Poezi nga Gerta Bandilli

 

gerta bandilli

Poezi nga Gerta Bandilli

 

 

MARATONOMAKU I FUNDIT

 

Nga  Maratona u nis ushtar’ i fundit

Drejt lajmit të fitores

Nga dashuria për njerëzit.

 

Hermesi  i  kurseu  flatra-sandalet!

 

Vallë kush e priste fitoren ?!

Fantazma të përgjumura ndjekin

Përmes kohrash dhimbjen.

 

Fryma e vdekjes udhëton shpejt!

 

Askush nuk u habit për fitoren

E pritur gjatë, kish sosur në beteja

Durimi i  pritjes së triumfit.

 

Kalorësi i dashurisë është i paarmatosur

 

 

 

LULEDELJA

 

Lëndinë e blertë

lagur nga fjolla drite

si ëndërr.

Margaritar’ i luledeles

ndrit duke thithur ajrin:

-Më do!

-S’më do…..

Trembem!

Përsëri nga e para.

-S’më do!

-Më do………

Ajri vaket mbi petla të bardha

shtrirë në lëndinë.

Bardhësi ëndrre.

Fasha drite bien mbi buzë:

-Më do !

-S’më do ……

Po bie muzgu………….

 

 

HUTIM

 

Unë nuk e di më ku jam!

Toka laget rrugicave të heshtjes,

çadra e ruan nga shigjeta

perëndimesh të shuara.

Të mbrohem

nga nata?!

Nga shiu ?!

Apo shtegtimi?!

Tani? Po si?

Pastaj?

Mos është vonë?

Mekanizmi që lëviz kockat

është ndryshkur.

Padëshira e ndryshimit

na çon në mosjetë.

Kudo, nga pak dhe

gjithmonë

është dikush që projekton

mosnjohjen e vetes.

 

 

PËRDITSHMËRI

 

E presim ditën sapo dielli e pikon prej qiellit.

Planet e së djeshmes i përmbysim me një shikim

nga dritarja ku një ditë më parë

kemi mbështetur hidhërimin e shpirtit.

Në pasqyrë thyejmë trazimin e syrit ,

tek sheh fytyrën e brishtë që natën

e shkuar e puthi dashuria.

Pastaj vishemi shpejt e shpejt duke bluar

pyetjet e pafundme te ekzistencës së ditës:

Çfarë ka pas të nesërmes?

Cili ylber lidh brigjet e panjohura të mendimeve?

Kur do të marr sërish letrën e mallit ?

Në çfarë do të shndërrohet shpirti im pas vdekjes?

Pa fund pyetjet si frikërat njerëzore,

që mbyllin ditën e lodhur

dhe lënë pas rrebeshe, përshëndetje, qeshje,

dhimbje, lot , takime, befasi e buzëqeshje.

Në shtratin e butë të ëndrrës së kaltër,

asgjë nuk marr me vete përveç paqes

të yjeve që vështrojnë përgjumur ditën që shkoi.

 

 

KËPUCËT E KUQE

 

Rruga ku kalonte ajo,

ishte po aq e drejtë

sa këmba e saj,

mbathur me këpucë të kuqe.

Rruga ku kalonte ajo,

ishte po aq e trishtuar,

sa sytë e saj

fshehur pas rimelit të zi.

Rruga ku kalonte ajo,

ishte e mbushur me copa

nga netët e vetmuara të saj,

mërguar me klithma të gjata.

Rruga ku kalonte ajo ,

ishte dhe rruga ime,

ku takoja çdo gjë,

që pas kishte mbetur.

Prandaj e desha këtë rrugë;

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s