Poezi nga Alma Jaku / Shkëputur nga vëllimi poetik ”Rropamë Ndjenjash”

Poezi nga Alma Jaku
 
 
S’mё ndalon dot
 
Ti më ndalove të të dua,
por unë të vizatoj me shpirtin tim.
Me xixa yjesh ta ndez buzëqeshjen,
me gaca sysh akullin ta shkrij…
 
Mund të më ndalosh edhe frymën,
por ç’mund t’i bësh mendjes sime?
Unë kam një botë si Liza, të çuditshme,
s’më ndalon dot, aty nuk të bindem.
 
 
 
Dashuri e burgosur
 
Më thirre sot dhe, për çudi,
koha s’e kish shuar mallin.
Qiellin pushtova, për tek ti
fluturim e çava ajrin.
 
Ishim botë krejt pa kufij.
Pse s’fluturoi nga shpirti fjala?
Ti pa faj, dhe unë si ti,
dashurinë e vumë në pranga.
 
 
 
Pa pendesë
 
Dua të vij në shtratin tënd
kur nata të bjerë gjithandej,
fshehtas botës të të kalamend,
me gjinjtë e mi të të ushqej.
 
Të thithësh mjaltin në buzë,
të rrëmosh mbi qafën shtrirë,
të më ndezësh gacën shpuzë,
mbi trup të më biesh tapë i pirë.
 
Pastaj do iki natës prapë,
fshehtas, do humb përtej resë,
në shi qiellor të laj mëkatin,
por pa frikë, pa asnjë pendesë.
 
 
 
Mbamë fort
 
Mbamë, mbamë fort mbi krahë,
rrotullomë në erë,
jam pupël, s’të rëndoj,
të mbush gjoksin me pranverë.
 
Në mendofsh se je plak
e s’të mban takati,
bëhem zanë e të jap forcë,
gjiri im të forcon shtatin.
 
Mbamë, mbamë fort mbi krahë,
rrotullomë në erë,
pleqnoma merakun tim,
këtu më ke përherë.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s