenj, kodra, gurë dhe shpella. Një udhë që të lidhi Zagorien me Gjirokastrën dhe fshatrat ësht shumë e domosdoshme. Kjo rrugë kish filluar të bëhej më 1924, po të ftohtit e këtij vitit e lanë të mbetet në mëshirën e fatit. Bërja e kësaj udhe ësht një nga nevojat e para. Pa këtë, si ndodhet sot, bujku nuk mund të shpjerë në tregje produktin e tij e as të bjerë nga jashtë gjërat e nevojshme.

 

  1. LEONIDHA RUCI

 

Një nga të parët zagoritë që ka filluar të japi shembullin e punës ësht zoti Leonidha Ruci, i cili që në fillim të liris kombëtare filloi të punojë me system vendin e tij. Sot, pas një kohe mjaft të shkurtër, ësht pronar i një vile ndenë të cilën shtrihen baçat dhe nga ana tjetër vreshtat soj-soj të punuara kaq mirë sa askush nga fshatarët shpresonte që në Zagorie të bëheshin punë kaq të holla. Shembullin e zotit Ruci e vijoi i nipi, i cili, në çdo rast e në çdo kohë ësht i gatshëm  për të dihmuar bashkëfshatarët e tij si në shpjegime të çdo shpikjeje bujqësore të re, ashtu dhe në mbjellje të pemëvet.

Pastaj dhe deputeti Z. Harito ka dhënë dhe jep shembullin e punës. Shembëlla të mëdha janë këto, po asnjë nuk ka mundur t`i ndjekë, dhe arsyet janë të shumta.

Bujku shqiptar, i varfër, pa shkollë, i ushqyer që në mëngjes me idera të vogla nuk mund të hedhi çapa të mëdha në lëmin e bujqësisë e të harrojnë gjithë jetën e mëparshme.

 

Ç`DUHET BËRË ?

 

Që të mos lihet të keqësohet akoma gjëndja e saj, duhet të merren këto masa :

Të çilet në çdo katund nga një shkollë fillore dhe ku shihet nevoja dhe shkolla plotore, (në katundin Sheper, Hoshtevë dhe Lliarë ësht e domosdoshme nga një shkollë femërore).

Të ndihmohet bujku në çfarëdo mënyrë që të mund ta punojë me system tokën e tij, të mirren masa për çdukjen e dhisë pse ësht e vetmja kafshë që dëmton pemët.

Të lidhet me udhë të paktën me një nga qendrat e afërme. Vetëm në të tillë mënyrë do të shpëtojë sot Zagoria nga kriza, e nesër do të jetë për Atdheun një nga vendet më të pasura dhe një nga elementet më të çmuar.(Mihal Dilo Sheperi, “Demokratia”, 27 tetor 1930 fq. 2 Nr. 237, e shtunë, 8 Nëntor 1930 fq. 4 Nr. 274)

 

 

Sheper, shtator 1930

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s