Poezi nga Safet Hyseni

Poezi nga Safet Hyseni

 

KUR LINDE TI
(Metush Krasniqit)

Kur linde Ti
Dimra të ashpër kuvendonin
Dhe mbillnin mjegulla me gjuhë çakejsh
Në Atdheun me shtatë plagë
Nën gërmadha kafkat kërkonin brinjët
Kullat digjeshin flakë

Kur linde Ti
Një mallkim ecte shpi për shpi
Shqipëria lidhte e çilte plagë
Me eshtra bëheshin kufij
Toka kullonte gjak

Kur linde Ti
Lisat rralloheshin
Vetëtimat kishim çati
Toka digjej flakë
Mes për mes na ndanin
Lumenj me tonin gjak

Ti u rrite shpejt
Thonë se shtatë ditë qave
Dhe askush kurrë ma s’ta pa lotin në sy
Thanë linde para kohe
Por koha nuk matej me Ty

Ece me shkronjat në gji
Shumë herë more plagë
Udhës i dhe sy
Mure qelish skuqe me gjak

***
Fjalët i qëndise për çdo stinë
Këmishë të re i veshe Atdheut të robëruar
Kur dhembja të rëndonte çdo gjymtyrë
Rritej, rritej qëndresa me liri ngarkuar

Buzëtharë legjendave u dhe jetë
Me shkronja mjekove plagë shekullore
Shtrëngatat i prite krahhapur i qetë
Sa herë kemi nevojë i buzëqeshur vjen prore

Shërove plagët e kafkave në amshim
Dhe zogjve me u ngroh u bëre fole
Liria krenohet me Ty mësuesi im
Kosova çdo ditë është me e bukur se dje.

 

Rrojmë

Rrojmë me belbëzime ëndrrash
Dëshirat ia varim dritës që se shohim
Mallin e djegim në një puthje të vetme
Çmallemi me ngrohtësinë e fjalës prekje

Shpesh retë i bëjmë shtrat dashurie
Dhe këmishatë i endim me rreze drite
Erërave ua derdhim aromën e shpirtit
Hyjnoren me frymë e pika uji e pimë

***

Kur nata qorton erërat për një sy gjumë
Qielli shpuzë me yje hënën e bënë muzë
Ngjyrat e ylberit i hedhim me bë urë mbi lum
Hyjnitë i buzëqeshin buzës mbi buzë.

 

Nuk u deha

Ftohtë bënë s’më ngroh asnjë zjarr diç më përvëlon në brendësi
Që kur ike më kokën pas ndjek valën e lumit e flas më ty
Si dje dhe sot je me mua e di, e di dhe ti i ngrys netët pa gjumë
Ashtu lozonjare si flutur jeton në thellësi ku rëndon më shumë

Dikur shtatë re të bardha nga qielli i patëm shtrua si pëlhurë
Me frymë buzësh e gishta fjalën të dua e skalitëm në gur
Përloten sytë ti me buzëqeshje çdo rruge i fale nga një kujtim
Ëmbëlsisht më shtyp dhe sërish bëhesh melodi e shpirtit tim

E di si të dridhet buza ngjyrë shegë, ti jo nuk bëre asnjë faj
Ishte një verbim, moti pas çdo turbullire kthjellet mos qaj
Mes valëve të lumit ka shpirt ka dhe sy me ngjyrë qielli
Pas çdo rebelimi dy brigje lidhë ylberi, posa buzëqesh dielli

Kur i numëroje krojet nëpër zabele me sy vodhe një shpirt
Me flokun bëre magji lidhe dy zemra natës i dhurove dritë
Nëpër mjegull humbe atë rrugë shtruar me lule e ngjyra
Ti nuk ishe veç me e bukura si atëherë edhe sot je më e mira

Nëse heshtja vret ajo zemër është e plagosur, a mos lëngon
Ngushëllim nuk është vetmia vetëm shpirti shpirtin shëron
Unë gjithë vreshtat i kërkova e shtrydha aq shumë rrush
Për çudi nuk u deha siç më dehte e ëmbla buza jote prush.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s