SIKUR……ÇAMËRIA / Opinion nga Prof.Dr. Resmi Osmani

 

SIKUR……ÇAMËRIA

 

 

Resmi Osmani - 1

Opinion nga Prof.Dr. Resmi Osmani

 

Çështja çame, po të zhvishet nga ngarkesat politike, arkaike e reaksionare, falsikimet dhe qëndrimet dashakeqëse, raciste dhe ksenofobiste, që nganjëherë arrijnë deri në absurd, nga qëndrimet alergjike dhe refraktare, që mbahen nga disa qarqe shoviniste të politikës greke, problemi thjeshtohet dhe qartësohet: dëbimi nga trojet e veta i gjithë popullates shqipëtare myslymane me dhunë të armatosur dhe terror, ishte një kryqëzatë dhe spastrim etnik klasik, një gjenocid. E realizoi atë nacional-fashisti, gjenerali Napoleon Zerva,  bashkëpunëtor  i gjermanëve. Ky spastrim është një njollë turpi e historisë modern greke.

Qarqet e tanishme politike greke duhet ta flakin këtë trashëgimi të kobshme, si një mish i huaj nga trupi i tyre, t’i kërkojnë ndjesë popullatës çame dhe të hapin rrugën për zgjidhjen e këtij problem që plaga të mos mbetet e hapur.

2

Më së shumti ilegalisht, djemtë çamë janë hedhur matanë kufirit dhe kanë shkuar ta shohin Çamërinë. Për secilin prej tyre kjo ka qenë një  kuturisje jo pa  rreziqe. Ndryshe nga përfytyrimi romantik dhe i idealizuar, të ushqyera nga malli apo tregimet e dhimbsura të prindërve të tyre,  gjejnë një Çamëri tjetër. Ata janë mahnitur nga bukuria e vendit, nga anëdeti i mrekullueshëm i joint dhe qytezat e bukura çame të Gumenicës, Arpicës, Volës, Pargës e Prevezës. Janë trishtuar e kanë ndjerë dhimbje, kur kanë parë arat djerrë, ullishtet, pemishtet dhe vreshtat të degraduara e të braktisura, të mbuluara nga ferrat dhe drizat, si gjysmë shkretëtirë. Shtëpitë e tyre në fshatrat çame të rrënuara e gur mbi gur.Popullata vendëse, shqiptare ortodokse është e pakët në numër dhe e plakur, brezi i ri ka emigruar për të punuar në vende të tjera ku puna paguhet më mirë. Kullotat e bollshme shfrytëzohen nga vllehë ardhacakë nga mallet e Pindit. Pa asnjë mëdyshje, fshatrat dhe qytetet e Çamërisë së sotme, janë pjesa më e prapambetur e Thesprotisë historike dhe gjithë Greqisë. Burimet e saj dhe potenciali natyror në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit, presin dorën e pronarëve të tyre  të ligjshëm që të vihen në funksion të zhvillimit të kësaj krahine të begatë.

 

3

Trajtesa e mëposhtëme “Sikur…..Çamëria”, e sheh krahinën me një këndvështrim tjetër. Megjithëse ka disi karakter hipotetik e vizionar, parasheh si një realitet të mundahëm se çfarë do të ndodhte po qe se banorët e Çamërisë, do të ktheheshin në vatrat e tyre stërgjyshore.

Pyetja që mund të bëhet në këtë rast është: jo çfarë do të fitojnë çamët, por çfarë do të përfitojë Greqia, nga rikthimi i popullatës çame në krahinën e vet? Kësaj pyetjeje do të mundohem ti jap përgjigje reale e të besueshme duke u mbështetur në tërësinë e faktorëve: gjeografikë, demografikë dhe social-ekonokikë, në kuadër të një shoqërie demokratike, të hapur dhe shtetit të së drejtës.

Në gjirin e komunitetit çam në Shqipëri, bëjnë pjesë afro treqind mijë njerëz. Është një popullatë dinamike e vitale, e suksesshme, me moshë relativisht të re dhe plot kualitete. Ka nivel arsimor të admirueshëm, pa analfabetë e të paditur. Në gjirin e kësaj popullate është formuar shtresa e inteligjencës, që rrok të gjitha fushat e veprimtarisë jetësore dhe shoqërore. Ka midis tyre profesorë e doktorë, me tituj shkencorë akademikë, mësues dhe pedagogë, inxhinierë, ndërtues dhe arkitektë, gazetarë të talentuar, shkrimtarë e njerëz të letrave, artistë të skenës, piktorë, mjekë, agronomë e zooteknikë, veterinerë, ekonomistë e financierë, biznesmenë e sipërmarrës, pa folur për mjeshtëritë dhe profesionet aplikative, që  u takojnë gjithë sferave të jetës. Është një  bashkësi e talentuar, e cila në kushtet e demokratizimit të vendit,  ka gjetur shumë hapësirë për të paraqitur vetveten.

Këta janë çamët.

4

Nuk bëjmë asnjë gabim po të pohojmë se e krahasuar me popullatën ekzistuese (rezidente) të Çamërisë së sotme, komunitetiçam në Shqipëri, është më i ndriçuar, më i emancipuar, i pajisur me më shumë dije, më i talentuar dhe me aftësi vetorganizuese, që i ka Brenda vetes, gjithë kualitetet për të ndërtuar institucione të qeverisjes vendore, institucione kulturore e arsimore (pse jo edhe universitet) dhe një ekonomi të qëndrueshme e të zhvilluar në kornizën e legjislacionit grek (shtetas të të cilit do të jenë) duke gëzuar njëkohësisht edhe të drejtat dhe liritë e minoritetit shqiptar, një e drejtë kjo natyrore e pamohueshme në çdo vend demokratik.

Shpesh më kanë pyetur: sa pjestarë të komunitetit prej treqind mijë çamësh do të shkojnë në Çamëri, për tu vendosur në pronat, fshatrat dhe qytetet e tyre, dhe a i nxe të gjithë kjo krahinë? Vështirë ti jepet një përgjigje e saktë kësaj pyetjeje, por e përafërt, po. Janë disa faktorë që do ta përcaktojnë këtë rikthim: pjestarët e këtij komuniteti gjetën në shtetin amë atdheun e munguar, nga i cili u shkëputën dhunshëm, me të cilin i lidh gjaku dhe rrënjët historike, traditat, zakonet dhe kultura. Brezi i ri ka lindur këtu, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë janë vendlindja e tyre. Komuniteti çam është integruar me popullsinë vendëse të krahinave ku jeton, është lidhur me martesa, ka marrë e ka dhënë. Shumë prej tyre janë të suksesshëm në biznes, në veprimtari ekonomike, shkencore e administrative dhe e kanë ndërtuar jetën mbi bazën e veprimtarive që ushtrojnë. Ndërsa të gjithë janë të interesuar për pronat e atjeshme, duhet mbajtur parasysh se shumfishimi i trungut familjar, e copëzon këtë pronë. Është e besueshme se për administrimin e saj dhe për t’u rivendosur përgjithmonë në trojet e tyre, do të shkojnë kryesisht ajo pjesë e brezit të ri, që ende nuk e ka gjetur siç duhet vendin e vet në jetën ekonomiko-shoqërore dhe, pse të mos e themi, që gjendet në vështirësi. Në Çamëri do të shkojë pjesa më vitale e komunitetit, e cila e sheh atje të ardhmen e saj, por ata do të mbështeten fuqimisht nga pjesa tjetër që do të mbetet në Shqipëri, sidomos në aspektin ekonomik, të investimeve, për ta ringjallur e lulëzuar krahinën, për të krijuar bazat dhe infrastrukturën për një rikthim gradual të pjesës tjetër që do ta dëshirojë këtë gjë. Ky rikthim do të zgjasë në vite dhe do të jetë në varësi të kapaciteteve mbajtëse dhe ekonomike të  kësaj treve që do të përcaktohen nga burimet natyrore dhe vënia e tyre në përdorim.

5

Ç’farë do të bëjnë të rikthyerit në krahinën e Çamërisë, me se do të merren? Me shumë gjëra. Aq shumë sa është e vështirë të renditen, megjithatë ndër veprimtaritë kryesore mund të përmendim rindërtimin e fshatrave, sepse mbi rrënojat dhe gërmadhat e vjetra, do të ngrihen shtëpitë e reja, të bukura, komode, higjienike.te përshtatshme për një jetë të kulturuar, që do t’i ndërrojnë faqen vendit. Komuniteti i ka Brenda gjirit të vet inxhinierët, arkitektët dhe kompanitë ndërtuese.

Do të ngrihen qendrat social-kulturore dhe të shërbimev si shkollat, ambulancat dhe klinikat mjekësore, repartet e shërbimeve e gjithçka tjetër që plotëson kërkesat dhe nevojat jetike të një komuniteti urban dhe rural.

Sipërmarrësit e sukseshëm çamë do të investojnë në qendrat turistike të bregdetit të bukur(Gumenicë, Sajadhë, Arpicë, Volë, Pargë e Prevezë). Atje, përveç banorëve të krahinës, mund të verojnë edhe turistë nga Shqipëria e Kosova.

Krahina ka potenciale dhe burime të shumta bujqësore të klimës subtropikale. Bujqësia është njera nga degët e gatshme që me punë mund të vihet në lëvizje që në vitin e parë e të dytë. Objekt pune do të bëhen ullishtet, vreshtat dhe agrumishtet e braktisura dhe do të fillojë mbjellja e të rejave, do të zhvillohet njëherazi blegtoria në kullotat e begata natyrore. Ky zhvillim do të pasohet nga agroindustria, që do të përpunojë prodhimet bujqësore.

Vija e gjatë bregdetare e Jonit me skelat dhe portet e shumta, është një mundësi tjetër për zhvillimin e veprimtarisë së peshkimit dhe ihtiofaunës, mjeshtëri që djemtë çamë e ushtrojnë sot e kësaj dite në Sarandë, Vlorë e Durrës dhe duhet thënë që janë vërtet mjeshtra!

Çamërisë do t’i shndërrohet pamja : nga një krahinë e braktisur, e prapambetur, në një krahinë të përparuar, të zhvilluar e të lulëzuar. Ajo do të gjenerojë të ardhura e mirëqënie për popullatën e krahinës , por edhe të ardhura për buxhetin e shtetit grek.

Gjithë sa u tha, nuk do të bëhet as me shkopin magjik, as me urdhërin e peshkut! Përveç burimeve natyrore vetjake, do të duhet të jepen financime e kreditime nga bankat greke e shqiptare, pse jo edhe fonde grant nga KE. Janë këto mundësi të qënësishme potenciale dhe jo të hamendësuara që do të përdoren për rindërtimin dhe zhvillimin e krahinës.

6

Rivendosja e komunitetit shqiptar çam në trojet e tyre, brenda territorit të shtetit grek, parë në këndvështrimet e sotme dhe ato të zhvillimeve të pritshme, atë të integrimit europian, të një shoqërie të hapur, që respekton të drejtat, liritë dhe traditat për të ushtruar dhe zhvilluar kulturën, arsimin, të drejtën e informimit dhe të lëvizjes së lirë, do të shoqërohet me krijimin e shoqatave dhe njësive artistike e kulturore, të studimeve folklorike, shkencore e historike, do të organizohet media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Ky gjallërim I jetës ekonomike dhe kulturore do të bëjë që komuniteti i çamëve të rikthyer të rivendosë lidhjet e vjetra vëllazërore me komunitetin e çamëve kristianë shqipfolës, që sot druhen dhe nuk guxojnë të flasin gjuhën e nënës në mjedise publike. Atyre do tu jepet mundësia të deklarojnë përkatësinë etnike djhe të arsimohen në gjuhën amtare, të cilën e kanë ruajtur dhe e flasin aq bukur! Komuniteti shqiptar i Çamërisë, doemos do të mbajë lidhje edhe me ata mijëra emigrant shqiptarë që për arsye ekonomike punojnë e jetojnë në shtetin grek, duke ndihmuar e ndikuar që ata të ruajnë identitetin e tyre kombëtar.

7

Mund të parashtrohen edhe shumë gjëra të tjera mbi këtë temë, por gjithë sa u tha, megjithëse  hipotetike, por jo imagjinare, edhe pse ka brenda  edhe pak futurologji, është një këndvështrim tjetër, për të paraqitur se çfarë përfitimi do të kishte shteti grek nga rikthimi i komunitetit çam. Do të përfitojë një krahinë të tërë e cila do të dalë nga prapambetja dhe do të ngrihet e fuqizohet ekonomikisht, një krahinë të emancipuar e kulturuar, e cila do të jetë brenda territorit  dhe administrimit të atij shteti.

Me këtë gjendje të re të gjërave e fituar është Greqia. Do të krijohet atmosfera dhe klima që të shuhen mëritë e vjetra. Grindjet dhe mllefet do të hidhen pas krahëve si një trashëgimi arkaike. Midis dy vendeve dhe dy popujve do të vendoset miqësia e vërtetë e bazuar në mirëkuptimin dhe dëshirën e vërtetë për të jetuar së bashku në paqe. Kjo linjë është në përputhje të plotë me aspiratat evropiane në kuadër të integrimit të vendeve të Ballkani Perndimor në BE. Me veprime të tilla ndaj minoriteteve, ndërtohen lidhjet e miqësisë dhe urat lidhëse midis të dy popujve dhe jo me sllogane retorike boshe të politikanëve.

Është rasti, që në vend të mohimit kategorik për  egzistencën e problemit çam, apo histerisë antishqiptare të fashistëve të “Agimit të Artë”,qeveria dhe politika greke dhe opinioni publik i vedit fqinj, le ta shohin edhe në këtë këndvështrim problemin çam. Por  për të arritur deri këtu, do tu duhet që të zhvishen nga paragjykimet, mllefet, mëritë, rracizmi, ksenofobia dhe opinionet tabu e të paravendosura. Kuptohet kjo për ta nuk është e lehtë, por me dëshirë apo pa dëshirë, duhet ta bëjnë. Përndryshe ata nuk mund të jenë qytetarë të vërtetë evropianë.

Rruga e zgjidhjes së problemit çam, gjendet brenda së drejtës ligjore të njohur ndërkombëtarisht,(Kësaj nuk mund ti bishtnojë shteti grek) dëshirës së mirë humane e qytetare, me përpjekje dhe këmbëngulje të vetë komunitetit çam, me mbështetjen e opinionit publik mbarëkombëtar(pasi çështja came është pjesë e problemit tonë kombëtar) dhe doemos dhe domosdoshmërisht të qeverive shqiptare. Komuniteti çam në Shqipëri, që tashmë përfaqësohet nga një parti politike, duhet të jetë forca lëvizëse e këtij procesi, pa e lënë asnjëherë që të fashitet, ndërsa qeveritë, pavarësisht se kujt force politike i përkasin, duhet të japin mbështetjen politike , institucionale dhe diplomatike.

Është një aspiratë reale dhe jo utopi. Ajo kërkon angazhimin e tërë kombit. Këtë synon edhe rezoluta për Çamërinë e paraqitur nga PDIU për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Në mbyllje të kësaj trajtese, do të bëj pyetjen: çfarë humbet shteti dhe shoqëria greke nga kthimi i komunitetit çam në trojet e veta historike e të trashëguara? Asgjë,asgjë,asgjë! Janë vetëm të fituar, madje janë më të fituar ata sesa ata që rikthehen!

 

Tiranë, më 03.02.2013.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s