Poezi nga Zhaneta Barxhaj

Posted on November 4, 2016

0


 

zhaneta-barxhaj

Poezi nga Zhaneta Barxhaj

 

 

QELIZË GJAKU

 

Grumbuj resh rrëpirash dhe gurësh është çka ndodh.

Grumbuj kërmash dhe eshtrash mbysin atmosferën,

që dergjet përshesh e lëngon fletëve humus,

duke brejtur thekët e qilimave të pajës,

bërë me age të pasterilizuar.

Si vetë galaktikat ndjesore në indin e këputur.

Qelizë gjaku dhe uji…

Që merr mësime noti në pellgun e marrëzisë.

 

 

 

ZHVESHJE E SHQYER

 

Thonj shpërndarë në ozonin e paktë.

Mbërthyer rreth leshrave korb,

grisin çorapet najlon,

teksa përkëdhelen rreth kofshëve të forcuara.

Dridhje,

ledha epshndjellëse,

përplasen rreth trupit të lagësht.

Kafshime gjakësore,

puthje thithur deri në fund.

Dhe… ashtu në ekstazë,

të lë të vazhdosh të përpëlitesh…

Duke ëndërruar zhveshjen e shqyer

nga kthetra dashurie…!

 

 

 

KONGLOMERAT

 

Konglomeratë të pashprishur rrokullisen.

Shumëngjyrësh, të errët, të ndezur gjithfarësoj,

teksa çapitem ndrojtje e pashprehur.

Më ngecin takat si majat e helmatisura të shigjetave indigjene,

në mishin e bardhë europian zbardhuar në meitësi.

 

Befas çahet dhe pikon gjithandej.

Kërkon të injektojë,

pak gjuhë pak kulturë pak shfrytëzim…

Nga ai lloji i çuditshëm që përhap si pluhur në arën djerrë,

goditur  me tehun e padijes vilanoset…

 

E shoh të më bjerë nga duart, plandoset pa fuqi.

Sa e fortë ouuu… ende ndiej mbi qepalla terrin që mezi u shqit,

e kërkon të futet sërish në tjetër formë në tjetër përmbajtje…

 

 

 

XHAM

 

Vemje ngjitur pas xhamave

të autobusit rrenacak,

silueta ime qeton…

E shoh,

më sheh,

përpiqem t’i zhbëj rrudhat,

goditur nga sqepari i pashenjë.

 

Neonet më zhysin nën dritëhije skematike.

Gjeometri e deformuar.

Nallane dhe taka të përcundueshme

më shqyejnë llastikët e veshëve.

 

Sytë puliten si kartonë fëmijësh.

Më kap dalldija,

më zë urbani i tërbuar!

 

 

Posted in: POEZI