HIDHNI DORËN NËNËS SUAJ ( Gjithë shqiptarëve kudo, në botë! ) / Poezi nga Myrteza Kasi

myrteza-kasi-1

Poezi nga Myrteza Kasi

 

 

HIDHNI DORËN NËNËS SUAJ

Gjithë shqiptarëve kudo, në botë!

 

Shqipëri, o zonjë e rëndë!

Kush të mori nëpër këmbë?

Gjysëm shekull ferroburgu,

Të shqeu me dhëmbë ujku,

Kush të shkeli, kush të shtypi,

Kush me gjak vendin e mbyti?

 

Kush të therri, kush të rropi,

Kush si kec në hell të poqi,

Kush të shau, kush të vrau,

Nga gjithë bota kush të ndau?

Shqipëri, o nënë e madhe!

Si e mban një det me halle?!

 

Kush të mpaku, të rrënoi,

Kush të shqeu, të coptoi?

U shkretove nënë e gjorë,

Mbete me trastë në dorë!

Për një palo ideal,

Të çuan në buzëvarr!

 

Mëmë nderin kush ta mori,

Kush si berr në treg të nxorri?

Kohën kush në vend ta ndali,

Mëmë, kush të ndau nga djali?

 

O zogj të Shqipes përmbi dhe!

Lanet, kush ju ndau nga ne!

Mallkim, kush na ndau nga ju!

Zoti i bëftë kërcu!

Jezit i kuq – biri i djallit!

Nën’ e bij dogji prej mallit!

 

Shqipe, kush t’i çarti zogjtë,

Si zogj korbash nëpër botë,

Nëno, jetën kush ta nxiu,

Nëno, trupin kush ta mpiu?

Komunferri -firauni!

Faraoni – tru majmuni!

 

O shqiptarë zemërbardhë!

S’ju vjen keq për nënën vallë?!

Është tharë e është tretur

Gjysmë e gjallë e gjysmë e vdekur!

Mos rrini larg si të huaj!

Shih, si sosi gjindja juaj,

Qindramijëra të dënuar

Pavarrosur, sakatuar.

 

Ne i themi nënës nënë

Të shkretuar mos ta lëmë!

Mos ta lemë si pa djalë

Midis territ ku ka rarë.

Hidhni dorën nënës suaj!

Mos e lini më të vuaj!

 

Shpejt, o djem nënën ta ngremë!

Nga mjerimi ku ka rënë!

Ju që keni sofrën plotë

Mbusheni dhe zemrën plotë

Kush në sofër ulet, vallë

Kur nënoken s’e ka pranë?!

Si ju hahet, si ju pihet,

Kur pa bukë nëna gdhihet?!

Të ngelt’ në fyt e bëhesh fir

Kur nëna rri të bën sehir!

 

Shqiptarë, kudo që jemi!

Të gjithë një mënëz kemi!

Shqipëri, e dashur nënë!

Të brengosur ne s’të lemë!

Ngreje kokën, mbaje lart!

Djemtë s’të lënë në baltë!

Bijt’ e tu kudo në botë

Siç i do, të duan fort!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s