Poezi nga Adelina Dardha

adelina-dardha

Poezi nga Adelina Dardha 

 

 

Odisea i ndjenjave të mia

 

Ti kurrë mos u bëj Odise,

me lër mua të vuaj për ty,

si Penelopa që jeton në një ishull të largët

unë do të pres,

do jetoj me hijen tënde,

gjersa të bëj mëkatin e radhës të dashurisë

Unë dua të mbarsem

me ëndrrn e një endacaku,

që fle poshtë urës,

sipër kartonave të njomë,

dhe të lind një fëmijë për ty dhe

ta ushqej me qumështin e dallandyshes,

folenë do e ngre në Itakë,

që te shoh direkun e anijes tënde,

kur të lundrojë atyre anëve.

Ti kurrë mos lufto për mua,

sepse Zotat e kanë shkruar fatin tim

çdo gjë që unë prek, thërrmohet,

çdo gjë  që unë ndiej, vdes,

kështu është e shkruar mbi supet e qiellit

Afërdita mi mjekon plagët e duarve

nga qiriri i djegur kur unë lutesha për ty…

Si një shpirt i vdekur i hedhur në greminë

oshëtin  fati, atë që unë e shkruaj

përditë nën lëkuren time,

si gjarpër ma helmon shpirtin,

por unë di të mbijetoj edhe

pse kuçedrat vjellin vrerin e tyre të ditës,

si ushqim të përditshëm ma shërbejnë ëmbël.

Por nëse një ditë,

kur erërat e detrave do të jenë shuar

une do të nis një frymë të paqtë,

si drita e syve të mi,

për të më falur gjithë netët e pagjuma…

 

 

Një mijë e një yje larg

 

Nuk di je i lumtur apo i hidhëruar,

herën e fundit kur të thashë të shkoje,

ndoshta të isha renduar si një xhaketë e vjetër

dhe si barrë e njomë të qëndroja në shpatull

me dashurinë që të fala dhe nuk e kuptoja,

por vazhdoja të prodhoja ëndrra të ëmbla si një bletë

duke fluturuar nëpër kujtimet e tua,

duke besuar se dashuria ishte një hoje mjalti,

ku lumturia zotëronte si princeshë ndjenjat.

Por si Eliza ngela në botën e çudirave,

nga ikja jote e rrufeshme, as qielli nuk i dëgjoi zhurmat,

veç unë u treta,  duke fshirë përditë nga pak,

gjurmët e tua, me lotët e diellit!

Mallkoj mallin që më ka filluar pa ardhur dimri,

si reomatizma e gjyshes ka filluar të më ngacmojë shpirtin,

por unë do i duroj dhimbjet, pa u plakur,

nuk kam për tu ankuar për motin,

se dashuria është bima delikate e shpirtit,

por e çuditshme, se kërkon vetëm dritën tënde,

Largësia jote është një mijë e një yje larg meje

ndihem e verbër,  kur nuk të shikoj gjatë

edhe pse me sy të kërkoj mëngjezeve nga pagjumësia

e me zemër të thërras çdo mbrëmje për të puthur,

une ndihem shkretëtirë, e tharë për një pikë loti,

ashtu zvarritem, si një femër e dashuruar,

me një fustan të grisur shprese duke harruar veten.

 

 

Endacake e rrugëve

 

Endacake e rrugëve me lëkurë bliri,

që aromën nuk ua preku asnjëherë

edhe pse dëshirat i shtronte në çdo hap hedhur.

Përbri një shteg pa krye ,

që puthej në kryqëzim me një vijë uji,

kushedi sa gurë kishte grryer me thonj për të mbrritur asaj qosheje.

Dritat verbonin ngjyrën e natës,

me një penel u jepnin dritë – hije.

Hapat kërcisnin thatë mbi copat e djegura të vetmise.

Vëmendja e saj ishte e virgjër,

kur vinte puna tek detajet e dhimbshme

i harronte përmbi gjethet e rëna mbi supet e ndjeshëm,

por nuk i pëlqente keqardhja për sa kohë ecte e vetme.

Askush nuk kaloi atë mbrëmje,

ajo kalëronte natën me fustanin ngjyrë hëne,

gjersa i humbi gjurmët,

e mbeti legjendë e një endacakeje,

Te gjithe lumenjtë rridhnin atyre anëve.

Rrugët ishin mbushur me dhimbje…

Ajo nuk ndalej nëpër agime…

Ecte nëpër terrin e fatit.

 

 

Mozaik ngjyrash

 

Jo sonte, mos më jep puthje

shpirtit tim të plagosur

të heshtur gjer në dhimbje

sepse  është plage e re, e sapoçelur

mbi trupin e trëndafilit

vuajtja e një femre…

 

Veç sonte mos më kërko puthje

të padëshiruara prej meje ashtu si

luleboret nuk lulëzojnë mbi dëborë,

por duan frymë pranvere..

edhe ylberi nuk shfaqet kur bie loti i syrit,

por ujëvarat e Diellit që të pikojnë rreze.

 

Nesër të premtoj që puthjet për ty

do i shuaj me lëngun e verës trazuar..

me të kuqin e buzëve të vizatuara

do i le gjurmët e zemrës mbi kristal..

 

Kur shpirti im të tretet, si gjethet e vjeshtës,

aty do shkruaj një mozaik ngjyrash  malli.

 

Se dashuria ështe një fjalë e bukur zanash,

që fillon me drithërima buzësh

dhe përfundon në një dhimbje të madhe..

 

 

Natë vjeshte

 

Është ora 1 pas mesnate,

mëkatet e shpirtit janë

bërë lëmsh poshtë jastëkut,

këmbana e kishës fle,

rrugët pëshpërisin qetësinë e natës,

mëkatarët mbyten në ëndrra të zjarrta drithëruese,

janë gabimet e tyre të pafajshme

të njerëzve të dashuruar,

që ndezin pishtarin e shpirtrave

e fluturimthi dërgojnë sinjalet

nëpër galaktika dashurie.

Mëkatojnë me largësinë ethshëm

me ndjenjën puthen çmendurisht

rënkojnë pasionin  gjersa dashuria

merr trajtën e një fluture të bardhë,

që u mbështjell  krahët dhe

i merr fluturim nëpër natë.

Mëkati  i kësaj dite vjeshte

bashkë me gjethet bie një nga një

mbi trupin e dashurisë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s