Dren / Tregim nga Granit Zela

Dren

 

Tregim nga Granit Zela

Ishte vëllai i vetëm ndaj nuk donim që të ikte nga shtëpia, por ai iku më larg se të gjitha, dhe ka dymbëdhjetë vjet që nuk e takojmë. E shohim me sy e plasim me zemër, ia dëgjojmë zërin por s’e përqafojmë dot. Shumë herë dilnim në oborr, se na bëhej sikur dëgjojnë zërin e tij, por oborri është i shkretë. Kur fryn veriu e moti bëhej i ftohtë ne nuk na dridhej trupi nga acari i dimrit por se ikte edhe një dimër pa të, e pastaj edhe një pranverë, dhe një verë, edhe një vit. E kishin gjetur një ditë Sabin duke vajtuar nën zë. Pastaj kur në katund u bë dasma e Lindës, thamë se tek dasma e Sabit ai do të vinte se ndoshta do t’i dilnin letrat, por nuk i dolën dhe nuk erdhi dot. Kur u fejua Drina, ajo iu lut që të kthehej, mjaft kishte qëndruar larg nesh, sa do të rrinte atje, përgjithmonë? Kthehu për hatrin tim, i thoshte Drina, kurse ai vetëm qeshte.

Kur Dreni mbaroi tetëvjeçaren, baba këmbënguli që ta vazhdonte të mesmen në qytezë. Baba nuk hiqte dorë nga shitja e bozës gjatë verës, por Dreni nuk do të tregonte asnjëherë se çfarë pune bënte. Ka biznes privat, thoshte.  Baba i jepte para për rrugë pasi çdo ditë vente e vinte me furgona por ai shumë herë hipte në pjesën e pasme të furgonit, në një hapësirë që shërbente për bagazhet e udhëtarëve, dhë në raste të tilla nuk paguante biletë. Hipja në bagazhe furgonash iu bë e zakonshme dhe në shtëpi qeshnin me këtë sidomos kur nuk e zinte gjumi natën dhe ishte Sabi që thoshte me zë të lartë se Drenin e zë gjumi vetëm në bagazh të furgonit prandaj nuk e zë në shtrat. Me mësime ishte mirë, por nisi të merrej shumë me stërvitje. Mëgjeseve godiste një thes të mbushur me rërë, varur tek një degë e fortë kumbulle që kishim në cepin e oborrit. Pasi i nxehej trupi, ngrinte një shtangë të sajuar me rrota hekuri dhe dalë ngadalë po formonte trupin e bëshëm të një djaloshi të ri dhe të fortë. Dy vitet e fundit të shkollës së mesme nisi të ketë një shoqëri që nuk na pëlqente, me djem jo të mirë.

Një ditë, ishte vetëm me ne motrat në shtëpi kur dëgjuam se dikush qëlloi me armë brenda shtëpisë. U turrëm të gjitha për të parë se çfarë kishte ndodhur. Vera iku fluturimthi drejt katit të dytë, se andej iu duk se e dëgjoi krismën,  Linda doli jashtë për të parë në oborr, Sabi, Drina dhe unë pamë tek oda e miqve, oda e gjumit dhe pastaj s’e si më tha mendja se ndoshta zhurma kishte ardhur nga tualeti. E gjeta të bërë të sterr në fytyrë. Në duar mbante një pistoletë të shkrehur. Pa nga unë, pastaj pa nga të gjitha ne, se sakaq u mblodhëm aty dhe ai tha se i kishte shkrehur vetvetiu në dorë. Po sikur të kishte qëlluar veten dhe të kishte vdekur? – menduam të tmerruara por e kotë ta thoje këtë, ai vetë nuk po e besonte se si pistoleta ishte shkrepur ashtu, krejt papritur.  Baba, i vrenjtur, e pyeti  se ku e kishte marrrë armën. Dreni tha se e kishte gjetur. Baba e kuptoi se po gënjente dhe nuk do të tregonte ndaj nuk foli. Nëna kafshonte buzët nga sikleti kurse ne i thamë se duhej ta largonim amën nga shtëpia por ai nuk pranonte. -Është e imja – thoshte.  – Më duhet për vetëmbrojtje. Më në fund ia mbushëm mendjen që pistoletën ta fshihnin në një vend brenda shtëpisë të cilën do ta dinte vetëm baba kështu që kurdo që t’i duhej ai do t’ia kërkonte atij. Por asnjëri në shtëpi nuk ishte i qetë.

Nisi që ndonjë natë të mos vinte fare në shtëpi dhe kur e merrnim në telefon thoshte se ishte “te një shok.” Kur po afronte mbarimi i vitit të katërt të gjimnazit, Dreni nxori pasaportë të re, dhe pas liberalizimit të vizave, me të dhënë provimin e fundit të maturës shtetërore për gjimnazistët tha se do të ikte në Itali dhe pastaj bashkë me një shokun e vet do të përpiqej të shkonte në mënyrë të paligjshme në Angli. Baba dhe nëna u përpoqën që të gjenin lekë borxh që ai të mos mbeste pa lekë dhe të vdiste për bukë ose të detyrohej të vidhte për të mbijetuar. Besniku punon në bashki dhe së bashku me kursimet e mia si shitëse në supermarket kishin arritur të vinim mënjanë njëmijë euro të cilat ia dhamë.

Iku në Itali me një shokun e tij dhe pas një jave, më tha në telefon se kishte mbërritur në një port të Francës.  Më tregoi se në Francë kishte dy porte, një port i madh dhe një port i vogël, por ai kishte shkuar tek i vogli pasi aty kishte më pak emigrant dhe po priste të errej që ta provonte të hipte në një nga maunet dilnin me traget në Angli. Isha shumë e trazuar, dhe ankthin tim e ndjente edhe Besniku pasi ai kishte merak se mos kjo gjendje ankthi ndikonte për keq tek bebushi në barkun tim. Mundohej të më qetësonte edhe kur i thoja se Ardi duhej të flinte jashtë netëve dhe s’e përfytyroja dot se ku flinte dhe ku hante sidomos kur binte shi.

Herën e parë që u përpoq të hipte në një maune, çoi një mesazh diku afër orës dymbëdhjetë të natës. Shkruante: “Jam në maune. Po pres të nisem. Do Zoti nuk më kapin. ” Isha në gjumë kur erdhi mesazhi, ndaj sapo e lexova, e zgjova dhe ia dhashë Besnikut lajmin e gëzuar që Ardi ia kishte dalë të çante rrethimi në portin francez, kishte hipur në një maune dhe po priste që ajo të nisej. U gëzova shumë por pas atij gëzimi të papritur shumë pyetje më erdhën në mendje. Kishte hipur në maune po sa do të priste aty? Më kishte treguar se disa të tjerë kishin hipur në një maune që nuk nisej atë natë dhe pasi kishin pritur gjashtë orë kishin zbritur vetë sepse kishin hipur në maunen e gabuar. Para se një maune të nisej, ajo kontrollohej nga policë. Më  kishte treguar se si shumë djem si ai i gjente policia. Po nëse ia dilte të shkonte në Angli kush do të dilte ta priste?

Prisja por nuk më çoi asnjë mesazh dhe as në mëngjes nuk ktheu asnjë përgjigje.   Deri në drekë nuk mora vesh asgjë. Vetëm pasdite më shkruajti dhe na tha se maunja ku ai kishte hipur ishte kontrolluar në darkë para se të nisej nga policë me qen dhe e kishin zbuluar. Pastaj e kishin çuar në rajonin e policisë aty e kishin mbajtur një orë. Pasi e kishin lënë të lirë kishte fjetur (po ku?) deri në drekë të nesërmen. Ndoshta është frikësuar nga qeni i kufirit, – i thashë Besnikut.  – Por ai nuk është tip që ka frikë, – më tha ai – se po të kishte frikë, nuk do të rrinte me javë të tëra në port. Paratë i kishin mbaruar ndaj i çuam dyqind euro, sa për të mbijetuar me ushqim edhe për ndonjë javë, kohë gjatë të cilës do ta provonte të hipte në ndonjë maune për të kaluar me traget në Angli. Paratë i kishte tërhequr nga një bankë të nesërmen sepse agtë ditë kishte ndjenjur deri vonë për të provuar se mos hipte në ndonjë maune që nisej atë natë dhe pastaj kishte fjetur përsëri paradite.

Kështu kaloi edhe një javë tjetër gjatë të cilës Dreni më merrte në telefon një herë në dy ditë dhe thoshte se ishte duke e provuar por kishte qenë e pamundur. Thoshte se kishte një mundësi që të dilje me pará me anë të një rrjet të paligjshëm që në bashkëpunim me shoferët e mauneve dhe kamionëve nxirrte klandestinë por duhej të zije radhë, të paguaje tetë mijë deri në dhjetë mijë euro, kodin e të cilave ia jepje dikujt në Shqipëri që banonte në Kamzë dhe kur të kishe dalë në Angli ia jepje kodin këtij personi që edhe ti të zbrisje nga maunja. Nëse të kapnin në portin e Anglisë apo kudo tjetër, ata nuk mbanin përgjegjësi dhe paratë humbnin. Dreni këtë hall kishte. Ai nuk donte të zhytej në borxh sepse nëse do ta kapnin në Angli,nuk do të kishte asnjë mudnësi t’i bënte ato para.  E vetmja rrugë ishte që nga porti francez të kalonte  pa lekë.

Javën tjetër u mora me vizitat mjekësore për ndjekjen e shtatzanisë dhe për shumë ditë nuk u bë i gjallë,. Pas katër ditësh, u zgjova e trembur. Pashë në ëndërr sikur e kapën Drenin dhe e kthyen në Shqipëri. Ia tregova ëndrrën Besnikut. Kisha katër ditë që nuk kisha folur me të. I shkruajta  menjëherë mesazh që duhej të  më telefononte sapo të ishte e mundur dhe të më tregonte se si ishte dhe se çfarë po bënte. Të nesërmen pasdite më dërgoi një mesazh ku më thoshte se kishte nevojë urgjente t’ia mbushja me para telefonin se nuk më dërgonte dot mesazhe ngaqë i ishin mbaruar lekët. Ia bëra një ofertë dhe për fat më shkruajti se ishte në një maune që kishte kaluar në Angli dhe do t’i shkruante Ardit, djalit të dajës që ishte emigrant atje që të shkonte ta merrte në Birmingam.  Po ku është saktësisht? –më pyeti Besniku i habitur nga lajmi dhe nga ngazëllimi im.

Ai kishte hipur në një maune, poshtë saj, në hapësirën mes rrotave. Pasi maunja kishte hipur në traget, kur e kishte parë të mundur, ai kishte ndërruar maune dhe i ishte ngjitur një autoboti nafte po në hapësirën poshtë, në katrorin poshtë rrotave ku gati ishte asfiksuar nga era e naftës. Megjithëse i kishin dalë lot nga era dhe ishte bërë sterr i zi nga nafta, nuk kishte zbritur në portin anglez kur autoboti kishte zbritur nga trageti. Kishte ndenjur shtrënguar poshtë autobotit ndërsa ai kishte mbërritur në destinacionin e fundit, në një parking. Pasi shoferi i autobotit ishte larguar, Dreni ishte lëshuar poshtë dhe fare i qetë ishte larguar. E kishte parë shoferi i një autoboti tjetër por kishte mbetur i habitur si duket nga qetësa e Drenit dhe nuk kishte folur. Kishte qenë i larë në naftë por pasi ishte larguar nga parkingu kishte nxjerrë nga qesja tjetër që kishte marrë me vete disa rroba të reja të palosura me kujdes dhe i kishte ndërruar rrobat menjëherë që të mos binte në sy. Ishte në një fshat të Anglisë dhe kishte menduar se kishte humbur. Me pesë eurot që i kishin mbetur kishte hipur në një autobus për të shkuar në qytet. Atje kishte lexuar emrin e stacionit dhe i kishte telefonuar Ardit. Ardi ishte nisur prej Londre me makinë  dhe Dreni e kishte pritur në stacion. Kur e mora në telefon pas disa orësh tha se ishte takuar me Ardin dhe po shkonin në shtëpinë ku banonte me qira. Ndenji disa ditë në shtëpinë e Drenit, u ngop me gjumë, u mërzit pak që nuk gjeti punë as javën tjetër dhe pastaj tha se kishte filluar punë në një lavazh me dyzet paund dita. Duhej të nxirrte disa letra që të lejohej të punonte në një kompani ndërtimi.

Ndërkohë shtazania ime po shkonte drejt fundit. Dreni gjeti një punë të re, më të mirë, dhe pikërisht atë ditë unë u bëra nënë për herë të parë. Shtëpia jonë u mbush plot. Besniku mori leje nga puna, dhe erdhën prindërit bashkë me Lindën, Sabin dhe Drinën të cilat kishin sjellur plot dhurata. Ardi na mori në telefon dhe na tha se do t’ia vinte ai emrin çunit tonë të parë.

– Vërja emrin “Dren” ,- tha ai, duke na kapur në befasi me atë që po thoshte. “Dren…” mund të them unë. –Po ti je gjallë, o vëlla, ti nuk…e pse duhet t’ia vëmë emrin tënd. Ti je Dreni, gjej një emër tjetër.

“Jo”, – tha ai. E kam seriozisht. –Unë s’e di kur do të kthehem. Vërja “Dren” , ta kesni gjithmonë pranë, se unë nuk e di kur do të kthehem.

“Më tha të ja vë Dren”, u tregoja duke i  drejtuar secilit prej tyre, ndërda shtrëngoj a të voglin tim në krahë, kurse ata më shihnin gjithë habi, mu ai si atëherë kur shihja një ëndërr që më kishte frikësuar.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s