Cikël me poezi nga Jusuf Zenunaj

 

Jusuf Zenunaj

Cikël me poezi nga Jusuf Zenunaj

 

 

Hijet e Zeza 

 

Shëtisin nëpër kohë hijet e zeza,

dritën e diellit në korb e shëndërrojnë,

kur dëgjojnë klithmat e viktimave të veta

u rriten shpresat se do t’u zgjatet jeta.

Hijet e zeza në gjak notojnë,

kurrë nuk ngopen,

s’pushojnë as ditën, as natën

për fitore festojnë disfatën!

Bruksel, 11 mars 2002

 

 

KUVENDI I PEJËS

( Haxhi Zekës )

 

S’u betua veç një burrë,

u betuan kullat në kullë,

me emrin gur, për emrin mur.

Haxhiu thonë s’pati fëmijë?

Emrin ia ruan kullë e tij.

Prishtinë, më 1980

 

 

KTHIMI I KANJUSHËS SË VERDHË

(Me rastin e kthimit të eshtrave të Jusuf Gërvallës në vendlindje)

 

Kanjusha e Verdhë

pas njëzet vjetësh

kthehet në Dubovikë,

bilbili nga varret

kurrë më s’do të ikë.

Nënës Ajshe

do t’i qeshen rrudhat,

prej tingujve

të kitares së ndryshkur,

do të ushtojë fusha,

do të dridhet kulla.

Bruksel, janar 2002

 

 

NË PEJË NUK FLITET MË SHQIP

 

Që kur u krijua njerëzimi në Pejë flitej shqip,

sot nuk ka buzëqeshje nuk qajnë as fëmijët,

prej vatrave të tyre i dëbuan shkijët,

dëshmi e masakrës veç njerëzit e pavarrosur,

tërbimi i bishës, vallë, a ka të sosur ?!

Peja pa shqiptarë!!!- i përgjakur Lumbardhi,

fushat janë djegur është shkrumuar mali.

Ngjyrën e ka ndërruar edhe Drini Plak,

Kosova po zbrazet nga dora gjakatare,

në Pejën e lashtë kanë ngelur vetëm varret.

Fati i Sipararuntit ndjek fshatra e qytete të tjera,

kush tha se në Rugovë na paska dalë pranvera?!

 

 

SI KËNDONTE POETI PËR KOSOVEN

Poetit Çelë Bardhajt,

 

Sot një muaj kujt ia fale dhembjet ?

Ndërrimjetës, tokës apo poezisë ?

Lahutës ndoshta ia dhurove vargun,

cilën këngë ia fale çiftelisë ?

Kollën ndoshta ta vodhi erëbjeshka,

shikimin e shtjerrur për t’ia kthyer

fushës së përgjakur

Lumbardhi,

poetët që do të vijnë,

do ta marrin vesh

se edhe pa dritë të syve,

vargje për Kosovën

këndonte Celë Bardhi….

 

 

JU KORBA MJAFT BËTË HIJE

 

Hije u bëni edhe fëmijëve në djep

në teh bajonete sytë ua peshoni

me gaz në dhëmbë e shfryni egërsinë

luftërave të humbura kërkoni lavdinë !

Natës së këtij shekulli,

jetën kot ia zgjasni,

me gjakun tonë dita po agon.

Akrepat e orës së zezë i shlyen kuqëlimi,

as kenga me s’këndohet pa krushq,

rrugën ia hap Flamuri i kuq.

Ju korba mjaft bëtë hije,

mos na zini më diellin,

lereni të qetë të këndojë

në çerdhen e vet bilbili.

 

 

STUHIA

 

Degët e lisave i theu stuhia në mesnatë,

po rrjedhën s’ia ndërroi lumit të gjatë,

veç shtratin ia rriti nê fushat e pafund,

kur nënat fëmijët i vënin në gjumë.

Gurgullima e lumit u shndërrua në oshëtimë,

vajet në djepa u përtrinë,

e një nënë lutej për fëmijën

t’i presë pranverat që do të vijnë.

Shiu e ndiqte mbrapa vetëtimën,

as ariu s’e dinte në ishte verë apo dimër.

I ishin ngatërruar mali e fusha,

bariu vëzhgonte nga i vajti tufa.

Stuhia zgjati, zgjati, pas saj doli dielli,

mes varreve këngës ia tha bilbili.

Ata që mbetën thanë:”Erdhi pranvera,

as gurin s’e rrëzojnë stuhitë e tjera.”

 

 

KOHA DO T’JUA ZHVESH MITET

 

Zemren në djep,

djepin në shpinë ,

karpatianë mësyet Ilirinë.

Koha njerkë për ne,

shekujt s’mundet më t’i shkelë

mitet pa jua zhveshur ju,

dielli ma nuk del.

 

 

VEÇ ËNDRRËN E KANË TË GJALLË

 

Zemrat i hapem për shqiponjën

zjarr të marrë në zemrat tona,

përpara se t’i hapte krahët

stuhitë t’i çajë,

ne morem emrin e saj,

sa shekuj u bënë

djalli s’mundi të na ndajë.

Ata që na i këpusin lulet,

të vdekur janë përpara së të vdesin ,

veç endrrën e kanë të gjallë

heronj të mbesin.

A ngrehen kullat e lavdisë

mbi gjakun e fëmijës.

 

 

KUR DO TË LIND DIELLI QË S’E PAMË KURRË

 

Mjegulla qindvjeçare

helmon lule, lumenj e bar,

gërryen zemra tek u lëshon pelin,

qumështin e nënave,

fëmijëve në buzë ua ngrin,

kur do të lindë dielli që s’e pamë kurrë

si mbeturinat në vullkan, mjegulla do të digjet,

bashkë me vesën do të hiqet.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s