Poezi nga Genc Kastrati

genc-kastrati

Poezi nga Genc Kastrati

 

 

Askush

 

Askush nuk e vodhi këtë natë

më bukur se ti…

Dëgjoheshin të shtënat e zemrës

tek festonte shpirti.

Askush nuk e pa, më bukur se unë,

errësirën syve të tu

që digjej flakë në bebëzat e tua

ndërsa hijet e natës

fundoseshin në trupin tënd.

Ti marshoje e përflakur zjarrit,

si një gur në rrokullisje

thërrmoheshe puthjeve

dhe ndaleshe në përmbytje të ëmbël

duke u endur buzëve.

Askush nuk e pa më bukur se ne të dy

hënën e lakuriqtë

dhe qiellin e zhveshur

tek edukonim dashurinë.

 

 

E bukur

 

E bukur je, mikja ime,

në natën e pazakontë ku loz stuhia,

në bardhësinë  e dritës së ditës

ku shihet hijeshia

dhe atje, tek fundi i botës,

ku puthen ëmbëlsisht toka dhe deti.

E bukur je, në tërësinë e qenies tënde,

nuri i bukurisë të flet mbi fytyrë.

E kur fryn një erë e madhe,

një fletë dushku mbi ballin tënd,

një krah fluture mbi flokët e tua

kanë për trashëgim bukurinë.

 

E bukur, mikja ime, e bukur,

gjithandej bota përrreth të mbështillet,

si një mbulesë të mban ngrohtë,

ngrihen pemët, tunden gjethet

të të bëjnë pajë mbi hijen e qerpikëve.

Dhe sytë e tu bien në gjumin e lavdisë

të thurur me dëfrimin e bukurisë.

E bukur dhe e qetë je, si oborret mbretërore.

 

 

E vetmja gjë

 

E vetmja gjë që mbeta pa ta thënë ty,

janë perceptimet adoleshente

në klithmat e shpirtit,

të kamufluara me ngjyrat e padukshme,

fshehtësi e fshehtësisë së thellë

fundi i oqeanit truprend

që mban përherë në vetvete një mister.

Tani, ti mos thuaj

që unë dashkam të fsheh nga ti!

Jo, kjo nuk është e vërtetë, por

në krijesën prej mishi dhe ashti

qenka një boshllëk i pafolur nga goja

e i pathënë nga buzët,

që mbushet dhe zbazet vetvetiu

në një heshtje të plotë;

sa herë që kapet dhe shkëputet

një puthje, rënkan zilet

e klithmave të pasqaruara.

 

 

Ndrojtur

 

Çdo herë është i vështirë takimi me ty;

them mos sot po këputet litari i njohjes

duke ditur që dashuria ka teke të habitshme

që herë pas here të befasojnë

për surprizën e ndonjë fati të inatosur.

I jam frikësuar gjithmonë të panjohurës së saj!

 

Sa herë që ne të dy duam të takohemi

nisem me ndrojtje, i ngarkuar me brengën

që rëndon mbi supe, me peshën e ndjenjës;

por kam kuptuar që brenga ka dhe anën pozitive

në mos për gjë tjetër, ajo ka qenë, vazhdimisht,

një mbajtëse e drejtë e peshores

së maturisë.

 

 

I kam parë

 

I kam parë ditët më të bukura me ty,
i kam quajtur “përvjetorët e dashurisë”.
Nëpër çdo ditë që kalonim bashkë,
i kam parë të kenë qenë të zjarrta.
Disa të ftohta, me ca ngrica mes zemrave
e disa të veshura me ngjyra ari të vjeshtës;
të gjitha ishin zile këmbanash dashurie.
Çdo gjë ishte e jona në botën e përflakur epshit,
të mbuluar me oshëtima, dhe zëra melodikë
ku vetëm unë dhe ti rrinim të migruar larg
në kështjellën e stolisur të shpirtrave.
I kam parë ditët më të bukura me ty
dhe i kam shënuar në kalendarin e dashurisë,
si data historike të ngjarjeve më të mëdha
me beteja të lehta dhe të ashpra për të dy,
duke mos dashur t’ia dinë kurrë për humbjen.

 

 

Pasuria ime

 

Ti ekziston, dhe je pasuria ime;
më mbush botën plot.
Ti ke vullkane me lavë
dhe dete të fjetur.
Ti ndez shpirtrat në zjarre
dhe shuan etjen e tyre.
Ke edhe minerale jete;
hekur që forcon trupin.
Ti je çelik i ndezur
që kalitesh puthjeve.
Ti ke lumenj të lakuar shtatit
që degëzohen trupit
Ke edhe pemë;
dhe gjethe me fruta joshëse.
Flokët e tua i bëjnë hije gjoksit.
Ke edhe copëza diamanti në fytyrë
dhe një shpellë për dashuri
Ti më mrekullon me sy
dhe më përpin me gojë.

 

 

Nëpër gjethe

 

Nëpër gjethe përhapen tingujt e tu,
trumbetojnë ato fatin tim
si dallëndyshet që marrin qiellin në përqafim
për t’i dërguar si testament lajmet e mira.
Deri në pafundësi shkoka
jehona e një zemre!

Degë më degë, tek përcillet shushurima e gjetheve,
deri në ekstazë ikin tingëllimat e botës,
për mua dhe ty në skenë
treten mes shpirtrave
fishkëllimat më melodioze.

Desha të këpus një gjeth’ të njomë,
të grabis më afër zërin tënd;
por shoh që natyra qenka e paprekshme
dhe, në harmoni të mahnitshme me vetveten,
dirigjoka vetë instrumentet e mia për ty.

 

 

I kam dashur

 

I kam dashur ata njerëz
të shpirtit qelibar,
ku buronte si një krua freskie thjeshtësia.
Ata të vuajturit e pastër,
ata të hequrit keq,
që buzëqeshnin çdo herë,
që nuk qortonin,
që nuk ankoheshin,
që mirësinë e mbanin varur në zemër
për medalionin më të çmuar
dhe ishin në gjendje të jepnin
çdo gjë nga vetja e tyre,
vetëm për të parë njeriun e lumtur.
Zot, i kam dashur ata njerëz
që edhe në dimrin e acartë kur mbërdhinin
apo dhe në skamjen e tejskajshme
ata tjetrit shpresë i jepnin.
E në skajet e durimit
kur shuheshin dritat e zbehura
për një pikë shprese në horizont,
ata ndiznin kandilat brenda shpirtit të tyre
që shndritnin edhe rrugët qorre
duke i mbuluar me dritë edhe shpirtrat hileqarë.
I kam dashur ata, heronj të njerëzimit;
dhe të mitë ishin po ashtu.

 

 

Kësaj nate

 

Të puth në këtë natë të qetë,
si pa dashje kjo natë paska lëshuar magjinë.
Po unë ç’dua këtu kaq i drobitur
prej mungesës sate,
në këtë mrekulli aq të pafjalë,
aq të pazë?!
Vallë pse u tha të ndihem kaq i pafuqi
e vetëm të të mendoj në këtë skaj të dhomës?!
O turbullimi im,
që më mbake në agoni të thellë,
ku shpirti nuk ditka ku i ka kufijtë e tij,
që nga nata e gjer tek ti,
u shfaqka një dramë e tensionuar
kësaj bote delikate!
Paskam ngritur për ty një kështjellë
që po ma hap dhe mbyll derën e pragut
flladit tënd,
ti hija ime e papërtypur mes puthjeve,
qenke bëre si fantazmë.

 

 

Tundimit

 

A thua shpirt po perëndojnë rrezet;
sa të vrullshme që ishin ato në fillim
e sa të ngrohta e të dashura!
Unë e di që asgjë nuk është e përhershme
dhe se jo gjithnjë ecin gjërat siç duam ne;
ka ditë dhe ka çaste që njeriu është
jo mirë madje dhe me veten e tij,
por ja që brengat janë ato fije të holla tundimi
që thërrasin dhe trokasin mbi shpresën.

A thua shpirt po perëndojnë lindjet
me agimet e tona të hershme?!
Të parat sa të furrishme që ishin, sa rrëmbyese;
e po them mos vallë erdhi vetëm një kohë pushimi
për të nisur një rifillim akoma më të ëmbël,
duke dashur të mos e njoh kurrë largimin
që prapë do të jemi aty ku na takuan zemrat,
atij pellgut të fshehtë mes njëri – tjetrit.

 

 

Kam qarë

 

Kam qarë për ty, e mira ime,
bukuria mbi të gjitha bukuritë,
mbretëresha mbi çdo kurorë.
M’i ke nxjerrë lotët nga sytë,
kristalet e fshehura të shpirtit.
I kam mbledhur pikat në duar
dhe kam larë fytyrën time
me ujin e njelmët të mallit.

Kam lënguar për ty, e ëmbla ime,
janë dergjur ditët në shtrat dashurie,
tek ktheja shikimin nga dritarja,
shihja zogjtë nëpër degë;
rrinin të mërzitur, nuk këndonin.
S’mund t’ua humbja natyrën gazmore,
përgija në gaz, ua bëja me dorë;
ata si me frikë iknin dhe fluturonin.

Kam qarë për ty, e mira ime,
kjo është një prej të vërtetave.

 

 

Ma vodhe natën

 

Ma vodhe natën e vonë
me praninë tënde,
kur më mbulove si errësira
e dashuruar pas natës.
M’i vodhe tingujt e mbrëmjes
me fëshfërimën e gjetheve
ndërsa puthjet e tua
rriteshin në melodi shpirti.
U zhveshe si bustet
që dashurojnë heshtur,
tek më shtrëngoje frikshëm
pranë dëshmitarëve të pagojë.
Ma vodhe edhe zërin
me këmbanën e zemrës,
që për ty rrihte si tel kitareje
me ritëm të përshpejtuar.
S’na u hoq meraku i muzgut,
për të parë dritën bashkë,
tek vinte nga shtegu i largët
mbi botën e përgjumur.

 

 

Tani bëj çfarë të duash

 

Ke okupuar brenda meje
më të bukurin vend të mendjes,
duke mos i lënë derë të hapur dyshimit.
Ke thyer të gjitha zilet e hezitimit
dhe ke shtruar një çarçaf
për qejfin tënd të ri,
mbulojë ngrohtësie për mua dhe ty.
Ke zaptuar një melodi të ëmbël
në shpirtin qortues
dhe ke qetësuar qiellin tim,
si errësira që shtrihet për natën.
Tani bëj çfarë të duash,
kërcimtare e pazakontë në trumbetim zemre
dhe mos e ndal më asnjëherë këtë ritëm
që therka kaq ëmbël, nëpër qelizat
e ngritura fort, peshë.

 

 

Asht mirë

 

Asht mirë me dal nganjëherë jashtë,
ashtu, pa të thirr askush,
pa e dit se kah po shkon,
veç me shëtit nji rrugeje të pakry,
të paadresë,
nji rrugeje të gjatë mes pyllit
e me pa sa gaditun rrinë lisat,
si kuvendojnë gjethet nji puhizë ereje të qetë.
Asht mirë në çdo stinë
me ec asaj rruge
e me i pa si ndërrohen ngjyrat,
si vallëzojnë stinët për vitin.
Asaj rruge çdo herë i këndohet nji hymn
si kur zemra ime,
që këndon dashuri për ty.
Dhe aty ke me pa sa e bukur asht jeta,
sa ka rrugës gjëra të bukura,
vetëm se nuk e di,
a do të kesh kohë të më kujtosh edhe mua,
duke ecur rrugëve të tua.
Ndonëse gjërat e bukura kanë për t’u shtuar
mes stinëve dhe ngjyrave,
dhe mes mallit tim,
nuk ke me dijtë çfarë me dasht ma parë.
Por sidoqoftë,
e kam vetëm për nji qëllim
që ti të kënaqesh bukurive të pafundta,
që nuk dinë me u shtjerrë,
si shpirti im që për ty në çdo kohë lumnon
dhe të do përherë njëjtë;
edhe mes rrugëve të tij të padukshme,
që ti kurrë s’mundesh as me i shkel.

 

 

Kosova ime

 

Kosova ime, ta dua mykun e flladin pas shiut,
erën e bukës, koren e grurit të rreshkur;
t’i dua pullazet, tymin e zi, edhe krimbat,
që shinave të hekurta t’rreziten,
kur ti lan’ trupin tand beqareshe.

Oxhaqet i ke të nxira, streht’ e shpive me bar
ç’u shemben lugina e male. Luftë pas lufte,
lulet t’u rritën shtatit si rriqnat,
nuse me duvak e mbështjellë hakun,
prite djemtë. Kalorësit kurrë s’t’u lodhën,
emri yt: “Kushtrim bajraqesh mbi kulla”

Kosova ime ti s’ke kohë për gjamë, ke dasma
gjijve të butë, kur qumështi t’u derdh i vokët,
kanga jote u ba tel çeliku në sharki;
ta knuen gjithmonë buztë e njoma, djep pas djepi!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s