Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

PROJEKT PËR NJË POEZI QË S’DO TA SHKRUAJ KURRË

Ju ende vazhdoni të më hidhni baltë,
Nën vargje më vini ca emra pa lidhje.
Po zemra kur ndjen dhimbje në palcë,
Kafshon buzët, zor se kthen përgjigje.

Prapë më lënduat, unë prapë heshta,
Po tani vendosa, do ndahem në pjesë!
Atë që shkruan, do shqyej nga vetja,
Pastaj do ta përplas te ju, aty në mes.

Bëni sherr sa doni me pjesën e ndarë,
E unë rri në tribunë, me pjesën tjetër.
Të shoh deri në fund, këtë palo garë,
Si m’i ndukni vargjet në çdo milimetër.

Të shoh kur shpallni fitoren në luftë,
E vargjet m’i zhdukni në pirgje balte.
Kurrë s’do kuptoni si u zutë në kurth,
Kur rima nga unë, do thoni pa dashje.

Do thoni pa zë, një varg a një grimcë,
Më vonë do ndjeni sa keq ju mundën.
E ndërsa nga tribuna, do bëhem cinik,
Duke parë vargjet si tallen me turmën.

 

KUR TË VIJ NGA LARG

Kur të vij e di që do të ngelem aty,
Se veç ti ma zë rob shpirtin tim endacak.
Por dua të endem ca kohë me ty në sy,
Të kem çfarë të të sjell kur të vij nga larg…

Si herën e parë të them dashuri në vesh,
E ti të më skuqesh nga fjalët e zjarrta:
“Kush shpall dashuri të re në dyzetë vjeç,
Ta quash tradhti, është më e pakta”!

I kam borxh dashurisë sime një fjalë,
I kam borxh një puthje, a nuancë të re.
Dy sytë e tu ç’më përpijnë përball:
“Pse s’m’i ke dhënë më parë, më thuaj pse”!?

 

MALLE QË IKIN…

Gërryejmë njeri-tjetrin duke u dashur,
Shpirtin në copa, shqyejmë nga vetja.
Kur shohim se gjithçka e kemi falur,
Pëshpëritim si pa lidhje:-Sa të desha!

Shkëpusim pjesë grimcë pas grimce,
Të bëjmë njeri-tjetrin, në imazh të ri.
Nëse dua të të kujtoj ty, ashtu si ishe,
Shihem në pasqyrë…s’jam unë, je ti!

Ne heqim nga vetja, si trill, a si lojë,
Dhe ja nisim tjetrit t’i mbyllim plagët.
Gërryhem për ty, them sa ti, njëlloj,
Fytyra jote, në çast m’i mbytë fjalët.

Druhem se boshllëqe do të gjej në të,
Mbase sa duhet, mall s’të kam nisur.
Në atë fytyrë, ku s’mungonte asgjë,
Ndoshta tani gjej,një hënë të grisur.

Druhem se me faj do ndjej shpirtin,
Kur të shoh fytyrën që sapo u shfaq.
Se nuk janë të trishtë, mallet që ikin,
Mallet që s’vijnë…më shumë se kaq!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s