Lejleku, këmbët e gjata të ankthit.
Ese nga (Hamdi) Erjon Muça
Herë pas here rihap tregime, më së shumti, që i kam lexuar edhe më parë. Jo të gjitha, vetëm ato që për një arsye apo tjetrën më ngacmojnë kujtesën; e tashmia është gjithnjë e mbarrsur me të shkuar…
Duke sjellë nëpër mendje tregimin “Strofkulla” të Kafkës, por edhe gjatë bisedave që pata me një mik, mu ngulit thellë në mendje, ankthi monstruoz që rjedh në radhët e tregimit. Ankth përthithës, që emigron nga qelizat e kafshës fiktive, tek qelizat e lexuesit dhe e shoqëron atë në çdo fjali…
Sa e madhërishme është trama e atij tregimi; një kafshë që jeton me sindromën e ankthit të një pushtimi të strofkullës së vet nga ana e ndonjë kafshe tjetër. Ankth që nuk i shqitet as kur del jashtë saj dhe kërkon të rikthehet brenda. Njeriu futet brenda kafshës vetëm e vetëm për ti yshtur në ankth lexuesit, njerëz…
E duke rikujtuar këtë subjekt të hatashëm, më erdhi në mendje tregimi “Lejleku” i mikut tim Fatmir Minguli.
Ai ka përgatitur për mua një vëllim me tregime, ende të pabotuara, me titull, “Shtëpia në rrugicë”; nuk janë botuar në një vëllim si libër sepse në shtypin e shkruar janë botuar.
Tregimi i Mingulit nuk e ka strukturën e Strofkullës së kafkës; ai më tepër merret me kujtimin e vet dhe mbi ndjesitë që i jep ky lloj shpendi. Tregon histori gati surreale me këtë shpend dhe me të burgosur; është një lloj kritike letrare që i bëhet shoqërisë shqiptare, që e yshtur nga idiotizmi po shkatërrojnë natyrën e vendit tonë, e si pasojë e kësajë ajo po braktiset nga kolonitë e Lejlekëve dhe jo vetëm…
Ajo që e lidh këtë tregim me Strofkullën e Kafkës, është një histori brenda historisë. Nuk e di nëse ka ndodhur me të vërtetë apo është invencion i Mingulit, por edhe në qoftë gjetie, është e llahtarshme dhe e ankthshme; e denjë për emrin Kafka.
Një çift lejlekësh në majë të një shtylle duke pritur lindjen e zogut të vetëm; të të ardhmes vijueshmërisë së species. Poshtë tyre jeta e rrëmujëshme njerëzore; një rrëmujë idiote e pakuptimtë. Një nga njerëzortë për të ndyrshuar paksa monotoninë e jetës, vendos të ndryshojë rjedhën e jetës së një specie tjetër; i ndërron vezën lejlekut me një vezë rose. Qenia supreme, idiote, njerëzore mendon se mund të ndërhyjë kudo, kurdo që t’i teket. Vetëm kaq sa thashë dhe është po aq absurde dhe e ankthshme sa çjanë edhe tramat e hatashme të Kafkës. Po ja që historia vijon dhe ankthi nuk ka rrugë tjetër përpos shtimit.
Veza thyhet dhe del në dritë zogu i rosës. Lejlekët habiten; domosdo ata nuk janë si njerëzit që kanë nevojë për analizat e ADN, që të kuptojnë në po rrisin fëmijët e tyre apo jo. Nga një jetë e lumtur, e mbyllur në rrethin martesor të tyre, brenda detyrimit familjar, jetësor të vijueshmërisë së species, ajo kthehet në një dramë të hatashme filozofike dhe psikologjike. Lejleku që vështron herë zogun e herë parteneren; ose nuk duhet t’u besojë syve, ose partneres. Nuk ka se si të dijë që ajo që po sheh është as më pak e as më shumë se sa një shaka idiote prej majmunësh të evoluar; por deri diku ama. Partneria mban kryet ulur, ndihet në faj, për një faj që nuk ka bërë kurrë; ndoshta nuk ndihet në faj vetëm se mundohet të thërrasë në ndihmë, ndosha forcat supreme që kushtëzojnë konceptet jetësore të tyre…
Vetëm se forca supreme nuk i vjen në ndihmë dhe të gjitha provat flasin për tradhëtinë e saj; është një e paradestinuar për të marrë dënimin suprem.
Lejleku mashkull nuk ndihet i sigurt në dyshimet e veta; ndoshta gjithsa sheh është thjeshtë një iluzion. Kështuqë në skenë futet edhe një çift tjetër lejlekësh; gjykatësit e paanshëm, ata që nuk janë të prekur prsonalisht nga kjo lloj gjëmëshaka, duhet medoemos të japin gjykim të paanshëm dhe të drejtë. Nis gjyqi, e pandehura merret në pyetje, por përpos të gjitha kundërshtimeve të drejta të saj, prova lëvizëse thotë të kundërtën; dënohet me vdekje dhe ekzekutohet. Mënya e ekzekutimit është e egër; nuk ka asnjë aty pranë që të thotë: Kush është pa mëkat të qëllojë i pari. Lejlekët nuk e vdesin të dënuarën; bie nga foleja e plagosur.
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Dhe kështu kjo komedi
na plasi dellin e gazit
nsa prej marazit
pëlcasim.
E lidha me kët strofë absurde të Migjenit, sepse njerëzorët, autorët e shakasë pa kripë, mundohen të kujdesen për lejlekun femër të plagosur; duan t’ia shpëtojnë jetën pasi ia kanë shkatërruar atë.
A nuk është tamam ironi njerëzore?!
Ajo e gjorë nuk mund t’i shpëtojë plagëve; si fizike ashtu edhe shpirtërore…
Njeriu metamorfoza më monstruoze e natyrës; kafshë me koncepte hyjnore…
E mbas këtij tregimi u yshta të lexoja edhe të tjerë, siç është përshembull “Lulia e vogël”, “Delifinët Durrsakë” madje edhe vetë tregimi “Shtëpia në rrugicë” nga i cili merr emër vëllimi, ka në vetvete thelb absurdi kafkian. Madje edhe titulli është shprehje e ankthit ekzistencial. Shtëpia në rrugicë; diçka e madhe për botkuptimin njerëzor, siç është shtëpia, në brendësi të një ambjenti të vogël, siç është një rrugicë përballë konceptit qytetar, krahinor, shtetëror, tokësor dhe pse jo universal…
Jam i bindur se librat duhet të lexohen të paktën tre herë njëri, pasi duhet ta shohësh një rrëfim në tre epoka të ndryshme të pjekies hormonale; vetëm atëherë do e keshë të plotë tabllonë artistike dhe rëndësinë funksionale të artit të çdo artisti.
Të lutem miku im botoje sa më parë këtë përmbledhje; na duhet…
Pisa, Itali
18-09-2016




























Leave a Reply