Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Puthja pagane” të autorit Mario Çaçi

Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Puthja pagane” të autorit Mario Çaçi

Titulli: Puthja pagane
Autor: Mario Çaçi
Redaktor letrar: Dr. Eris Rusi

©Të drejtat autorit
Formati: 14×20

ISBN: 978-9928-269-73-7

Përgatiti për botim: Roland LUSHI
Shtëpia Botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë
www.botimetada.com
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, janar 2019

Roland Lushi

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA”

TË GJITHË LIBRAT E BOTUAR NË SHTËPINË BOTUESE “ADA”
MUND TË GJENDEN NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE TIRANË

CIP Katalogimi për botim BK Tiranë

Çaçi, Mario
Puthja pagane : poezi / Mario Çaçi ; red. Eris Rusi.
– Tiranë : Ada, 2019
108 f. ; 20cm.
ISBN 978-9928-269-73-7

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

Dy fjalë për lexuesin

Është e vërtetë që poezia e cila në të shkuarën ishte në qendër të shoqërisë, sot me modernitetin e ditëve është tërhequr diku larg, sikur sheh me mospërfillje botën dhe njerëzit. Flas për poezinë e pakohë, atë që këmbëngul të thotë: U bë vonë shumë shpejt. U err pa nisur akoma shtegtimi i ditës.

Ky perceptim i tremb shumë prej nesh: ditët që marrin rrokullimën dhe jeta që shpejt nis e zbehet në një muzg pa kthim. Por nuk është përherë kështu. Ndodh që në botëkuptimin e një djaloshi të ri të mos ketë dot mbrëmje që trembin dhe errësojnë, por të kërkohet përtej fjalës, në një perceptim që di të japë shumëçka por jo zymtim. Të gjithë e bëjmë ndonjëherë këtë. Kthehemi përkundrejt asaj që ka qenë dhe është jeta jonë, drejt emocionit, pranë atyre që iu kanë dhënë formë ditëve tona, i kanë bërë ato të hijshme, të qeshura, të ngrohta, të dashura.

Ndërmendim puthjen, atë që ka bërë të jemi afër dhe të jemi gjithçka me njeriun përballë, me botën që duket përtej, me jetën që di të ndizet e të shkëlqejë e ngrohtë nën guximin tonë.

“Puthja pagane” është emërtimi i këtij vëllimi poetik, ku fjalët janë jo vetëm ndjesi e dëshirë, por edhe ëndërrim, edhe kthim pas në kohë, edhe këmbëngulje e heshtur, për të krijuar një hapësirë të bardhë të pafund, ku lexuesi mund ta ulë veten dhe të zhbirojë atë që është intime e zemrës së tij:

Të putha!
Të putha këtë ditë të fundme

Me vitin që bëhet i largët,
Gati që të ikë,
E ti e përndritur
Si ngjyra fishekzjarrësh
Po çliron nga kurmi
Vetëm bardhësi!

Nëse kërkohet me kujdes, brenda këtij libri mund të gjenden ndjesi dhe hove shpirti, emra dhe vende, por sidomos fytyra që kthehen në buzëqeshje, vështrime që dalin nga kujtesa dhe shohin me ngulm… përtej kraharorit.
Nëse duhen rrëmbyer puthjet, do të thotë që ka një shpëtim për ne të gjithë. Këtë krijuesi Mario Çaçi e përcjell në formën e një “shqetësimi të ëmbël”, dashurinë, e kështu ndodh për këdo që e provon. Sa më personal që e lëmon vargun poetik, aq më tepër lexuesi mund të gjejë të përbashkëta me vetveten, me ndjesitë dhe kujtimet vetjake. E paralelisht me këtë, kemi depërtim në mendimin filozofik, tek shqetësimet që shpesh dhe ne i ndajmë me veten dhe njerëzit pranë nesh. Tek Poezia “Bota e madhështisë”, duket sikur hidhet një kërcim drejt ëndrrës, sa pak bëjmë për veten tonë që të lartohemi kah qiellit:

Ti mund të ndryshosh botën!

Jo të gjithë botën e njerëzve,
është shumë e madhe për ty.
As botën e atyre që të rrethojnë
dhe pse ëndrrat njëlloj kumbojnë!

Ka shumë dilema poezia e Marios, udhëkryqe ku mund të kapen e djeshmja me atë që do të vijë. Ndërsa e sotmja është ankth, pasiguri, por edhe nevojë e domosdoshme për të patur brenda vetes zjarre të ndezur.

“Unë vij nga vendi ku njerëzimi vritet
nga tokat e largëta ku shpirti i shkoi
me perëndimin e diellit lehtë venitet
këto fjalë të fundme për ty i shkroi”.

Kështu shkruan ky poet i ri dhe mund ta ndjeni në të gjithë librin që ka diçka të largët, të huaj, antike në përfytyrimin e tij, që nxit refleksion dhe hap shtigje meditimi. Ngjyra dhe aromat e të shkuarës në zemrën tonë janë më të gjalla e më të freskëta sesa e sotmja që jetojmë. Megjithatë Platoni thoshte se të gjithë bëhen poetë herët a vonë. Edhe nëse s’kanë pasuar asnjëherë flirte me muzat. Kjo ndodh kur i prek dashuria.

Pikërisht ky mund të jetë një tjetër refleks i leximit të këtij libri poetik. Kur kujtimet arrijnë të ruajnë ende gjëmimin e zemrës, padurimin e shpirtit, diellin që kthehet në dritë mbi fytyrën e të dashurës sonë, mundtë shkohet lehtë-lehtë tek poezia.

Era e Jugës fryn lehtë mbi ne,

dëborën tret pa rënë në sy,
mes akullnajash unë kam ngrirë,
Më bëj një shenjë të vij tek ty!

Ndaj në përmbyllje mund ta quajmë këtë libër si një oaz të vogël të dëshirës dhe të kujtesës, ku flirtohet me Muzën dhe jepen puthje pagane, sa mirë, e aty ku diejt qeshin në shpirtrat e njerëzve, s’ka ngrysje, lodhje jo e jo, për asnjë njeri.

Dr. Eris RUSI

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s