Poezi nga Myrteza Mara

Myrteza Mara - 1

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

MUNGESË

 

Më ke munguar mikja ime, shumë fare
Kam mbushur plotë një ditar me pikëpyetje.
Kaq herë kam dashur ta hedh në zjarre
Por kundërshtarin më të madh kam veten.

Nëpër tavanin e hijeve të mjegulluara
Më rrinë varur, si stalakmitet prej guri,
Mijëra gërma nga mesazhet e shkruara
Si flutura të përlotura në syt e një burri.

Por ti je strehuar në bunkerin e heshtjes
Psherëtimat e mia aty s’ mbërrijnë dot
Kam shkruar e grisur një mal me letër
Ashtu bëra dje, ashtu bëra edhe sot.

Më ke munguar, ti që s’njihje mungesën,
Ti që ma rrëmbeje fjalën nga buzët
Ashtu si dehet dielli me pikëlat e vesës,
Ashtu ti ma çmend zjarrin e muzës.

Dhe unë do të pres siç të kam pritur
Pritja më është bërë gjymtyrë në jetë
Me prushin e pritjes ndër vite jam rritur
Malli i pritjes lartohet gjer tek retë

 

***
Më ke munguar mikja ime, shumë fare
Ditët s’do i lemë të bëhen natë e errët!
Bashkë do shkruajmë mijëra romane,
Bashkë do udhëtojmë edhe përtejetës!

 

 

MOS MË AKUZONI PËR TRADHËTI

 

Dua të arratisem nga kjo botë
dhe le të më dënojnë
për shkelje të kufirit.
Këtu, fjala dhe besa
janë mbytur në smog
liria pa kufiza më keq se zinxhiri.

Dua të iki nga sytë-këmbët
pa lënë testament,
dhe asnjë gjurmë dëshmitare.
Do marrë të shenjtën ëndërr,
ta kem si fanar të vetëm
nëpër udhët e natës së madhe!

Dua të humbas adresat e kthimit,
më mirë Robinso Kruzo
në një shkretëtirë-ishull të vjetër.
E di që do ketë më shumë dimër,
por unë edhe Ajo,
dimë të jetojmë edhe në planet tjetër.

***
Por s’kam ku të shkoj
mos më akuzoni për tradhëti,
kjo botë është e gjitha si varkë dallge.
Këtu kam mbjell jetën, shpirtin,
në mijëra vargjepoezi
dhe një mal me brenga që heqin valle!

 

 

BAST ME VETEN

 

Ah, moj stjuardes e linjës së Brukselit
Pezull ma mbajte, disa çaste, frymën
Për pak sa nuk të thirra në emër
Ngjaje aqë shumë me miken time!

Ti nuk e di që kam vënë bast me veten
Se në këtë botë nuk ka lindur e dytë
Të ngjaj me miken time ndonjë tjetër
Atë që e barazoj me të dy sytë!

Flokët, si ajo, moj stuardesë e bukur
Edhe trupin e drejt, si ajo edhe e gjatë,
Mbi mollëzat e kuqe qendisur një flutur
Dhe buzët njëlloj të ndezura me flakë!

Udhëtoj shpesh, nëpër linjat ajërore
Përhumbem në mallin e kujtimeve që le pas
Ndjej se me miken jemi lidhur për dore
Të prekim qiellin, ëndrrat në parajsë!

Ma prishe imazhin stuardesa flokëvjeshtë,
Oh, me ty, mikja ime, ngjante aq shumë
Veç në sytë e saj nuk pash atë dritëjetë
Dhe atë detshpirti ku përhumbem unë!

Tek syt’e tu veten shikoj në çdo çast
Aty ndez buzën, aty shuaj edhe puthjet
Pasqyrë i ke sytë dhe shpirtin e artë
Aty përgjërohem kur falem edhe lutem!

Stjuardesë e linjës që di të buzëqeshës,
Më turbullove keq, si një vetëtimë
S’e humb bastin në flturimet e jetës
Ndaj edhe vitin e bëra me pesë stinë!

 

 

LE TË THONË

 

Thonë se “Mona Liza” është mrekulli
Portreti i saj të lenka pa frymë e pa gojë,
Thonë se është si një kryemagji…
Le të thonë ç’të duan, unë nuk besoj!

Thonë dhe për Helenën e Trojës,
Helena që solli një kal në histori
Historia merret me gurët e rrënojës
Kalin e gjorë dënuan për tradhëti!

Thonë dhe për të Bukurën e Dheut,
Për bijat e mbretërve çfarë nuk thonë!
Pë zemrën e tyre duhet forcë Anteu…
Por mua nuk më bëhet fare vonë!

Le të thonë, le të thonë, le të thonë
Piktura-pikturë, legjenda-histori
Ato janë në letër, ato s’kanë gojë
Ato marin, nuk japin dashuri!

Jam më i fortë se divat e legjendës
Kam një magji të mbjell në shpirt,
Aty e ngroha me mjaltin e këngës
Lotët dhe besën më solli si prikë!

Është plotmëria ime, drita e muzës
Më e bukura e të bukurave të dheut!
Vetëm atë kam zjarrshpirtin e buzës
Tek ajo e mar dhe forcën e Anteut!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s