Poezi nga Vullnet Mato
ZËRI I NJË NËNE NGA TROTUARI
(Një nënë me katër djem emigrant në
Greqi dhe një vajzë të martuar në Fier
ka mbetur pa shtëpi, dhe fle në
trotuarët e Tiranës)
O ju bijtë e mi, të ikur në arrati,
s’u kërkoj asgjë, po vetëm u pyes:
A e dini se keni qenë dikur fëmi,
ardhur nga pikat e gjakut tim në jetë?
A e dini se lindët sa një copë mish,
dhe u mëkova gjirin tim të ëmbël,
si një luaneshë, me pesë këlyshë,
derisa ju ngrita, të lëvizni këmbët?
A dini se çdo qelizë e trupit tuaj,
është gjysmë qelize nga trupi im,
derisa nga qingja, ju bëra si buaj,
të merrni udhët për në mërgim?
A dini se të mos ftoheshit në trup,
hoqa leckat e trupit tim të vrarë,
për të fjetur ju në shtrat të butë,
dhe mbeta të flë vet në trotuar?…
Nuk u kërkoj asgjë, derisa të vdes,
vetëm të mos e dinë fëmijët, dua.
Të mos u shpërblejnë me këtë harresë,
siç ma shpërblyet ju të gjithë mua!…





























Leave a Reply