Poezi nga Myrteza Kasi
HERËT NË MËNGJES
Më zgjoi zilja si përherë,
Herët në mëngjes,
Këndezët-lajmëtarët e agimit,
Ende s’janë zgjuar.
E hapa perden e po shoh:
Tis i natës,
Gjith vendin ka mbuluar,
Qyteti ende dremit.
Dhe më ngjan,
Ky sfond i errët,
Si det i madh,
Si oqean.
Po ja, u ndez një dritë,
Edhe një, edhe një u ndez,
U bënë dhjetë…njëqind.
Këto drita në sfondin e errët,
Më ngjajnë,
Si anije, që nis udhëtimin,
Që të natës errësirën
Të çajnë.
Dhe unë mendoj:
Sa mirë, ne sot, sa mirë,
E nisim udhëtimin,
Të gjithë njëherit!
Që nesër Atdheu-
Të ndrijë gjithandej,
Si pasqyrë.