Poezi nga Leonora Lokaj
Pa titull
Po e marrin gurin e vatrës
të plasur nga barra e shekujve,
vendin ku malësori hiqte plisin e bardhë
dhe pushonte kokën,
e sytë e mallit plasnin mbi shkëmb…
Po e marrin gurin e plasur te vatrës,
vendin…
ku edhe hëna gjinjshtrydhur
ushqente zanat
dhe u këndonte ninulla maleve!
Po i marrin
brigjet ku derdhur kam
lumin e shpirtit,
e gjethet e vjeshtës së thinjur
nuk po rilindin n’ stinën e re…
Lisat kanë mbetur të zhveshur
me ëndrrat e fshehura
nën qepalla,
duke ëndërruar një tjetër stinë
të qelë mbi këtë dhe…
Oh! Po na e shesin shpirtin bre..!
ERDHE PA KOHË
Erdhe pa kohë,
stuhi dilemash krijove,
dyndjet shtatgjata
rrënjë lëshuan
brenda shpirtit,
pangopësia vrau ëndrrën…
Pa kohë erdhe,
si gurë gdhendurit mitik,
kështjellë ndërtove,
statuja gjigante ngulite,
si piramidë Keopsi le gjurmë
në këtë kohë pa emër.
Nata më digjet në sy
Si trokth kuajsh në arratisje,
retë këmbëshpejta sonte,
në rrjetë merimange
nusërinë e hënës robëruan.
Unë mbeta vet
pa hënë, me yje shuar
veç me natën që digjet
në sytë e mi…
Kujtimet e thinjura
ranë në gjumë me vetminë,
etja u shumëzua,
e malli u ngrit në katrorë…