Shën POETËT për SHENJTORET – NËNA / Përgatiti materialin Iliriana Sulkuqi

Shën POETËT për SHENJTORET – NËNA

( mbi 250 poezi të mbledhura , nga poetë të të gjitha kohëve , nga të gjithë kombet, të botuar deri tani në dy vëllime”Karvan Dashurie, vëllimi tretë në proces… ) Sa për të shenjtëruar DITËN E SOTME, po ju dhuroj për lexim, pak autorë… Në vazhdim të festave të ndryshmë gjithmonë do të na shoqërojnë edhe autorë të tjerë …)

 

Përgatiti materialin Iliriana Sulkuqi

 

Betim Muço

ROJE DASHURIE
Artës

S’e kam menduar kurrë
Ç’ke qenë tamam për mua
Se të jesh vetëm nënë
Ndoshta s’është mjaft
Siç s’është mjaft të jesh mirënjohës
Vetëm pse je sjellë në jetë

Pa ty shtëpia është bosh
Të huaja të bëhen të gjitha orenditë
Dhe fjalët e tua të lodhura, të buta
Dalin si flutura të bardha
Kur bie heshtja e natës

Në cep të syrit tim ke qenë
Kudo në jetën time
Ku qeshë e ku shkova
Dhe ekzistenca jote e pa rënë në sy
Si fryma ishte që duket e rëndomtë

E dimë vallë
Që me ty që ikën
Ne kemi humbur
Një roje të pazëshme dashurie?

 

Faruk Myrtaj

Në qiell e nën dhè, nënë moj…

E dërguara e posaçme e qiellit në tokë
mëkëmbësja e Zotit këtu poshtë
qiellorja që ka zbritur dhe nxiton të ngjitet para nesh
nëna-zoti ynë, krijuesi, përjetë.

Hapim sytë, foshnje, dhe nisim e qajmë
Gjersa qetësohemi në prehërin e saj,
Por ja që ardhka një kohë t’i mbyllim sytë
dhe sërish të qajmë…

Mbarojnë punët e nënës dhe niset për diku
I mbylli sytë, e mira, të mos na shohë në lotë
Provojmë të mbetemi edhe pa nënën
edhe pa mëmëdhè, në këtë botë…

Symbylltazi, sikur lozim,
si fëmijë e kërkojmë
Ikjen përgjithnjë, s’e besojmë…

“O nënë…”, kur trishtohemi, “nënëzo…” kur gëzojmë.
Nën dhè e në qiell Nënë,
Nënë moj…

 

Frederik Reshpja

ZEMRA IME

Në asnjë dorë të botës nuk më zë gjumi.
Isha mësuar me kokën në duart e tua.
E ke ditur që kam diçka nga deti;
Breg më breg dhe gjumi nuk më zë.

Dua të shtrihem dhe të vdes,
Po vjen ti dhe nga balta më ngre.

Kur male të tëra dot s’na ndanë,
Si do na ndajnë dy grushta dhè?
Ah, isha mësuar me kokën në duart e tua,
Tani dhe brigjet më gjumi nuk i zë.

 

Visar Zhiti

ME NËNËN TIME NË VATIKAN

Për dore e kam zënë si një fëmijë të habitur,
sikur unë të jem më I madh. Nëna ime me ato flokët kurorë, si përherë të lidhura gërshet
mbi krye, tufë rrezesh të bardha nga jeta e saj,
Gjithë kjo rrëmujë e bukur, më thotë , po rrugën
a e di? I njeh statujat të gjitha së Shën Pjetrit?

Një pëllumb nga pëllumbat e shumtë në sheshin e madh
sikur qielli të ishte ulur në tokë, shkoi te portat e rënda
dhe lajmeroi ardhjen e nënës sime, ishte hera e parë,
kurrë jashtë atdheut s’kishte dalë, edhe pse vajet e saj
kanë udhëtuar nëpër botë, është ballkanase ajo
dhe ne jemi bijtë e një nëne të murosur në kështjellë.

Statuja e Shën mërisë la krishtin statujë të shtrirë
te shkallët dhe u çua t’I uronte mirëseardhjen.
Sa mirë kuptohen gratë! Nënat ca më mirë.Sikur
t’I kuptonim dhe ne po kështu martirët! Ua , im shoq
këtu, klithi nëna ime, paksa lënë mjekër, qysh erdhi
nga vdekja? (paska aparat fotografik në dorë,
hedh blice mbi ne si vetëtimat.) Foli tyt eti! Është hija
e Mikelanxhelos, përgjigjem unë. Nëna ime në Vatikan,
po bien këmbanat në nderim të saj. Balerinat prej uji
të shatërvanit nisën të vallëzojnë. Një ikonë
doli nga kornizat e arta. Mund të çlodhej nëna ime
aty, e lodhur nga rruga e gjatë, e denjë mes shenjtorëve.

 

Roland Gjoza

NENA 80 VJEÇ

Me diabet, nëna
S’ka më fuqi të gatuajë ato gjellë ballkanase
Me bamje, e preferuara ime,
Imam ballaidi, tavë kosi
Lëng me arra, yshmer
Rri ndenjur
Me sy të prerë me njolla të mëdha
Me duart njera mbi tjetrën
Plot me damarë jeshil të kërcyer
Dhe i veshtron te gjithe sikur ka marre shenjen
Dhe lutet të mos e lemë të ike
Mbahet stoike
Për tëfshehur dëshpërimin dhe zhgënjimin e madh
Për këtë jete kaq ë shkurtër dhe mizore
Per kete dobesi e rraskapitje prej varri
Ia di frikën, atë frikë që s’e kishte në Shqipëri
Ne ikim të gjithë dhe ajo mbetet fillikat
Një plakë në Amerikë treçerekun e ditës mbetet vetëm me muret
Ajo është mësuar me njerëz rrotull
Dhe me dashuri pa anë e pa fund
Ç’ke moj nënë, i them, pse je kaq e mërzitur?
Kush do të më japë një gotë ujë?
Një gotë ujë për nënën që po ikën
Ikën e ikën nëna syshqyer me pavemendjen tonë
Indiferencën e pamëshirshme që s’e kupton
Lodhjen tonë prej punëve të rënda
Mos uljen pranë saj me orë të tëra
Muhabetet e vjetra dhe llafosjet për botën
Bijën e filanit që e zunë me..
I sheh të humbura e të fshehura këto ore pas atij çekut
Pas asaj billës tekanjoze të gazit, energjisë, celularit
Pas dollarëve të kripur që i japim për qiranë pronarit
Ah, orët për nënën që i ha dollari!
Një gotë ujë, bir, kush do të ma japë?
Ju çoheni më pesë të mëngjesit si këndesi dhe shkoni
Ktheheni në shtepi kur flenë pulat me gjashtë
S’ka njeri të më mbushë një gote ujë dhe të ma sjellë te shtrati
Të pi dhe t’u le uratën.
Kaq tha nëna. Unë nxitova t’i jap ilaçet
Ta ve në gjumë
Amerikë, më jep një përgjigje;
Kush do t’i japë nënës sime një gotë ujë?

 

Vaid Hyzoti

ME VJEN AQ SHPESH
-Të mirës, nënës time-

Unë s’e harroj si vije
çdo natë
E më mbuloje
me një buzëqeshje…
Por që kur ike dhe mua
krevati
S’më le të bëj,
të bëj gjumë shqerre…

Sa shpesh më vjen dhe
gjumin ma zgjon
Dhe unë të pres, të pres
me aq dëshirë.
Nxitimthi ngrihem, çohem që të
shoh,
Po ndërkaq ti zhdukesh në
errësirë.

Jam i përvëluar, por ti
gjithnjë largohesh,
Më vjen në gjumë dhe
zhdukesh papritur.
Ndoshta vetëm, vetëm për
të më kujtuar
Të shoh fëmijët si flenë
në dhomën ngjitur.

 

Grigor Jovani

ELEGJI PËR NËNËN

Jam duke numëruar orët
në qerpikët e tu të mbyllur.
Në xhamin tonë
dëgjoje kujen e erës.
Qielli ka dërguar retë
të të marrin.
Sot do të udhëtosh vetëm,
përtej heshtjes tënde.
Do të të ndjek
duke kapërcyer yjet.
Duhet të njoh
banesën tënde të ardhme.
Më le të zhveshur në shpirt
dhe kam ftohtë.
Por në është që të nisesh,
mos u ligështo, nënë!
Lamtumirë !
Aleksandër Bllok

 

NËNËS SIME

Mik pa shiko si në fushën qiellore
Retë e përzishme lundrojnë nën hënë,
Dritën pa shpirt, të zbehtë e shkretore
E çan, e shikon, eteri i palëndë?

Mjaft me të parë këta yje të ftohtë,
Mjaft më me kokën e hënës acar!
Pak lumturi ka e njerëzve botë?
Pak ngrohtësi, i përzemërti zjarr?

Hëna e akullt përgjigje s’të kthen,
Yjet e largët t’i arrish nuk mund…
Të ftohtin varr kudo do të gjesh
Tej tek fenerët e ngrysur pa fund…
Përkth. B. Muço

 

Xhevahir Spahiu

NANĂJA

Erdhi vjeshta
Dhe mua reumatizmi më zë.

Nanăja?
Nanăja s’është më.

Zunë shirat, po unë
Kujt t’i shkruaj dy gisht letër
Për një palë çorape të leshta?

Kanë heshtur shtizat, gishtrinjtë
Nană flokëbardha, e shkreta.

Lulet e verës, erërat e maleve
Fluturat e Frashërit ç’m’i ulte mbi çorape.
]
Erdhi vjeshta… Kujt t’i shkruaj dy gisht letër…
Nanăja s’është më.

Dhe mua reumatizmi
I dyfishtë më zë.

 

Bllaga Dimitrova

NINULLË PËR TIME MË
(fragment)

Në darkë lëmoj çarçafët e saj
Mbuluar nga rrudhat e thella.
Duart e saj
të fishkura nga të dhënët
më tërheqin drejt natës.

Gjysmë e fjetur, duke folur me zor,
Ajo thotë me një zë fëminor,
Aq natyrshëm,
“Mëmë!”
Unë bëhem mëmë e mëmës sime.
…….
Përkth. B.Muço

 

Fatmir Terziu 

LOTI I NËNËS 

Një lot
pikoi
u shkërmoq.
Një Glob
u rrëzua
u përmbyt…
Nën rreze drite, kristal i cmuar
Nga zemra e nënës doli atë natë.

Ai rodhi për shkak të frikës,
Ai doli për arsye gëzimi.
Loti i nënës sime!

Ndoshta akoma si i shokuar
rjedh për motive të panjohura
Lot i nënës,
… ai lot i holluar!

Unë pashë nënën time kur derdhi një lot,
i pikoi në atë vit të errët…
Një lot,
Një Glob
Loti i nënës sime!

Lot ende i qelqtë në zemrën time…
Lot që mban peshën e botës
Lot që u jep qetësi të tjerëve
Lot që mban lart rrezet e dritës.
Loti i nënave!

Lot që lau kostumet e zyrave
Lot që njomi zhelet e kohërave
Lot që rodhi për të larë të palarët
Lot që iu kundërvu ankimeve
Loti i thinjështrenjtave!

Një pikë lot nëne
I ardhur nga Zoti për tu derdhur
Djepeve,
Odave,
Frëngjive,
sa herë që është e nevojshme.

Loti i nënave!
Dobësia e tyre e vetme
Një lot për njerëzimin.

Nga vëllimi i ri poetik “Stalagtite”

 

Dalan Luzaj

NËNËS

Internimi m’a lidhi nënën me zinxhir.
Viti ters erdh’ dhe ma vrau.
Jashtë dhe brenda jeta nxirë,
Nga rrobat e zeza as varri s’e ndau…

Mbi varr një selvi, më tej fillikat.
Prangosur u shua me të rëndin ndëshkim.
Ku ta gjej fajin, të t’a bëj dhuratë.
Ta ngre përmendore tej në internim.

 

Elinda Marku

NENE E BIJE

Shtate vjet më e vjetër se ime më.
Bëhem, ndjehem motra e saj e madhe,
Motra e saj e vogël,
Motra e saj e vetme.
Bijë që rroj-rrokëkam më gjatë se Nëna.
Për t’iu bërë Nënë Nënës.
Deri kur i mblodha 34, i jam frikuar fatit se,
“Vdekja trashëgohet si jeta e të tjerat”.
Shtatë vjet që e kam përmbysur trashigiminë
e fatit te keq.
Fatmirësisht…
Në saj të dashurisë së Bijave.
Në saj të dashurisë së Nënave.

 

Eugjen Eftushenko

R. Pospellovit

Po ikin nënat tona ca nga ca
Në heshtje, pa u ndjerë,
majë gishtash,
Ne flemë gjumë
ngopur sa më s’ka,
Pa vënë re se erdhi cast i trishtë.
Na ikin nënat tona
dalëndadalë
Nuk ikin ato shpejt,
ashtu papritur.
Çuditërisht na ikin pa një fjalë
Shkallaret vite
heshtur duke zbritur.
Papritur ne kujtohemi një ditë
Dhe zhurmshëm ditëlindjen u festojmë;
Po ky është gëzim pa gaz e dritë
Që shpirtrat tona
s’mundet t’i ndriçojë.
Largohen e largohen
veç ato,
Papritur zgjohem
e duart i zgjatim,
Por ajri duart bosh ne na i ftoh,
Përplasen mbi një mur të akullt xhami,
Erdh çasti i trishtuar,
U vonuam.
Përmes perdes së lotëve vështrojmë
Si nënat tona janë duke shkuar
Përcjellë nga mortoreja kollonë

përkth.V. Ziko

 

Fatime Kulli

BALADË, KUSHTUAR NËNË SIME

(fragment)

Era e tërbuar e shekujve
U përplas ndër gjokse të engjëjve të pafaj
koha u trullos dhe u bë qameti
nëna ime ballërrudhur e shpirtplasur,
këndon:
“Janinës ç’i panë sitëeee, Jaaaninoooo
Ish e prëmte ajo ditëeee, Jaaaaajaninooo”

Oh, nënë, ç’është ky zë si në legjendë
Që drithëron dhe eshtrat e të parëve në çdo qelizë

Ah moj bijë e nënës, e njoh mirë këtë gjëmë
ish shtrëngatë e stuhi, në atë kohë
yjet ranë nga qielli të përgjakur, një e nga një
kafka e hënës ra në prehrin e tokës amë
barërat u helmuan, livadhet u gjakosën anë e kënd…

Mos nënë, mos më thuaj gjak, gjak…
ohhhhhhhh, joooooooooooo gjak…
……………………….
O Zot, sa shumë dhimbje e lot ka pirë kjo tokë
dielli po më rrëzohet para këmbëve të mia…
Në qerpikë më ka ngrirë kripa e lotit…
Ku rënkon e thinjur në vetull, Çamëria…

 

Luan Xhuli

MESAZHET E NENES SE VDEKUR

Çdo mbrëmje,
para se të ndizen kandilët e yjeve
të shkruaj…
Akoma bëhesh merak për mua
dhe pse e di,
që jam bërë gjysh i ri dhe i dhëmsur…
Të shkruaj pak fjalë
si përqafim kujtimesh,
thjesht,
metafora malli,
njomje retinash.
Çdo mbrëmje,
para se nata të mbulojë fytyrën
të shkruaj…
Fryma jote,
ozon për mushkëritë e mia…
Kështu,
letra ime prej ajri,
udhëton me vulën boshe të mallit
tek ti,
duke më rikthyer puthjen,
që më shton largësinë..

 

Nase Jani

SYTË E NËNËS
R. Jani

Sytë e nënës
më kanë mbetë tek sytë,
shohin njëri-tjetrin dhe nuk çmallen…
e shoh çdo mëngjes dhe më thotë: prit!
më sheh çdo mëngjes dhe i them: dale….

Prit i them
të mbush fllaskën në krua,
ku dhe Perënditë freskojnë ballin,
të mbledh vezë thëllëze ndënë ftua,
të shkul ca salep, të mbledh çaj mali…

Prit, i them,
të ulem ca në prehër,
të thith nga gjiri im, ca qumësht gjiri,
mbase s’më dridhet dora përmbi letër,
të mos më rrijë fshehur frymëzimi…

Sytë e nënës
më kanë mbetë tek sytë,
shohin njëri-tjetrin dhe nuk çmallen…
e shoh çdo mëngjes dhe më thotë: prit!
më sheh çdo mëngjes dhe i them: dale….

Prit, i them,
por nëna më thotë: dale,
se bota dhe këtu është plot me halle…

 

RIZA LAHI

Paskam një tjetër gëzhojë.

Kushje ti që më thërret të hyj brenda
Se mos ha ndonjë plumb papritur?
Ti nënë?
Po mua nuk më bën gjë plumbi, moj nënë
Se po të doja t’u ruhesha plumbave
Nuk do të kisha rendur mes tyre që larg
Për t’u parë Shkodrën dhe Ty.

Më ler, nënë
Kjo gëzhojë që unë po shkruaj
Në pllakën që kanë vënë kur je martuar ti
Mbase ka vrarë një njeri
E tani ajo po shkruan.

Plumbi i saj ka vrarë një shpirt
E ajo shkruan
Sa bukur që shkruan…
Në pllakën që vunë dsmorët
Kur u martove ti, shih si shkruan.

A të vij me ty?
Jo, nënë, ktheu
Dhe më bëj në bukvale të ngrohtë, me qepë
Dhe një gotë çaj më pas
Unë nuk do të vonohem, jo
Po u vonova, atëherë, na këtë çelsin, merre
Hap valixhen që solla mbrëmë nga larg
Është pranë dollapit të librave
Mu mbi arkën tënde të nusërisë
Ku mbaje poezitë e mia, dikur
Kur më zinte gjumi mbi to
Dhe ti kishe frikë
Se mos më ngacmonin të tjerët
Ti lexoja poezitë netëve, e ti
I ruaje siç ruan e përkëdhel këlyshin e vetëm
Pantera.

Atje nënë, unë kam mbyllur diçka…

Është diçka e bardhë shumë ,
që nuk e kam veshur asnjëherë …

Është qefini im.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s