Poezi nga Irsa Ruçi

 

irsa-ruci

Poezi nga Irsa Ruçi

 

 

Vetja e Tjetrit

 

Më trembin erërat që fryjnë mbi këtë kohë të paqartë
jetuar në mjegull
pa “pse?”
duke kërkuar shkakun tek Tjetri:
Lumturi e huaj
vuajtje e huaj
tradhti e huaj
vetja e zgjedhuar në formë të paformtë
huazuar prej vuajtjes!

 

Më tremb pamja që më shohin përditë sytë
njerëz të mbytur në mllef
tërhequr tek plogështi e lakmisë
patrajtë, e mbrapshtë;

 

Oh… me fjalë do shkatërroj barrikadat:
Mjaft më!
Jepini jetës mundësinë
ta gjejë lumturinë në ajër,
të luftojë për lirinë me forcën e ndjenjave
të fitojë madhështinë e të qenit
NJERI.

 

Fatin ta caktojnë Zeusat
poshtë, shumë poshtë përgjumen qeniet
përlyer me llumin e varfërisë
pa zhurmë,
pa zhurmë?!

 

Ndërsa përtej gardhit prehen poetët
që mes ëndrrash i rebelohen vetes së Tjetrit!

 

© Irsa Ruçi

 

 

Pa zhurmë

 

Do marr fatin tim mbi kurriz
e do shkoj
diku… ku të mos e di as vetë
pa pengje, me një tufë lotësh
dhe me botën që më mbarsi
mes prapësisë!

 

Do i mbyll sytë për t’u arratisur
pa kthim:
unë fëmijë djepesh të thyer
aroma e vajzërisë
unë femra
përulur prej dashurisë!

 

Në ç’ drejtim do udhëtoj?
Mbase drejt zemrës
se largimet janë përherë emocione që lëndojnë
thelbin, thembrën e Akilit
kështjellat gjithmonë bien nga brenda
fitoret janë lavdi të mundura:
Askush nuk fiton në një lojë humbësish
veç egos
dhe vështrimeve që i mund kujtesa…

 

Jam ikje e paqtë
mall, furtunë, imazh
vetja më kthen nga rruga
qëndron ajo dhe kur unë nuk jam…

 

© Irsa Ruçi

 

 

Frymë…

 

Një tjetër vit i pret ëndrrat në lindje
mëngjeset i zbardh me fjalët e ngrira në ajër
jehonë e vazhdimësisë;
vetëm zemra e kthen të ftohtin në frymë
prej qielli bien vargje, këngët janë
melodi e rritjes së fëmijëve në botën e paqtë.

 

Pemët i thau koha, kjo kohë që trembet të ecë
përhumbur në melankoli, dehje, çaste idilike
…oh, unë s’rend dot kaq shpejt mes këtij morti dimëror
ku dhe malet fshihen pas mjegullës
siç fshihet pas duarve skuqja e fytyrës së një vashe
teksa emocionet rinore përjeton.

 

Qyteti është një anije, lundron në ujëra të trazuar
valët e lirizmit mbështjellin agoninë,
zogjtë e thyejnë bardhësinë e qiellit
për të gjetur udhën tek ajo rreze dielli
që i premton parajsën tokës.

 

Këtë mbrëmje jam strukur në timen vetmi
pak verë, ulur pranë oxhakut, dëgjoj erën që fërshëllen pas xhamave
ndërsa shijoj disa poezi,
dimri është një përrallë sa për të prishur monotoninë
ftohtësia ndihet veç kur ka ftohtë shpirti…

 

© Irsa Ruçi

 

 

Përhumbje

 

Vetmia është gjurma e një këmbe të zbathur
gdhendur mes pluhurit të atij sokaku
nga ku vitet kanë lënë mosgjënë
si dëshmi ekzistence.

 

Akrepat e orës ecin mbrapsht, realiteti ndrydhet
në fytyrat imcake të urisë
për vëmendje
për prani
për t’i dhënë zhgënjimit diçka më pak
se fatin jetim
që trashëgoi në luftë hienash
at’ mot të ftohtë shekullit të ri!

 

Lulja e qershisë ka nisur të çelë më herët
tashmë askush s’kujtohet të mbledhë kokrrat
që dikur shijoheshin prej këputjeve fëmijnore,
veç harresa skuq trotuaret
me gjakun frutor, në stinën e re…

 

Edhe harabelat kënduan të mekur
teksa largoheshin
k’ tij vendi mbushur me kukumjaçka
të dalldisura!

Vetmia do t’ mbesë e vetme gjersa një curril shiu
të fshijë gjurmën e këmbës
në vrapimin drejt ikjes…

 

© Irsa Ruçi

 

 

Dritë

 

I.

 

Dëgjoje këngën e gjinkallave, i dashur, dëgjoje

ca fjalë ç’i thonë pranverës

dhe ndjeje si pëshpëritin gjethet e pemëve

mëngjeseve të vesta;

pastaj thuamë:

a është krijuar kjo bote për te qene kaq e egër?

 

II.

 

Oh, ç ‘mëkate i dhuruam kësaj toke

aq sa dhe yni lot na rëndon

në pafuqi

tek gjurmët që i ngrijmë harresës

mëkatarët e humbur

Ne

rojtarë të shpresës…

 

III.

 

Do ikim një ditë larg,

në udhën e pakthimtë

jam e bindur qe pas do marrim pendesën

pse qemë krejt të pamjaftueshëm

ne këtë rruzullim të pangopur,

dhe faljen

pse lakmuam veç të përfitojmë

kur një ditë edhe shpirtin zhveshur prej trupi

do e njohim ne lakuriqësi!?

 

IV.

 

Thuamë që asgjë nuk është e vërtetë

se fjalët e poetit janë mullarë me kashte

që me një fije shkrepëse mund të marrin flakë

dhe unë të fundit varg do ja dhuroj Njeriut

atij që lutet për mëshirën e mëkatit

dhe në jetë kurrë nuk ka gënjyer veten.

 

Të fundit varg ja ruaj NJERIUT…

 

© Irsa Ruçi

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s