MONSTRA MEDIATIKE E SHQIPTARIT TË SOTËM / Nga: Hamit Taka

MONSTRA MEDIATIKE E SHQIPTARIT TË SOTËM
 
 
Nga: Hamit Taka
 
Shkas për këtë shkrim u bë ngjarja shokuese në shkollën “Rilindja” të Kavajës, ku një adoleshente 13-vjeçare ishte dhunuar seksualisht e sistematikisht nga adoleshentë të shkollës së saj. Nuk do të jap mendime as për ngjarjen, qysh e tek dhe as për pasojat. Unë personalisht mendoj se problemi qëndron te modeli që u paraqet shoqëria dhe u serviret nga mediat fëmijëve dhe të rinjve të sotëm. Mund ta filloja nga nga viti ’90, kur ndodhën ndryshime të paimagjinueshme në psikologjinë individuale dhe kolektive, por do ta filloj nga fundi i viteve të dekadës së dytë të shekullit XXI. Vetëm para një viti në shkollat 9-vjeçare u zhvillua një anketim, ku do të nënvizoj tri pyetje: e para, A keni bërë seks, përgjigja me PO ose JO. E dyta: Në se po, çfarë seksi: NORMAL, ANAL apo ORAL; e treta: Në se Po, sa herë, përgjigjja me NJE HERE ose DISA HERE. Nga shoqëria pati mjaft debate dhe kundërstime të ashpra, por Ministria e Arsimit dha përgjigjen se anketimi kërkohej nga BE. Prapë dukej e pabesueshme, por, sidoqoftë, anketimi u bë dhe diku, ku pati reaksion të fortë, nuk u bë. Ky anketim, nga shteti e jo nga shoqata, që merren për qëllime studimore me probleme të natyrave të tilla, për mua, legjitimon kryerjen e aktit seksual nga të miturit dhe adoleshentët.
Jo para shumë kohësh, një “studiues” në një televizion me audiencë të madhe tek ne, thoshte, gjoja me shifra zyrtare, se 68% e djemve në shkollën e mesme pranonin se kishin bërë seks, 40% e tyre më shumë se një herë, dhe rreth 30% vetëm një herë. Jam i sigurtë se shumë nga këta gjimnazistë ia fusnin kot nga frika se mos nuk dukeshin djem “të kohës”. Po kështu u dhanë shifra, disi më të rezervuara , për vajzat. Shumica e pohuesve pretendonin se partnerë kishin patur shokët apo shoqet e klasës dhe të shkollës. Si të tillë do të përmendja edhe rastin mjaft të ndjeshëm nga dhënia e çmimit të parë vëllimit me poezi të Rita Petros, “Vrima”, ku poezia me të njëjtin emër ishte një joshje e hapur ndaj lexuesve të rinj e adoleshentë për seks real.
Brezi ynë i ri, të rinjtë tanë, fëmijët tanë kanë nevojë për modele, që mëshirojnë progresin shoqëror, i frymëzojnë për vullnet dhe entusiazëm në vektorin e përparimit. Ama shoqëria nuk ka nevojë për VIP-a e modele të rinj shqiptarësh, që jepen si shtazë pas degjenerimit seksual, porrnografisë, ambicieve parazitare apo pas qejfeve në kurriz të prindërve. Realitetin e periudhës postkomuniste e njohim të gjithë. Problemi qëndron në atë model që ne po ju ofrojmë fëmijëve tanë. Dhe kur media ofron degjenerim, është e drejta e çdo shqiptari të mbrojë vlerat tona historike dhe morale. Unë nuk mund të quaj hapje dhe pasurim të kulturës shpirtërore apo shëndetësore një emision të orës relativisht të vonë, ku një mjeke rreth 45-50 vjeçare, fliste me pasion para adoleshentëve dhe të rinjve në studio, se virgjëria është një tabu dhe prishja e saj nuk është as anormalitet e as mëkat. Mjekja fliste me aq pasion sa dukej sikur eksitohej nga fjalët e veta. Edhe psikologu pjesëmarrës, relativisht më i ri, i ftuar në emision, i pohonte me tërë gjymtyrët dhe shqisat e tij këto xhevaire. Dhe më e neveritshme ishte pyetja: Hë, si mendoni ju , mund të prishet virgjëria që në adoleshencë? Pasi të pranishmit hezitonin të përgjigjeshin, pyetja theksohej: Po apo jo? Të intervistuarit, pasi zbulonin mendimin e referuesve, përgjigjeshin me një “po” të thatë. Atëherë drejtuesit e emisionit ndiheshin të lehtësuar dhe si babaxhanë i këshillonin: Veçse duhen marrë masa kundër shtatzanisë së padëshiruar. Dhe i këshillonin të merrnin mbrojtës edhe i udhëzonin se si t’i përdornin. Deri sa u gjend një student i gazetarisë, që nuk duroi dot më dhe me një dozë humori, dha një përgjigje, që i vuri në pozitë të vështirë mjeken dhe psikologun: “Mirëpo problemi im është se si do ta marr vesh unë, kur të martohem me të zhvirgjëruarën, se jam i tridhjeteteti apo i tridhjrtenënti në radhë?” Po aq asgjësues për moralin që kultivonin biseda e mjekes dhe psikologut ishte përgjigjja e pyetjes që u drejtohej djemve: ju do të martoheshit me një vajzë virgjëriprishur? Të gjithë jepnin përgjigjen kategorike: Jo. Edhe ky informacion para publikut, duket sikur bën përpjekje për legjitimimin e mardhënieve seksuale në shkolla. Me ligj është lejuar edukimi seksual përmes lëndeve edukative seksuale në një pjesë të caktuar të zhvillimit arsimor, por jo duke ç’informuar apo duke krijuar modele të gabuara mediatike.
Çdo popull ka cenet e tij në individë të caktuar të popullsisë, por, me purifikimin e veseve dhe paraqitjen e tyre pa pikë etike mediatike në mediat e kohëve të sotme, ne po shpërfytyrojmë dhe po riformojmë një model të ri shqiptari: shqiptarin pa moral, të zhveshur fizikisht dhe mendërisht, një model makabër dhe karikatural “bashkëkohor”. Gjoja me një vullnet të mirë për një monstër antipod i “njerut të ri” të krijuar nga diktatura, që ishte një specie ideologjike, e konceptuar dhe modeluar si njeriu që ndryshonte krejtësisht nga njeriu i paradiktaturës, domethënë nga modeli historik i shqiptarit. Ky njeri “modern” është në fakt një truk delirant mediatik, një kompleks paranojak e dinak, për të goditur individualitetin e secilit, por sidomos esencat e tij kombëtare. Tipari thelbësor i këtij njeriu mediatik është një ekstazë erotike dhe seksualiteti, përqeshja e moralit tradicional dhe çdo trashëgimie kulturore në veshje, sjellje e paraqitje. Lakuriqësia, seksualizmi dhe VIP-izmi në mediat tona patën e kanë një jehonë të çuditshme, të qëllimshme, njëkohësisht të neveritshme. Të rinj analfabetë, pa asnjë vlerë shoqërore, ekstravagantë, që s’e kanë për gjë të demonstrojnë antivlerat kombëtare, shpallen papritur “trim mbi trima”, duke u vënë në qendër të vëmëndjes mediatike, ndërsa të rinj të talentuar e të përkushtuar, me vlera të mirëfillta të kombit, lihen në hije, madje duhet të mësojnë nga qënie të tilla të mjera, nga subjekte të tilla boshe, nga hibride të tilla surrogate të propagandës mediatike.
Kjo nuk është hera e parë që modeli moral historik i shqiptarit degradohet. Degradimi rrënjësor filloi nën diktaturën e proletariatit, që krijoi etalonin e “njeriut të ri”. Për 45 vjet rresht ne ishim vendi më i izoluar në Europë dhe dihet se izolimi e denatyron individin dhe shoqërinë. Kështu që edhe hapja jonë nuk ishte një hapje porte nga dalin kush dëshiron të dalë me rregull e kulturë, por ishte një prishje digash nga vërshuan turmat e papërmbajtura. Të verbuar nga errësira dhe të lëbyrur nga drita, humbën sensin e së mirës dhe të keqes. Dhe e keqja absorbohet më lehtë se e mira. Kështu, ikanakët nëpër botë, para së mirës, jo rrallë zgjodhën të keqen. I neveritur nga kafazi moral e shpirtëror i diktaturës, brezi i ri mësoi të keqen para së mirës. Ai u lëshua pa fre mbi ato që quheshin “mollë e ndaluar”. Edhe ata të rinj, që zgjodhën të mos e braktisnin vendin e tyre, të gjendur nën bombardimin e mediave elektronike, internetit, gazetave e revistave me informacione dhe pornografi të çdo lloji, të dëshirës për t’u bërë VIP-a e për të provuar çdo lloj “molle të ndaluar”, natyrisht që nuk mund të ishin në gjendje vetvetiu të ndërtonin sisteme morale të qëndrueshme, që janë në gjendje të ndajnë të mirën nga e keqja, të lejueshmen nga e palejueshmja. Të tilla barriera duhet t’i ngrejë tërë shoqëria në bashkëpunim me shtetin e vet, shkollën, fenë etj. Por askush nuk mund të mohojë rolin e padiskutueshëm të medias, sidomos asaj elektronike.
Nuk mund të anashkalojmë qëllimin e mirë të paraqitjes së realitetit objektiv të të riut shqiptar dhe shoqërisë shqiptare nga mediat tona. Por jo në mënyra të tilla, duke mbledhur steriotipe thjesht për audiencë mediatike dhe qëllime komerçiale. I riu shqiptar nuk është ai që na serviret në tipe të tilla të një “reality show”. Ca VIP-a mendërisht sterilë, si këngëtarë, prezantues, humoristë apo figurantë në emisione të pëlqyeshme, kryesisht nga soji i Big brother-it. Kështu mbetet në harresë puna krijuese dhe sqima morale flijuese e dhjetra e qindra të rinjve, intelektualëve të ndershëm, biznesmenëve të suksesshëm, shqiptarëve të rrallë në botë në fushën e shkencës, të artit e të kulturës apo talenteve të ardhshëm të strukur mbi librat, eksperimentet apo krijimet e veta, duke punuar aq shumë në orët e tyre të vetmisë dhe të përkushtimit. Modele të admirueshme dhe që u kundërvihen atyre që përmenda për keq janë emisione të tilla, si “The vois of Albania”, “X factor”, “Tjetri”, që nuk di pse u mbyll etj, sa për pak shëmbuj pozitivë.
Nëse ne lejojmë që vlerat tona shekullore dhe qytetare të nëpërkëmben, atëherë po krijojmë me dashjen tonë çdo lloj degjenerimi që na shitet si “liri individuale”. Sepse me të njëjtin mentalitet të “lirisë individuale” mund të justifikohen edhe pedofilitë deri në shkolla. Nëse ne nuk dimë të edukojmë mediatikisht brezat pasardhës, me qëllim ruajtjen e vlerave, atëherë ne jemi të degraduar si popull dhe nuk kemi më shumë vlerë se kafshët. Njerëzit nuk vishen thjesht nga kushtet atmosferike. E pikërisht në këtë zhveshje trupore dhe mendore, që paraqesin disa media, pa pikë etike mediatike, fillon edhe krijimi i shembullit fiktiv i shqiptarit të nesërm. Shoqëria ka rregulla, por disa media paraqisin një lojë psikologjike pa rregulla, me pretekstin e emancipimit të kulturës shqiptare. Por, nëse zhveshja dhe degjenerimi qenka emancipim, kafshët janë shumë herë më të emancipuara se ne… Të rinjtë shqiptarë dhe tërë shoqëria jonë nuk mund të pranojnë kurrsesi një zhvillim mbrapsht të moralit tonë tradicional e njerëzor.
Ne ende e kemi para sfidën e Europës. Vërtet është fakt se, në planin politik dhe ekonomik, Shqipëria vetëm pas rënies së diktaturës komuniste u fut në strukturat europiane, në të cilat duhej të merrte pjesë prej vitesh. Por nuk është aspak e vërtetë se, në planin intelektual e shpirtëror, Shqipëria e “zbuloi” Europën këto 25 vitet e fundit. Shqipëria jo vetëm që është “produkt” dhe sekrecion i Europës, por ajo është në zanafillën historike të Europës. Ishte një ndërprerje gjysmëshekullore, që vendit tonë i kushtoi jo pak, por, në gjithë shekujt që kemi lënë pas, ne jo vetëm kami pasur një kulturë europiane bashkëthemeluese, por edhe një doktrinë morali, që e zbatonim, duke u paraqitur para Europës si komb me vlera të spikatura. Kultura jonë duhet të jetë pjesë e spikatur në spektrin kulturor të Europës së Bashkuar dhe jo e tretur Brenda kulturave të tjera.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s