KOHË E LARGËT
” Jo të gjitha kujtimet dhembin!
Disa na gëzojnë! “
Nga Mimoza Çekiçi Rista
Dhjetori te unë ka disa vite që vjen ndryshe, vjen si një kohë e largët, e humbur tutje në greminën e kohës. Njerëzit në dhjetor, përgatiten për festa, stolisin pemën e krishtlindjeve, planifikojnë dhuratat, gjejnë me mend dyqanet ku do të bëjnë Pazar, thurin plane për vitin që pritet e, në shpresën e gjithsecilit, më siguri është më i mirë se ai që po ikën. Ndërsa mua dhjetori më shpie nëpër ca shtigje të vjetër kohe, më ngjall histori dhe kujtime, për një kohë dhe për njerëz që ishin dhe s’do të jenë më kurrë.
Në një fund dhjetori, kur isha pak me shumë se dhjetë vjeçe, ndodhesha në makinë me tim atë diku në të hyrë të Prrenjasit, kur na përfshiu një rrebesh i fuqishëm shiu. Qielli i tërë kishte zbritur poshtë, aq poshtë sa dukej se pas pak do të shembej në tokë. Rruga ishte pothuajse e zbrazët dhe vetëm tutje nën strehet e një barake dallova uniformën e një polici trafiku të mbështjellë me mushama që u hukaste duarve. Babai, i qetë dhe i kujdesshëm, ecte ngadalë me sy të ngulur në zemën e mjegullës së dendur që mbështillte faqen e malit. “Do të kemi borë në Qafë-Thanë”, – tha mendueshem, sikur po i pohonte një të vertetë të pashmangshme vetes. U kthye nga unë dhe buzëqeshi. Gjeli i detit, këmbëlidhur, që e kishim vendosur poshtë këmbëve të mija, përplasi përtueshem njërin krah dhe u rehatua sërish. Unë ende kisha në mëndje fytyrën e djalit të fshatarit që i shiti babait gjelin, sytë e tij të përhumbur e të pakënaqur, ndoshta ngaqe imatë po i merrte të parin e tufës së shpendëve, gjelin lafshkuq e kapriçoz, që mbushte oborrin me zërin e tij të çjerrë e të shëmtuar, por që gjithsesi ishte një zë jete. Me disa te holla gjeli i tij u bë yni.
Dalëngadalë, ndërsa ngjitnim kthesat, ashtu siç kish parashikuar babai, shiu u shndërrua në borë. Kur mbrërritëm në majë gjitçka zbardhte. Aty dimri dukej i egër, dëbora e dendur deri tutje ku gjithçka humbiste në mjegull; liqeni, fshatrat, shpatet e maleve, pemët qyteti tutje.
“Ndalojmë”, tha babai. Frenoi me forcë ngriti frenat e dorës në rrugën e rrëshqitshme, hapi derën e kabinës dhe zbriti dhe në atë cikmë të ftohti nxorri zinxhirët dhe filloi ti vendoste mbi goma. Flokët e dendur të borës i binin në flokë, mbi jakën prej gëzofi, në qerpikë. Unë zgjata kokën te xhami i makinës, po shihja vetëm kurrizin e tij të përkulur të mbuluar me fjolla bore. Mbasi i vuri katër zinxhirët, shkundi dëborën nga flokët dhe nga rrobat, fërkoi duart e skuqura nga i ftohti dhe u ngjit në kabinë. Unë zgjata duart e mija të vogla të ngroh duar e tij të mëdha, hukata mbi to frymën time të ngrohte, qëndruam pak ashtu e babai i buzeqeshur ndezi makinën. Më vështroi me bisht të syrit dhe rrotulloi timonin, duke filluar zbritjen ngadalë te tatëpjetave. E pyeta ke më ftohtë baba? ai, pa e larguar vështrimin nga rruga, m’u përgjigj – sa të të kem ty pranë, nuk do të kem ftohtë kurrë.
Vonë pasdite mbërritem në shtëpi dhe babain, më shumë se zjarri që nëna e kishte ndezur si din vetem Ajo, e ngrohu buzëqeshja e saj, që dukej se vinte nga thellësia e shpirtit, pas gjithë atyre orëve të shqetësuara të pritjes kur minuta i ngjan shekullit.
Athinë 5 dhjetor 2015.




























Leave a Reply