Poezi nga Myrteza Kasi
FLAMURI
Atë ditë kur Shqipëria u bë prap Shqipëri,
Dhe foshnjat u gëzuan në barkun e nënës!
Veç këlyshëve të bushtrës, si korba të zinj,
U zverdhej fytyra si drita e hënës.
Kur Plakut të Vlorës i ndriti në dorë,
Dhe nga shekujt flamurin përpjetë e ngriti,
Flatrat e shqiponjës e skuqën Nëntorë,
Dhe qielli i Shqipërisë në purpur shndërriti!
Pa u gëzuan shqiptarët kudo që qenë,
U gëzuan e qanë me lotë të nxehtë,
E gëzonin ata të ringjallur Atdhenë,
Që u lind e u ngrit sërishmi përpjetë.
Ndaj nisën arbëreshët ato ditë në Vlorë,
Një Flamur të kuq, qëndisur në ar,
Si gjaku i Arbërit, të vluar prorë,
Si gjaku i kuq, që u rrjedh në damarë.
E shkruanin ata me mall së largu,
E Flamur’ e Skënderbeut, që pesëqind vjet,
E mbajtën ndër zemra të kuq si gjaku,
E dërguan të valojë në truallin e vet!
“Ngrijeni, vëllezër, në Shkodrën tonë!
Mbi kështjellën e lashtë të Arbërisë trime!
Dhe zemra jonë, si dallgë do të gufojë!
Si palët e flamurit plot ngazëllime”!
Gëzojnë bijt’ e shqipes që nëna u ringjall,
Po bushtra kish pjellë dhe këlysh të zinj,
Një Esat Toptan – një rufjan bastard,
Ua dorëzoi Shkodrën gospodëve malazinj.
Përtej detit arbëreshëve zemra ç’iu vra!
E urrejtjen e mallkimin e ngritën sa një mal:
“O renegat, o turkoshak , o Judë pasha!
Nga cila sisë bushtre, ke pirë ti vallë”?!
Eh sa herë e shiti pashai Shqipërinë!
Gjersa dor’ e Avniut si kërmë e la!
Ndaj Shqipëria i dhuroi një plumb për tradhëtitë!
E kurrë një grusht dhe nga i saj nuk i dha!
E ndërsa Esat Pashës nën dheun e zi,
I krakëllinë korbat mbi varr në Paris,
Krenar Flamur’ i Shqipes valon në ajri,
E kudo shqiptarët i gëzohen Shqipërisë!