Poezi nga Bilall Maliqi

Posted on June 29, 2018

0


Poezi nga Bilall Maliqi

 

HIJA E HESHTJES

U shkreha në vaj
Kur t’i pashë sytë e përlotur

S’pati kohë për pyetje
Ato u futën brenda habisë

Asnjë zë s’të doli nga goja
Hija e heshtjes të bëri roje

Rrija i qetë para portës
Kur ëndrra u përpi nga epilogu.

 

LIND E IMJA SHPRESË

Shpresë lind edhe njëherë
Sikur rrezet e diellit në mëngjesin e zgjuar

Shkrepe me shkëlqim vetminë e fshehur
Nëpër skuta të errëta ngrehinash të zeza

Përbirohu tejpërtej gërfyellit
E pusho në pushimoren e shpirtit tim

Bëhu pronë e fronit të qiellit
(E) fal kudo dritë mbi errësirën mashtruese

Lind edhe njëherë e imja shpresë
Hapi udhët drejt karvanit të bardhësisë.

 

MASHTRIM

Pamë në ëndërr udhën e Parajsës
(E) ndryshe (na) doli

Shikimi në pikë të ditës na u nxi
Kujtesa (tani) veç shpresa polli

Ëndërr me mbështjellës mashtrimi
Të voglit gëzim kokën ia drodhi

Në perëndim shpresat i varëm
E korbi prapë të zezat na i hodhi.

 

ME SY KAH UJI…

Me sy kah valët e krihura të ujit
Në të sajën gjerësi
Shoh portretin tënd të buzëqeshur

Ç’rehati gjejë në timin shpirt
Tek përkundet
Qetësisht mbi barkun e valëve

Më gllabëron ajo freski
Në të shpirtit thellësi

Nga sytë (bojë) liqeni
Përpihem i tëri
Si nga sytë e tu që ia vodhe qiellit

Asnjë fjalë se fola
Memec u bëra para Asaj bukurie
Që m’kaltëronte edhe mua

Me sy kah ti
Ulem në prehrin e një vale
Me një kujtim të shprisht

Shoh trupin tënd
Tek përkundet para meje
Në dëshmi të rrezeve të diellit

Ti nuk flisje
Të përpiu heshtja e fjetur
Sikur hijet brenda thellësisë
Që nuk bëzajnë, as psherëtijnë

S’dëgjohet asgjë
Brenda barkut të liqenit
Asnjë ofshamë
Veç ruhet me shumë xhelozi
Një vjetërsi…

Posted in: POEZI