Poezi nga Rexhep Hoti

Poezi nga Rexhep Hoti
 
 
S’mund të rroj me zemër…
 
Si plaku i vyer që thur një gardh,
M’i mbyll të gjitha shtigjet;
S’kanë kah kalojnë mendimet e mia për ty;
Mëri mos më mbaj, më thua,
E zëri i mbushur me dridhje tingëllon krejt faj.
 
Po!
Zemra ime është e krisur!
S’dua ta honeps aspak;
Oh, krejt kot e ka ajo!
Përse rrahjet i tmerrohen aq keq
Kur ti t’i kalosh vetëm përskaj!
 
Nuk mund të rroj me zemër në Kosovë!
Gjithandej shoh gjurmë dhëmbësh me helmim;
Mos ma ligështo kundërshtimin;
Thyhem kur të bie prej teje në mijra grimca,
Mos më dashuro!
Koha për ne është një mashtrim!
 
Oh, nuk ke stinë për mua!
Mbi pllajat tua shtrezon veç brymë
E perëndimi në atë shkëlqim me ëmbëlsi qesh;
Qysh tash kam vaj nëpër ndjenja unë;
Nuk e di ku ta fsheh,
Nuk e di ku t’i humb
Kur ti më të mos jesh?!
 
Mos ma lërë prapa kohën e dashuruar,
Pashë atë Diell!
Mos ma zhvirgjëro gjoksin e gufuar,
Pashë atë qiell!
S’mund të jetoj më pas,
S’mund të vdes!
Pashë atë dhé,
Ik, pa kthim,
Kurrë, i imi s’je!
 
 
 
Pushtim i vështirë!
 
Magjinë e Diellit e ke pushtuar më lehtë
Se Zeusi kur e mori nën sundim fronin e Zotit;
E ke vënë në buzëqeshje në anën e djathtë të buzës,
E ke derdhur si krua,
Të lanë duke të bekuar nëpër trupin e bukur,
Teksa e mban mollëzën e majtë me pëllëmbë,
Skajuar në qendrën e botës,
Aty është ai mes
Kudo që ti rrezon,
Me fustanin e ngjyrave këmbën përmbi këmbë!
 
Më ndalon të hyj në portat e qytetërimit të pashkelur,
Ke frikë ta pranon zjarrin e fjalëve që prej poetit mbijnë;
Ndjenjën e shpërfill me Kushtetutën e varfanjakëve,
Të mjerët i vunë shpërthimit të zemrës ngojëz,
S’janë rritur njerëzit ende,
Ajo s’ecën dot e vetme e lirë,
Duket krejt e kotë pesha e frymëzimit;
 
S’mund të mugullojë e veshur
Nga avulli i fjalëve të mia;
Mbi melodinë e ndjenjave
Vallëzon e lirë dashuria!
 
Je strukur rrëshqanë në marsin që ndan stinët,
Me guxim të papërmbajtur natyra të zhveshë në minifund,
E ndjen gjuhën e çarjes së luleve gjersa çelin
Mbi shtrezën e tejdukshme të bardhësisë së kristaleve
E në fytyrë të bie një valë e kuqërremë,
Pa dashje pëshpërit nga thellësia ku buron fuqia jote:
Inteligjencia nuk ka mend!
Ajo e bartë të bukurën në vetvete,
Si mëkatare e veçantë e kësaj bote!
 
 
 
Oqeanet balsamosin vetveten
 
Kot i vështroni dallgët ujore,
Ju nuk i vini re zënien që e kanë;
Edhe kur me shkronjat e panelit i pikturoni ato,
Perëndimin e Diellit ia veni pas shpine
E zhytja e zjarrtë,
Si një buzëkuq i pavëmendshëm,
Nuk rri nga puthja e egër mbi buzë,
Përthyet mbi syprinë ngado.
 
Hepohet thellësia e frikshme oqeanike,
Stuhia derdhet në pamje pafund;
Kapiteni i Anijes humbohet me zakonin e lashtë,
Gremisjen e vetme me salutim s’e sheh askush;
Pas therorit vije qetësia e tejdukshme,
Kthjellohet befas qielli,
Si të kishte bërë një dush.
 
Përse shkumohen valët në breg
Kur vrapi i tyre merr fund?!
Tokësorët inteligjentë s’e thonë,
Po fajin ia vënë Hënës;
Xhelozia ka gjithmonë etje për flirt,
S’është vetëm hakmarrje;
Zemërimi i lagshtë pikon prej shkëmbinjve pikë-pikë,
Atë vaj të braktisur e puth lehtas një bundë.
 
Oh, nuk e kuptoni ju dot gjëmimin e detit,
Më falni, artistë!
Uturimën e nxjerr njelmësia e kaltër oqeanike
Prej mërzisë;
Është lodhur fytyra e saj prej shikimit qiellor,
Duke i qëndruar kupola përjetësisht si pasqyrë
Përmbi
Marrëzisë!
 
Megjithatë ujësia tejoqeanike
S’qelbet nga pafatësia e gjithësisë;
Aroma e kripësuar e balsamos vetveten vazhdimisht;
Ajo e ruan fshehtësinë e rron me vuajtje;
Prapa yjeve me pamje sterile miliarda vjet dritë,
Përplaset në trurin e lëngshëm misteri i paanësisë!
 
©rhoti.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s