Zanore në vesë – Mai Văn Phấn / Përkthimi dhe Hyrja nga Dr. Gjekë Marinaj

f-1

Zanore në vesë

 

Mai Văn Phấn

Përkthimi dhe Hyrja nga Dr. Gjekë Marinaj

 

Nga fillimi deri në fund të leximit të këtyre poezive, lexuesi gjendet në prezencën e vetëdijes njerëzore në këmbim  me substancën e natyrës. Në këtë këmbim të thellë natyra njerëzore dhe “natyra ekstreme” janë të unifikuara në një panoramë poetike të estetikës dhe intensitetit.

   -Raymond P. Keen (Amerikë)

 

 

Kemi të bëjmë me një vështrim të rrallë në botën e brendshme të poetit ku esenca natyrale, shpirtërore dhe kulturore e peizazhit vietnamez fuqizon njëherësh mendimet dhe poezitë e tij. Kjo është një pasuri domethënëse e çështjeve personale, praktike, shpirtërore dhe emocionale.  Kreativiteti i tij është i gjallë në gjuhen dhe misterin e fjalëve. Këto poezi na tregojnë se të shkruarit është një mënyrë e jetës për poetin Mai Văn Phấn.

     -Katy Miller (Angli)

 

Dritën e kthimit të individualitetit tek uniteti i rilindjes së një ëndrre e gjejmë të shpërndarë si në vizionin poetik ashtu edhe në thellësi të poezisë së poetit Mai Văn Phấn. Magjia e natyrës hapet me sekretet e shpërndara përmes shqisës së gjallë të poetit.

 

-Dương Kiều Minh (poet vietnamez)

 

Nëse fjalët do të ishin ambasadorë, Mai Văn Phấn ka ndërgjegjësimin dhe pasionin për poezinë e sotme. Përveç talentit, pasionit, prejardhjes kulturore, njohurive dhe qetësisë gjatë kompozimit, ai është dhe një poet i guximshëm. Ai kompozon poezi si një artist në një litar të hollë, por gjithmonë i sigurt se do e arrijë destinacionin e tij.

– Đình Kính (Shkrimtar Vietnamez)

 

 

Në unitet, poezia e poetit Mai Văn Phấn prek vetëdijen e  lartë të humanizmit.

 

    -Dr. Văn Giá (Profesor Vietnamez)

 

Mai Văn Phấn ecën përpara ashtu siç ecën përpara atdheu i tij. Ai bëhet pjesë e ndryshimit social. Siç është thënë, sa më e madhe goditja e poetit aq më e madhe dhe më e veçantë është shpërndarja e atmosferës dhe e efekteve të saj poetike. Ai skicon strukturën sociale dhe natyrore sipas bindjeve të tij.

 

            -Susan Blanshard (Botuese në Angli)

 

 

METAMORFOZA E ÇUDITSHME POETIKE E POETIT MAI VĂN PHẤN

 

    —Hyrje

 

 

 marinaj

Gjekë Marinaj

 

 

Krijimtaria e poetit vietnamez Mai Văn Phấn (Mai Van Fan) ka fituar mirënjohje kolatike brenda dhe jashtë atdheut të tij, Vietnamit. Ai ka botuar 15 vëllime me poezi gjatë këtyre njëzet viteve të fundit. Ndonëse “Zanore në vesë” është një përzgjedhje modeste nga krijimtaria e tij mbresëlënëse, ajo i ofron lexuesit shqiptar një nocion të konsiderueshëm të poetikës së tij krejt të veçantë. Ai është mjeshtër i anatomisë poetike, vëzhgues inteligjent i shpirtit njerëzor edhe piktor i peizazhit natyror të atdheut të tij. Mai Văn Phấn na gjallëron me sofistikimin e gjuhës dhe përdorimin mjeshtëror të metaforave dhe imazheve në poezi pa na shkëputur nga prezenca e botës reale dhe sfidat e jetës së përditshme. Ai ia ka dedikuar jetën artistike kompozimit të poezisë për të reflektuar jo vetëm në realitetin e vendit dhe popullit të tij por edhe në sfidat e gjithë jetës njerëzore. Ai shkruan për dashurinë, bukurinë, dhimbjen dhe metamorfozën e pandalshme të cikleve të natyrës, shpeshherë kondensuar në të njëjtat vargje.

I shkolluar në Hanoi e më pas në Minks, Mai Văn Phấn nuk është një poet i thjeshtë provincial. Këndvështrimi i tij kundrejt humanizmit është i gjerë dhe kuptimplotë; poezia e tij fton lexuesin të udhëtojë jo vetëm në vendlindjen e tij përgjatë Deltës së Lumit të Kuq në Vietnamin e Veriut, por edhe në thellësi, tek labirintet e atij peizazhi që na udhëheq drejt dashurisë, familjes dhe emocioneve të thella që formojnë bazamentet e brendshme të jetës sonë.

Si produkt i një poeti të nderuar me disa çmime letrare, i cili në vitin 2010 fitoi edhe çmimin prestigjioz të Shoqatës së Shkrimtarëve të Vietnamit për Letërsinë, poezitë e përmbledhura në këtë vëllim janë njëkohësisht të sofistikuara dhe të rezervuara. Ky libër ka potencial të jetë një shtesë e mirëpritur në bibliotekën e çdo dashamirësi të poezisë.

 

gj-2

 

Një numër i konsiderueshëm temash marrin jetë në lëndën poetike të poetit Mai Văn Phấn, përfshi këtu edhe kënaqësitë shqisore të atdheut të vet. Në një poezi dedikuar miqve shkrimtarë dhe redaktorë Susan dhe Bruce Blanshard, ai përshkruan një skenë natyrale dhe agimore joshëse. Poezia, titulluar “Tek rrënjët e botës,” shpalos meditime si për të kaluarën ashtu dhe për të ardhmen duke qëndruar tërësisht e rrënjëzuar në momentin e së tanishmes. Poezia lajmëron ardhjen e ditës dhe sqaron në rreshtin tjetër se ajo nuk është vetëm dritë, është drita e parë e ditës, një mundësi e re shtegtimi: “Agimi nis që andej / ndrit këmbët e kodrës, një rrugëdalje pylli / zogjtë shtegtojnë herët në mëngjes…” Toni paqësor vazhdon tek folësi i poezisë që imagjinon takimin me të dashurën në një kafene: “e vërtet, shumë e vërtet / të gjithë ne kemi lindur atje.” Ky perceptim na bën të fitojmë bindjen se në fjalën “ne” Mai Văn Phấn përfshin të gjithë lexuesit e tij dhe se ajo vendlindje mund të gjendet jo vetëm në Vietnam, por në çdo vend tjetër ku mund të shijohet bukuria e diellit rrezeartë para takimit me dikë që dashurojmë.

Peizazhi është tërësisht depërtues në këto poezi, madje edhe kur shërben vetëm si sfond për temat e tjera më të gjëra. Në dinamikën [e poezisë së] titulluar “Në majë të shtyllave” Mai Văn Phấn përfshin këtë imazh për të krijuar nocionin e ndërlidhjes dhe lidhjes humane: “papritur një krah fluture çeli në teh të shkëmbit / Krahët rozë ia bënë pendët të dridhen.” Metafora bëhet vërtet ngadhënjyese — ne menjëherë e gjejmë vetën duke menduar në “teh” rreth krahëve të fluturës — në të njëjtën kohë mbetemi të befasuar nga kontrasti i krahëve të saj delikatë me imazhin e vrazhdë të shkëmbit. Mai Văn Phấn triumfon përball  këtij metaforizmi dhe ky paralelizëm dëshpërues i imazheve ndikon në zgjerimin e botës së poezisë së tij dhe e ndihmon atë ta zgjasë mbërritjen poetike drejt një komuniteti më të gjerë global.

Vlen të përmendet se peizazhet trajtohen me të njëjtin kujdes autorial që trajtohen elementet e tjera natyrale në këto poezi. Shiu është padyshim instrumental dhe shfaqet herë pas here me shumë tipare të ndryshme, në varësi të gjendjes shpirtërore që ofron poezia. Në një poezi, titulli i secilës na jep përshtypjen e ushtimës së një meditimi të mëparshëm në agim, “Pa dashje në diellin e mëngjesit,” shpalos një narrativë të shkurtër dhe të thjeshtë që përshkruan folësin që ecën më këmbë pas rënies së shiut duke menduar për të dashurën. Në strofën parafundore lexojmë: “Një shi i rëndë, vërtet i rëndë / I kishte bërë dush guralecit të vogël / Ky imazh i veçantë me vetveten / më bëri çmendurisht të kënaqur me jetën.” Mai Văn Phấn duket se i shkruan të gjitha poezitë nga kjo pikë e ekstazës së pastër. Ai gëzon me gjuhën, botën natyrale dhe vargjet e tij të çiltra duke na dhënë të dyja si lartësitë artistike ashtu edhe respektin e thellë për mrekullitë e natyrës dhe që andej humanizmit.

 

mai-van-phan-6

Mai Văn Phấn

 

Shiu si lajtmotiv përgjatë poezive i jep kësaj përmbledhje një kualitet të vërtet meditativ. Aq sa na ngjan sikur Mai Văn Phấn përpiqet të na qetësojë me ninulla poetike dhe me premtimin e kalimit të një pasditeje brenda dyerve, duke shikuar nga dritaret, mes intervaleve të krijimit të poezive të tij.  Por Mai Văn Phấn nuk mund të kënaqet thjeshtë duke na sjellë poezi komode, në kontrast ai instrumentalizon një shumëllojshmëri elementesh natyrale për efekte artistike duke krijuar një sërë emocionesh. Me titullin e thjeshtë të poezisë “Nga pikat e shiut,” Mai Văn Phấn na befason me kuptimësinë tonë tipike të rënies së shiut. Ai përdorur një gjuhë të gjallë dhe të individualizuar për të na sugjeruar ta shohim shiun përmes syve të tij: ” Pikat e shiut bien të prera dhe të mprehta.” Ky varg na tërheq menjëherë vëmendjen, për një pikëpamje të veçantë të shiut, për çuditërinë që zgjon dhe për gjendjen emocionale që i krijon folësit të poezisë. Më tej, në të njëjtën poezi, folësi i poezisë poetizon pikat e shiut si rruaza shtesë gjaku në arteriet e tij poetike: “U kthyen në guralecë dhe më përshkuan gjithë trupin.” Kjo ide njëkohësisht komunikon një perspektivë të veçantë të një fenomeni të njohur natyral edhe përshkruan një gjendje mendore të përshtatshme, atë të një njeriu që ndjehet sikur bota po e shkel përdhe nga të gjitha anët, madje edhe nga qielli që normalisht besojmë se mund të na falë për veprimet që ndërmarrim.

Si një shembull final i përdorimit të shkëlqyer të imazheve nga Mai Văn Phấn, le të kthehemi tek poezia “Supozim.” Poezia është një meditim ëndërror që përdor shiun si kllapi për të kthyer folësin e poezisë nga zgjimi i plotë në përgjumje: “Filloi shiu / unë dhe qeni filluam të ëndërrojmë.” Përdorimi i shiut për të dalluar tranzicion nga zgjimi tek përgjumësia është sensacional. Mai Văn Phấn bën një punë admiruese në kapjen e realitetit të jetës së tij të përditshme si dhe të gjithë atyre që jetojnë në Vietnam. Ai e bën këtë me aq finesë sa pasuria e botës së brendshme emocionale kthehet pa zhurmë në një dukuri kreative.

Por madhështinë në poezinë e poetit Mai Văn Phấn e gjejmë veçanërisht në pikën ku kryqëzohen konkretja me abstrakten. Ai nuk e kufizon veten as duke regjistruar me saktësi peizazhe të bukura natyrore as duke i dorëzuar kompozimet e tij në platformat abstrakte pa asnjë semblencë [ngjashmëri, qasje] me realitetin. Në kontrast ai e njëson botën e trupit me botën e shpirtit në atë mënyrë sa na bën të ndjehemi pjesë e të dyjave, si e imazheve të spikatura ashtu edhe të ndjenjës humane gjatë baticave dhe zbaticave të ndjenjave tona njerëzore.

Mai Văn Phấn duket se i ushqen këto nocione në mjaft poezi duke njëtrajtësuar dashuritë romantike me bukuritë e botës natyrale. Në një poezi të këndshme dhe joshëse titulluar “Aty ku qielli është i gjerë,” folësi i poezisë i thotë së dashurës “… lëkura të shkëlqen si fytyra e hënës / Fryti i ëmbël dhe shkëlqimi i artë i orizoreve si shpina e hënës.” Duke përdorur reminishenca dhe metafora, Mai Văn Phấn njëllojtëson dashurinë romantike me bukurinë natyrale dhe krahason si të dashurën ashtu edhe mrekullitë natyrore të Vietnamit me shkëlqimin e “fytyrës” dhe “shpinës” së hënës. Ky krahasim metaforik ushton edhe në disa poezi të tjera të cilat lartësojnë sinqeritetin e dashurisë romantike dhe ndjenjën e kënaqësisë së kalimit të kohës me të dashurën në vende të përshtatshme me bukuri magjepse.

Nganjëherë lozonjar, Mai Văn Phấn vë në punë mjeshtërinë e tij për të paraqitur metafora të papritura që anojnë drejt joshjes dhe ekstazës. Në “Frynë erë,” një tjetër poezi që sjell në të njëjtën platformë romancën dhe natyrën, folësi i poezisë i drejtohet së dashurës së tij duke poetizuar: “si në ëndërr më ngjitesh pas trupit / fishkëllen tek dren të gjitha sythet e reja.” Imazhi është lozonjar dhe joshës kundrejt intimitetit të dashurisë romantike dhe ushton me “ëndje” përgjatë panoramës gjelbëruese që Mai Văn Phấn e bën edhe më piktoreske. Po kështu në “Pata të drejtën të mendoj për çfarë dëshirova,” një poezi më e gjatë plot metafora të pasura e folje aktive që i lëvizin vargjet me shkathtësi për tek konkluzione më të buta e më delikate se zakonisht, Mai Văn Phấn vazhdon të farkëtojë konjuktura krijuese përmes përsëritjes dhe metaforës: ” Rrodhi gojës time / përkulja juaj / Duke spërkatur qumësht aromatik ose gjelbërim të ri.” Me trajtimin e meditimeve dhe kënaqësive romantike si pjesë e botës natyrale Mai Văn Phấn reflekton një ndjeshmëri të ekuilibruar e cila na mundëson hyrjen tek natyra e punës gjatë përdorimit të fuqisë së tij më të lartë krijuese.

Në një intervistë botuar në vitin 2000 në Hai Phong Weekend Journal, Mai Văn Phấn flet për procesin e vet krijues duke pohuar se “vetë poezia ma ka mësuar mënyrën e të rishkruarit të saj.” Duke ndjekur nga afër vizionin e vet poetik, Mai Văn Phấn ka krijuar poezi që përfaqësojnë më së miri këndvështrimin e tij unik dhe perceptimin e pastër krijues. Ai përdor reminishenca, metafora dhe imazhe të fuqishme kudo në poezinë e tij, por secila poezi dikton kushtet e veta. Nganjëherë toni i poezisë në ketë përmbledhje është reverential dhe i qetë; herë të tjera është më energjik dhe shpërthyes. Në të njëjtën intervistë në Hai Phong Weekend Journal, Mai Văn Phấn ka thënë se ia nuk merakoset shumë për lexues specifik. Ai ka shtuar se është më e rëndësishme të “dëgjojnë zemrën e dikujt të dridhet me ndjeshmëri të thellë emocionale” kur kompozon një pjesë poetike për të arritur të komunikojnë plotësisht “të kaluarën, të tashmen… dhe shtresat e shumëfishta të së ardhmes.” Pavarësisht temës apo tonit dominues poetik, çdo varg në këtë libër është një mundësi bashkëpërjetimi shpirtëror dhe komunikimi njerëzor me sytë, mendjen, dhe shpirtin artistik të poetit Mai Văn Phấn.

Dashuria, bota natyrale, dhe mirënjohja e thellë për mundësinë e përjetimit të plotë të kënaqësisë sensacionale, janë disa nga shenjat dalluese të poezive të kësaj përmbledhje poetike nga krijimtaria e përgjithshme e poetit Vietnamez Mai Văn Phấn. “Zanore në vesë” e vendos lexuesin në një mocion stinor grabutal? nga pranvera tek vjeshta dhe anasjelltas. Mai Văn Phấn hulumton në thellësi ndërveprimet kuptimplote që shpresojmë të kemi në jetë, të cilat i bëjnë këto poezi të besueshme dhe tërësisht globale në hapësirën e tyre. Një poet i vendit të tij dhe njëkohësisht i gjithë botës, Mai Văn Phấn vë në shërbim të poezisë një gjuhë të sofistikuar dhe një mekanizëm poetik të ndërtuar me kujdes, por në të njëjtën kohë duke u paraqitur i qartë dhe i kuptueshëm në të gjitha nivelet e lexuesve.

Këto poezi reflektojnë esencën e poetit Mai Văn Phấn si krijues i një metamorfoze të çuditshme poetike dhe na ftojnë të bëhemi pjesë e vizionit të tij. Në njërën prej shumë poezive që shpalos efektet e vizionit metamorfik kundrejt begatisë me natyrën, titulluar “Këngët e të vjelave,” ai shkuan: “Dheu i ligshtë bymyer me agim i ofroi tokës një fytyrë / Me bimë entuziaste dhe pemë të shkujdesura.”  Këtë herë agimi paraqitet në një formë te re, ku momentet e para të ditës kanë lidhje të përhershme me vlerat gjeografike. Imazhi i tokës, të cilit poeti i ofron një “fytyrë” shtesë me gjelbërim të theksuar, është njëherësh befasues dhe tërësisht i njohur. Kjo shtresë artistike demonstron respektin e ndjeshëm të poetit Mai Văn Phấn për humanizmin dhe për çdo aspekt të kulturës vietnameze. Ai madje personifikon edhe atdheun e tij në një fenomen social me “fytyrë” krejt natyrale që të na përshëndesë. Tamam si toka e tij, edhe” Zanore në vesë” na ofron “fytyrën” e vet poetike për kënaqësinë, meditimin dhe reflektimin e lexuesit shqiptar anekënd botës.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s