Myrteza Kasi, poeti që i këndoi atdheut, punës, familjes dhe dashurisë.
Myrteza Kasi lindi në lagjen “Dunavat”, Gjirokastër më 13 qershor 1933 dhe u nda nga jeta në 10 shtator 1996.
Arsimin 7- vjeçar e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme tek Industrialja, Tiranë.
Filloi studimet e larta në Sofie të Bullgarisë (në degën Inxhinieri Mekanike), por për shkak të një sëmundjeje u detyrua ti ndërpriste ato e të rikthehej në Shqipëri.
Rifilloi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori – Filologji, dega gjuhë – letërsi shqipe, por u përjashtua në përfundim të tyre për shkak të ideve nacionaliste.
Fillimisht ishte anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe u përjashtuar, pasi bashkëshortja e tij vinte nga një familje e persekutuar me mbiemër Xhaxho, nga Libohova në Gjirokastër.
Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë për gati 40 vjet, duke u publikuar shumë rrallë në ndonjë periodik letrar të kohës, por ju mohua kategorikisht botimi i veprave letrare të shkruara.
Familjarët kujtojnë shpesh rikthimet e tij nga Redaksia:
“ Sa herë që kthehej nga redaksia ne e kuptonim menjëherë që shkrimet e tij nuk ishin pranuar, pasi heshtja e tij, vështrimi i pikëlluar , përflisnin shumë më tepër për atë botë tejet të rënduar dhe gjendje të trishtuar ”
Pavarësisht mohimit të publikimt të artit të tij dhe zhgënjimeve që pësoi, Myrtezai nuk e ndaloi për asnjë çast punën, duke krijuar një arshivë të çmuar që aktualisht e administron familja, e cila me kalimin e kohës do mundësojë dhe botimin e tyre.
Me ardhjen e viteve të demokracisë përpos lirisë dhe të drejtave njerëzore që rifitoi si shumë të persekutuar të tjerë, atij do i hapej së fundmi dhe drita jeshile për të plotësuar ëndrrën e tij të madhe, atë të botimit të veprës së tij të parë.
Një det me dashuri
“Një det me dashuri” është vëllimi i parë poetik që u publikua pas vdekjes,dhe në këtë prurje letrare ky autor ka për lajmotiv : atdheun, familjen dhe dashurinë.
Edhe pse jeta e këtij autori kaloi nëpër kalvare dhimbjesh dhe heshtjen e qëllimshme të kohës, ai tashmë është rikthyer me gjurmën e pamohushme të artit të vet, i cili edhe pse nuk e ka parë dritën e plotë të botimit, sërish dëshmon për atë përpjekje të madhe njerëzore që i rezistoi diktaturës më të egër dhe u shndërrua në model dhe simbol i një arti tjetër, jashtë klisheve dhe realizmave, për një botë të lirë, të madhe dhe sa më universale.