Poezi nga Teuta Osmani
Mos më uroni
Suksesin e dua, dua dhe vuajtjen
Dua të qarën, shpirtin të ndrijë,
si një lot fëmije
dhe më pas, më pas më thoni,
se nuk jetova,
pa dëshirat e dhuruara.
Më pas më thoni se nuk ekziston,
duke provuar të gjitha shijet
dhe më pas më thoni,
se je e ngopur,
kur të ndjehem e uritur
nga gjithçka do gjeni,
sepse është shpirti im,
që rend lartësive
Mos më thoni se do iki një ditë
Një ditë nuk është asgjë
para një jete plot dritë,
që mund ta gjej vetëm në poezi,
Suksesin e dua, vlerën, çmimin,
sa nuk dua asnjëherë zhgënjimin
Mos më uroni,
për të arriturat,
por mos më mohoni
për ëndrrat, shpresat
Suksesin e dua, dua dhe vuajtjen
Botë e një shpirti
Kam shkruar një jetë për mallin,
për gjuhen,
për bukuritë,
për gjithçka që më linte mbresa.
Kam shkruar në fletoren e bukurshkrimit,
të artmetikës
e të gjuhës shqipe,
që s’ më del kurrë nga mendja.
Kam vizatuar me ngjyra të lapsave plumb
e ndofta bizante të fëmijerisë së lënë në kohëra,
një botë me fantazi, me ngjyra të tejskashme
ngjyra që i përkisnin një jete të pafajshme.
Është bukur të jetoj me nostalgjitë e krijuara nga ëndrrat,
kur në çdo gërmë, fjalë apo ngjyrë
shprehte dashurinë e dhuruar nga ndjenja.
Kam shkruar herët tani e më vonë,
sa për çudinë e botës që kam në shpirt.
…
Më vjen të qaj e të ulëras,
kur disa hiqen që dinë të shkruajnë më bukur
dhe sa për bojatisje të shpirtit tim ,
shpifin deri, deri në hakmarrjen e shndërrimit të muzave.
S’ kam asnjë lidhje me paradoksale, me hipokritë apo cinikë
ku çdo gjë të bukur që shohin para syve
të tyre
u venitet drita, e verbohen.
S’ më pëlqen të pëlqehem,
kurrë jo të gezohem, prej likeve që më japin sikur detyrohen,
çdo gjë që kam e ndjej ta shpërndaj
s’ më hyjnë në punë borxhet, si fukarallëku në para.
Nuk sjell ndonje fodullëk,
lexoj disa përralla që hiqen se blihen,
nga unë kurrë s’ do shiten
por, as në raftet e mia vend s’ do kishin…
Perënditë
Jam në paqartësi, se dallgët vijnë nga ujërat ,
detet dhe oqeanet,
dhe nëse nuk shikoj se nga ku vijnë
nga cila zanafillë,
dhe në ç’ kohë
e mote, përshkojnë të tyret lartësi,
si një gjigande më duket se vijnë e ikin
nga sytë e mi,
si një pasqyrë hera herës më shfaqen përsëri,
si një dritë llambëruese më ndrijnë pafundësinë
dhe si e ngrirë porsi xhami më thyejnë këndvështrimin.
Kaluar kohës,
reve,
erës e furtunes,
shiut,
dëborës e ngricës,
s’ ka pikënisje të rrezeve të diellit që shndrijnë,
ku heshtin të tëra, edhe natën e ditën.
Një hënë,
një yll,
një jetë,
një dritë
të ngrira do jenë në përjetesi…
…le të presim,
se valët ripërtëriten nga erërat
e frymëve të perëndive që vijnë…!
E ndiej…
E ndjej freskinë e rrobës së sapoveshur
në trupin tim puthitur me lëkurën e nxehur,
lirshëm merr formën, si të ish ngjalë
në çdo ind, në çdo pore më ngjitet si zamkë.
E ndjej dhe sa herë lëviz në trupin tim
marrë zjarr, krahas ritmit të zemrës, gjakut që rrjedh ngadalë,
me jep mburojën e erërave që fryjnë
brenda dyerve të vetëmbrojtjes apo jashtë.
Trupi im është kështjella që mban vitet peshë,
ku si kambanë bie një tik- tak,
lëviz një jetë e lindur në gjak
e të tjera ka ripërtëritur, të qenurit mama.
Mbulohem e tëra me tekstilin e ifazmës
në gjatësi e gjerësi me masën e kohës,
e sjell ndër vete, se aty gjithçka gjen
të vendosura si një bust, në trupin e një femere.
Aty është bota, jeta, rrjedhja, gjallëria e vdekja
ripërtëritja e të shkuarit mall,
aty ish virgjëria, ndjenja, dashuria,
si një shkëmb i bardhë në rrjedhat ujëvarë.