E DIELA PASDITE (Triptik ) / Tregim nga Resmi Osmani

 

E DIELA PASDITE

-Triptik-

 

 

Resmi Osmani - 1

Tregim nga Resmi Osmani   

 

Fund shtatori.Ndjehej freskia e vjeshtës.Shëtitorja e liqenit gëlonte nga njerëzia që ishin kthyer nga pushimet e verës,të bronzuar e plot gjallëri. Dukej se më të gëzuar ishin qentë dhe qenushët. Inxhinier Dibra me zonjën, të dy pensionistë, pasi bënë ritualin e zakonshëm të ecejakeve për të shkrifur trupin, u kthyen te lokali në fillim të digës, buzë liqenit për të pirë kafen e pasditës.    Tryezat ishin zënë të gjitha. Djali i shërbimit që i kishte klientë të përditshëm, u gjeti një tryezë në të majtë, fare në fund. U ulën. Përballë ishte liqeni i mpakur, dhe në bregun matanë  vilat dhe pallatet, që po e gëlltisnin kodrën e pyllëzuar. Në pritje të kafeve, ishin të heshtur e të mërzitur. Fëmijëve s’u ecnin punët mirë, por ata veç këshillave, (por që edhe ato nuk ua dëgjonin), s’kishin me se t’i ndihmonin tjetër. Kohë të vështira.

Pranë tyre, ishte një tryezë me katër mesogra , që gjerbnin kafen  dhe fjaloseshin me aq zë, sa biseda dëgjohej e gjitha. Në fillim ,inxhinieri nuk u kushtoi vëmendje, por pastaj e tërhoqi mënyra sesi i rrëfenin ato që thoshin.

 

    *   *   *

 

-Motra, – hapi sqepin një bjonde e shplarë me syze qelqetrashë- Ishim me Vason dhjetë dit në ishujt Kanarie. Por ç’tu them më parë për atë mrekulli, për atë parajsë mbi tokë! M’u mbush mendja që rrojmë në një vënd koti dhe bëjmë jetë koti.-tha ajo duke këngëzuar si kanarinë e duke psherëtirë .-  Bashkë me Vason, kemi mall e gjë sa të duash, të fituara e të trashëguara,  kur i thonë lekët me lopatë,  por ç’i do? Mirë thonë:paratë s’i ha as qeni! Ah, më mirë të mos kisha shkuar në atë mrekulli parajsore,  se më është ngritur e shkreta mendje. Eh, ta shihje oqeanin, sa madhështor dallgëlartë shkumëbardhë, që i sulej bregut e mbi to rrëshqisnin si peshq serfistët.Pse det është ky yni moj xhane? Ngjan si pellgaçe dhe uji buzëbregut si supë.  Det i thënçin! Lere pastaj plazhi, i pastër i pastër dritë, me rërë të bardhë si sheqer. Koriet e palmave dhe bananeve, një bukuri më vete ku këndonin kanarinat, që ishin me mijëra. Edhe dielli, tjetër diell: rrezear. Edhe qielli tjetër qiell: i lartë, i kaltër, pa një re. Le pastaj netët: yjet ndrinin atje lart me dritë të artë, po të ndeje dorën të dukej se do ti prekje. Po ç’t’u them për shetitjet me jaht? Pale shërbimi!  Na i sillnin akulloret dhe limonadat në shezlong.  Në hotel, kishim apartament me ballkon që shihte nga deti.  Gatimi fantastik që e kishte kthyer gatimin në art, ushqimi në pjatë i ngjante një luleje.  Pse kuzhinë është kjo e jona që s’dimë të gatuajmë e as dimë ç’të  hamë ! Mezi prisja të vinte nata që ishte e magjishme, e mbushur me mistere e psherëtima: muzikë spanjolle, serenada me kitarë , disko, pije dhe koktejle që të përtërinin, ringjallnin e ngazëllenin shpirtin. Por, eh, kur janë të numëruara ditët ikin shpejt, fluturojnë dhe ja ku jemi: si mos më keq. Më ka dalë vetja qejfit. Besomëni, rrojmë kot, por kot fare ama. Kështu i thashë edhe mamit. Gjetkë bëjnë jetë. Ne edhe po të duam s’kemi sesi. Po pimë këtë lëng gështenjash, që kafe i thënçin, këtu buzë këtij pellgu, gjoja liqen, në shoqëri të bretkosave.

Rrojmë kot,fare kot!

-Ç‘ti bësh,-vërejti njera nga gratë,-Ky vend na ra në pjesë

*     *     *

Pati një heshtje të shkurtër.

-Na thoni ndonjë gjë , moj gra, se për muhabet jemi mbledhur.

Njëra nga gratë, tipare trashë, gushëvarur, që tualeti nuk arrinte t’i fshihte rrudhat dhe poret e lëkurës, me një hundë që në majë i shtrembërohej si tryelë, nisi të fliste  me zë të plotë e të ngjirrur. Ngaqë ishte duke tymosur cigare, fjalët i dilnin të mbështjella me tym duhani e tingull pak hundor.

-Dëgjoni moj gra! Atë që kam hequr parmbremë t’ia tregoj dhe natës së varrit. Afër mesnatës na u sëmur Xhixhi. Nisi të rënkonte sa të këpuste shpirtin dhe nga sytë i rridhnin lote. Përpëlitej dhe u mblodh e u bë një grusht nga dhimbjet e barkut. Dridhej nga temperatura, nuk gjente qetësi. S’i kishte ndodhur asnjëherë tjetër. Na shihte në sy me përdëllim që t’i gjenim shërim. Sokrati u shqetësua së tepërmi. Ishte një gjendje që nuk durohej. E kemi të vetëm dhe e shohim në dritë të syrit. Larg qoftë,nuk thonë kot: filli këputet atje ku është më i hollë!  Mori numëratorin e telefonave dhe kërkonte mjekun. Bëri disa telefonata por askush nuk përgjigjej. U vesh, ndezi makinën dhe u nis. Mbeta vetëm, në ankth me vogëlushin e sëmurë. E mora në shtratin tim. I thashë të duronte se mjeku ishte duke ardhur. Në oborr u dëgjua zhurma e motorrit. Oh, më në fund, Sokrati erdhi me gjithë mjekun. E vizitoi, kishte temperaturë. Dyshoi për helmim ushqimor. I bëri një gjëlpërë dhe pastaj i dha një bar nga goja që t’i nxiste të vjellët për pastrim stomaku. Volli dhe siç duket u çlirua nga e keqja. Mjekun nuk e lam të ikte, u gdhi me ne. Në mëngjes vogëlushi u bë më mirë dhe ra në gjumë. Kaluam një natë të tmerrshme,  por kur e keqja kaloi, u lumturuam, megjithatë s’kam për ta harruar.

Zonja psherëtiu dhe gjerbi një hurbë kafeje.

Atypari, u afrua një i ri me një qen – ujk me hundëz,që e mbante nga rripi. Që posht tryezës së zonjave doli një qenush i bardhë,kaçurrel që kushedi pse, nisi t’i lehte egërsisht sivëllait të tij, i cili as që i hodhi sytë.

E zonja i tërhoqi rripin dhe i tha me atë zërin hundor e të ngjirrur:

-Urt Xhixhi! Ç’të hipi të trimërohesh?

Xhixhi u bind dhe u strehua sërish te këmbët e së zonjës poshtë tryezës.

 

      *       *     *

 

-Vali, po ju ku I kaluat pushimet?-cicëroi kanarina.

-Nuk shkuam kurkund. Me këtë rritje çmimesh, nuk na e mban xhepi. Kohë të vështira,por ka keq e mos më keq. Këtu jam, por gjetk e kam mendjen. Në oborr të pallatit tonë, që ështe i vjetër, se nga çatisi dhe  ngriti në një cep të lirë, një barake një familje e ardhur nga Prrenjasi. Ç’bje jashtë u hyn brenda. Burri është invalid i dëmtuar në minierë. Lëviz në karrocë me rrota. I alkolizuar dhe sherrmadh. Se ndan shishen e rakisë. E shoqja punon diku pjatalarëse. Ikën që me natë dhe kthehet po me natë. Kanë një djalë emigrant në Zvicër. E kanë kapur me drogë dhe e kanë rrasur në burg. Barakes i vjen rrotull vajza, rreth të pesëmbëdhjetave. E bukur pikë. Nuk shkon në shkollë. Kam frikë se do të përfundojë keq. I ati, kur i mbarohet pija, bëhet bishë, ka dorë dhe është i dhunshëm.  E përze nga shtëpia dhe i thotë të mos kthehet pa lekë. Ajo kërkon kanoçe nëpër kazanët e të fshirave, por aq e bukur sa është ia kam frikën mos shket. I ndihmojmë sa mundim, u shpiem edhe ndonjë pjatë gjellë, rrobe të përdorura e ç’na gjendet, por kjo nuk është zgjidhja. Nuk shtyhet jeta me bamirësi.  Ka ditë që po merrem për t’u nxjerr një ndihmë ekonomike, të paktën t’ua lehtësojmë pak barrën e jetës.

E ç’t’u them, ka keq e mos më keq. Duam apo s’duam merremi për ditë me ta, sa herë plas sherri dhe grindja gjendemi aty……

Ky rrëfim,u duk se i vuri kapak bisedës.

Zonjat u ngritën. Xhixhi lehte për qef të vet.

Edhe çifti Dibra, që i kishte dëgjuar të gjitha, paguan kafet dhe u ngritën.

Zonja Bule i tha të shoqit:

-Ku dreqin vajtëm e  u ulëm pranë tyre. M’i bënë nervat shkop dhe zemrën baltë. Kjo e diel pasdite shkoi për dreq! Boll me qejfet dhe dhembkat e botës. Ikim, të paktën të shohim telenovelat e të harrohemi ca kohë.

 

Shtator 2012.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s