Historia : : « Nuk jam besimtar, por frymëzohem prej saj »
Dëshmi e Astrit Lekës, hero i rezistencës shqiptare
Gazeta Corriere del Ticino
( Karlo Silini )
Nëse ju do të lexoni artikujt (por edhe librat) që i kushtohen atij, vështirë të kuptohet se ç’lidhje ka Astrit Leka me Nënë Terezën e Kalkutas. Është e vërtetë se që të dy janë shqiptarë. Por i pari konsiderohet një prej patriotëve të mëdhenj të vendit të tij, i shquar – midis të tjerave – për betejat kur ai ishte komandant i njësive guerile (partizane) dhe mbante pseudonimin Alarik, dhe e dyta nje kampione e besimit katolik, aktive në të gjitha frontet e tjera.
Kështu dje, kur ky burrë 92 vjeçar, Astrit Leka, që banon prej shumë vitesh në Gjenevë, i telefonoi redaksisë së Corriere del Ticino, sepse donte t’i fliste për Shenjtoren, për një moment mbetem të befasuar. Para se gjithash sepse ai u prezantua si « një njeri i zakonshëm nga një vend i Lindjes, i cili shumë vite më parë kishte qenë diplomuar në tri fakultete por që në një pjesë të jetës së tij kishte qenë i detyruar të punonte me kazëm.
Dhe gjithë këto ai i shprehu me një italishte të rrjedhshme duke mos i mëshuar jetës së tij të denjë për të shkruar një roman, sidomos për faktin që ai kishte luftuar kundër fashistëve dhe nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që kishte vuajtur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, sepse nuk kishte pranuar të hynte në kallëpin komunist, pasi e kuptoi se çfarë ishte diktatura, e cila e kishte zhveshur nga gjithçka.
Një familje patriotësh që i kishte dhënë shumë vendit të saj. Tre nga familja e tij, ndër të cilët dy gjyshërit ( njëri kishte nënshkruar Aktin e Pavarësisë) kishin luajtur një rol të madh për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, pas pesëqind vjet sundimi otoman. I ati, një jurist i shquar, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, nuk gëzonte të drejtën të punësohej, pasi konsiderohej potencialisht kundërshtar i komunizmit.
Por ç’ka të bëjë gjithë kjo me Nënë Terezën? « Më dëgjoni – na shpjegoi ai menjëherë – unë nuk jam besimtar, e megjithate mund të pohoj se në betejat e jetës sime jam frymëzuar prej saj. Që të dy kemi vuajtur tmerrësisht dhe, nuk di ta shpjegoj por Nënë Terezën e kam ndjerë gjithnjë pranë . Jo vetëm unë por edhe vëllai im inxhinjer pyjesh që jeton në Amerikë i cili ka shkruar një libër për Nënë Terezën ».
Rrugët e tyre u cikën para shumë vitesh për të vazhduar më tej paralelisht nëpërmjet një jete dhe përvojash shumë të ndryshme, që para Luftës së Dytë Botërore. « Motra ime e madhe studionte me motrën e Nënë Terezës në të njëjtin Institut shqiptar të vajzave, Institutin « Nëna Skenderbeg » në Tiranë. Pa e ditur, bashkeshortja ime dhe unë kishim ndjekur në pjesën e parë të jetës sonë të gjithë rrugën e ndjekur nga Nënë Tereza.
Ne u larguam përgjithnjë nga atdheu ynë, jo për të gjetur strehë diku apo për të mbijetuar në një botë të lirë, por për të vazhduar luftën tonë për lirinë dhe të drejtat e njeriut, pasi ishim betuar mbi varret e prindërve të mi që ndodhen fare pranë atyre të nënës dhe motrës së Nënë Terezës, në varrezat e Tiranës. (Shenjtorja është varrosur në Kalkuta).
Në fakt prindërit e mi dhe nëna e Nënë Terezës kishin vuajtur tërë jetën e tyre për shkak se regjimi komunist nuk ua lejonte të takoheshin me të dashurit e tyre që ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë. Prindërit e mi nuk mund të takonin djalin e tyre Dr. Agim Leka që jetonte në SHBA. Si nëna dhe babai kishin një vëlla në Itali që nuk mund t’i takonin. Kurse nëna e Nënë Terezës nuk mund të takonte të bijën e saj në botë dhe birin e saj ne Itali.
Ne e mbajtëm premtimin solemn. Dhe ndoqëm shembullin konkret të Nënë Terezës gjatë mëse 26 vjet përpjekjesh në Gjenevë dhe në më shumë se pesëdhjetë vende të pesë kontinenteve, për të luftuar për lirinë e popujve dhe për të mbrojtur kauzat e mira midis të cilave është edhe asgjesimi i minave anti-njeri. Ajo është idhulli ynë.
Nënë Tereza na ka frymëzuar edhe në jetën tonë private : Në shembullin e saj, bashkeshortja ime e ka vënë dhomën e saj të gjumit në Gjenevë në dispozicion të disa të sëmurëve të ardhur nga Shqipëria, të cilët nuk mund t’i përballonin dot shpenzimet e spitalit. Edhe unë gjithashtu i kam ndjekur këshillat e saj kudo».
Ndërsa ai fliste, mendonim për të, për faktin që gjatë viteve të tmerrshme të rezistences mundi të merrte me forcë nga depot e Bankës kombëtare të Durrësit, sasine e leshit që do të dërgohej në Gjermani, duke privuar kështu nga teshat e ngrohta 15 mijë ushtarë gjermanë të frontit rus. Na u kujtua edhe kur ai kishte çarë mes truprojeve të ministrit të Ekonomisë të qeverisë kolaboracioniste të Shqipërisë gjatë pushtimit gjerman dhe e kishte detyruar ministrin, me pistoletë në dorë, që të firmoste dokumentat që do t’u lejonin të shkonin në Kosovë për të siguruar drithërat për të cilat brigadat partizane kishin aq shumë nevojë në atë kohë lufte.
Dy luftra shumë të ndryshme, ajo e një heroi kombëtar (bëma të cilave aktori dhe dramaturgu i shquar Ndrek Luca u ka dedikuar një pjesë teatrale në kohën e regjimit komunist dhe kur Leka, i shpallur armik i popullit, ishte i dënuar të punonte me punë të detyruar). Dhe lufta e engjëllit të të harruarve në Indi.
« Shembulli i saj, bamirësia e saj, kanë vazhduar të më drejtojnë. Midis te tjerash themelova ne Gjenevë SOLIDEST, një Shoqatë ndërkombëtare e Solidaritetit për Zhvillimin e Vendeve të Lindjes» .
Leka ka qenë gjithnjë nje patriot shqiptar i apasionuar dhe për këtë arsye ai është i afeksionuar pas Nënë Terezës. “Është një model për mua, ashtu si Gjergj Kastioti Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve dhe mbrojtës i krishtërimit evropian. Nuk është rastësi që në vitin 1997, me shoqatën tonë ne ngritëm për nder të tij një bust këtu në Gjenevë, falë lejes së dhënë nga Këshilli i Shtetit i Gjenevës, të cilin duhet ta falenderoj. Dhe SOLIDEST ka ndërmarrë kohët e fundit një projekt në Bashkinë e Strasburgut për t’i ngritur një statujë Nënë Terezës së madhe.
Familja ime kishte gjithashtu një kishë në Shqipëri të themeluar në kohën e Regnum Albaniae në vitin 1272, kur mbreti ynë ishte Karl D’Anzhu, vëllai i Shën-Luigjit , Mbret i Francës. Vetëm mbas rënies së regjimit komunist u fillua të studiohen rrënojat e kishës romane të familjes Leka në Borsh të Sarandës. Pikërisht atje ortodokse dhe myslimanë ndezin bashkë qirinj, meqë ajo zonë nuk ka më katolikë.
« Nesër do të jem i pranishem ne shenjtërimin e Nënë Terezës në Romë nga Papa Françesku, në moshën 92 vjeçare. Pastaj do të tërhiqem nga jeta aktive duke pasur si dëshirë të fundit pjesëmarrjen time në përurimin e statujës së Nënë Terezës në Strasburg ».
Ky është një tribut që për Lekën shkon përtej fesë katolike sepse Nënë Tereza kishte dhuntinë të nxirrte më të mirën nga gjithkush, pa bërë dallim race, kulture apo feje. Çdo njeri është një vëlla apo një motër. Ja kush është Nënë Tereza.
Një foto e Astrit Lekes në Santiago të Kilit.
(Poshtë fotografisë shkruhet me gërma të dallueshme
Dhuntia e saj
Ajo kishte dhuntine te nxirrte më të mirën
nga gjithkush, pa bërë dallim race,
kulture apo feje.
Ja sesi do ta kisha plotësuar intervistën e kryeredaktorit të Corriere del Ticino, Z. Karlo Silini, me të tjera ngjarje të një rëndësie të madhe për zgjidhjen e mirë të të cilave kam dhënë kontributin tim modest duke ndjekur rrugën e Nënë Terezës. Në shembullin e saj unë nuk u dorëzova para padrejtësisë, megjithëse u gjenda i vetëm përpara vendimit të marrë në Kopenhagë nga 350 delegatët në Asamblenë e përgjithshme të FMAC-Paris (Federata Botërore e Veteranëve) të cilët përfaqësonin 37 milionë ish-Luftëtarë të botës. Ja sesi:
Më 8 tetor 2009 , pasi i kisha shpëtuar një katastrofe ajrore, kur pilotët tanë na shpëtuan duke bërë një ulje të detyruar në Austri, meqë familja ime dhe të gjithë të afërmit e mi nuk donin që unë të ndërmerrja një udhëtim tjetër me aeroplan pas asaj që më kishte ndodhur, unë shkova në Kopenhagë. Dhe bëra mirë, sepse gjuhët e këqija thoshin kudo se shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë kishin bërë tregti organesh të robërve serbë të luftës (katër vjet më pas në një konferencë shtypi në Gjenevë, unë e shkatërrova këtë shpifje e cila çnderonte të gjithë kombin shqiptar nëse do të rezultonte e vërtetë).
Në hapje të Asamblesë së FMAC, presidenti i Federatës propozoi pranimin e Timorit, Burkina Fasos dhe të një shoqate finlandeze, por edhe refuzimin e pranimit të Organizatës së Ish-Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK, duke lënë të nënkuptoheshin akuzat e rrema që ishin bërë kundër saj. Një vendim refuzimi e ligjëroi këtë propozim të Presidencës. Kështu UÇK-ja e cila, me propozimin tim, kishte marrë pjesë në të gjitha Asambletë apo forumet tona si vëzhguese, që nga Rabati, Akra, Zagrebi, Lizbona, Singapori, Kuala Lumpuri, etj., nuk mund të bëhej pra anëtare e Federatës botërore… Unë e përmbysa të gjithë këtë situatë , edhe pse i vetëm, përballë refuzimit të 37 milionë ish-Luftëtarëve të planetit. Pikërisht atëherë vendosa të veproj siç do kishte vepruar Nënë Tereza. Të luftoja për drejtësi dhe të mos dorëzohesha. Deklarova në Asamble atë që në atë kohë nuk ishte më një sekret. Në fakt, më vonë gazetari Maurizio Stefanini shkroi dy faqe në një gazetë të Romës duke më karakterizuar si personi me një rol-kyç në zgjidhjen e mirë falë ndërmjetësimit midis NATO-s dhe UÇK-së së Kosovës, dhe mbi të gjitha duke mos pranuar asnjë shpërblim. Gjë që e habiti kryetarin e delegacionit Alfredo Mantici, një njeri me shumë përvojë dhe në lartësinë e misionit të tij. Një mision që iu ishte besuar këtyre këshilltarëve nga Romano Prodi, Kryeministër i Italisë, dhe nga Giorgio Napolitano, në atë kohë Ministër i Brendshëm, të mbështetur nga Presidenti Bill Clinton. Pasi verifikuan se nuk isha i lidhur me ndonjë rrjet spiunazhi dhe që shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e Shqipërisë dhe italianët kishin besim tek unë, ata më kërkuan të ndërmjetësoja midis NATO-s dhe UÇK-së së Kosovës që ishte konsideruar deri atëherë si terroriste pothuajse nga të gjithë… Ndodhi Lufta e Kosovës që shpëtoi jetën e më shumë se 500 mijë shqiptarëve të Kosovës, të cilët krimineli i luftës Milosheviç do t’i kishte vrarë, ashtu siç vrau 250 mijë boshnjakët. Të gjithë u gëzuan nga rezultatet e zgjidhjes së çështjes jugosllave që u dha lirinë mjaft popujve të cilët vuanin në këtë shtet mozaik të Jugoslavisë. Përveç familjes time dhe meje që, pas gëzimit, kemi vuajtur për kaq shumë vite në pritje të hakmarrjes tipike ballkanike nga ana e Miloseviçit… Por ne nuk u penduam, sepse ndoqëm rrugën e drejtë të Nënë Terezës, duke sfiduar të gjitha rreziqet dhe të gjitha sakrificat. Ne zbatuam një nga parimet e Nënë Terezës, për t’u dhënë gjithçka të tjerëve. Që të tjerët të përfitojnë nga ne.
Asamblea e Pëgjithshme aprovoi pranimin e UÇK-së së Kosovës në FMAC-Paris, me përjashtim të serbit. Dhe më spektakolarja e gjithë kësaj çështjeje ishte qëndrimi i mareshallit të Rusisë së Putinit, Aleksandër Efimov, dy herë hero i Bashkimit Sovjetik, me dy këmbë të prera, i cili gjatë luftës kishte rrëzuar me skuadriljen e tij 84 aeroplanë gjermanë. Ai abstenoi, një rast i jashtëzakonshëm ky, që një delegacion rus të mos votonte kundër Kosovës sipas asaj që urdhëron Putini. Në mbyllje të Asamblesë, mareshalli më pyeti nëse isha i kënaqur me votimin e tij. Unë iu përgjigja se vota e tij ishte një votë heroi. Në fakt ai përfaqësonte dhjetë milionë veteranë. Duke ndjekur shëmbullin e këmbënguljes së Nënë Terezës, këtë virtut që ia njohin të gjithë, unë fitova, po ashtu edhe njerëzimi fitoi, duke korrigjuar këtë gabim planetar.
Falemnderit sekretarit të përgjithshëm të FMAC, Z.Benjaloun i cili më përgëzoi me shkrim për suksesin tim në Kopenhagë. Kjo, në emër të të gjitha Organizatave të ish-Luftëtarëve të mbarë botës, që ishin të pranishëm atje. Unë në Kopenhagë luftova kundër çdo padrejtësie siç do të kishte bërë Nënë Tereza. Meqë fati nuk e deshi që ajo të ishte e pranishme në përurimin e bustit të Skënderbeut në Gjenevë, sipas mesazhit të saj, Shoqata jonë ndërkombëtare Solidest, e cila ngriti bustin e Skënderbut në Gjenevën ndërkombëtare, do të ngrejë edhe statujën e Nënë Terezës në Strasburg, kryeqyteti i Evropës. Ne kemi konkretizuar kështu deklaratën që Nënë Tereza, ky personalitet që i takon gjithë njerëzimit, bëri në Oslo, ditën kur iu dha Çmimi Nobel për Paqen : « Nga gjaku, jam shqiptare ».
Astrit Leka




























Leave a Reply