E ÇMENDURA / Rrëfenjë nga Alma Jaku

E ÇMENDURA

Rrëfenjë nga Alma Jaku

Atë mëngjes vjeshte “Dila e marrë”, siç e thërrisnin të gjithë, hyri në shtëpinë tonë pa trokitur. Sytë e saj ishin më të lëvizshëm se herët e tjera dhe krejt të njomur nga lotët. Rrobat i kishte të ndotura me baltë të kuqe. Nga kafshimet deri në asht, nyjet e gishtërinjve i kishte të gjakosura. Në çastin që u ul në minder, nisi të lëkundej si lavjerrës dhe tha me zë të mekur:
– E vranë djalin!…
– Po, e di, – i tha nëna disi e çinteresuar duke vënë kafenë mbi sobë.
Unë dhe im vëlla, ende fëmijë, po prisnim të vente ora për të shkuar në shkollë. Të ulur aty mbas sobës, nisëm të përgjonim me kureshtje çdo lëvizje të Dilës, siç bënim gjithnjë kur ajo vinte në shtëpinë tonë. Faktin që ajo grua shtatvogël, me ca sy që lëviznin si sytë e orës sonë kineze, njihej nga të gjithë si e çmendur, në shtëpinë tonë vetëm guxonim ta mendonim dhe jo tha thonim, pasi nëna na e kishte ndaluar rreptësisht këtë. Mbase kjo ishte arsyeja përse ajo grua e çuditshme vinte më shpesh në shtëpinë tonë. Por unë dhe vëllai e kishim të pamundur të mos qeshnim tinëz syve të nënës kur shihnim petkat e asaj gruaje, të cilat ishin të mbivendosura në mënyrë të çrregullt mbi njëra-tjetrën dhe i jepnin trupit të saj pamjen qesharake të një qepe të shkërmoqur. Megjithatë, ndryshe nga dukja, zëri i saj shprehte qetësi.
Ne atëherë pothuaj nuk dinim asgjë për historinë e jetës së Dilës, por kur u rritëm i mësuam të gjitha. Ajo grua fatzezë kishte mbetur e ve pak kohë mbas martesës, ndërsa ndodhej në fundin e shtatzanisë. Jetonte në një kasolle prej balte, pasi i shoqi kishte ardhur të banonte aty bashkë me të nga larg, për t’i shpëtuar gjakmarrjes, së cilës megjithatë nuk kishte arritur t’i shpëtonte. Pak kohë mbas vdekjes së të shoqit, ajo kishte sjellë në jetë një djalë që ia kishte vënë emrin Mark. E kishte rritur me shumë mundime djalin, pasi nuk kishte asnjë përkrahje. Marku qe bërë një fëmijë mjaft i shkathët e i bukur. Mirëpo mbasi kishte mbushur të dymbëdhjetat, ai kishte vdekur në një rrethanë shumë të dhimbshme dhe absurde: ishte rrahur për vdekje nga një nuse e re pasi ajo e kishte zënë duke këputur pa leje një vile rrushi në kopshtin e saj. Nga kjo ngjarje e rëndë, e mjera nënë kishte pësuar një krizë nervore të pakthyeshme. Mbase çmenduria kishte qenë e vetmja mënyrë që ajo të mund të rronte pas asaj dhimbjeje të stërmadhe.
Djali kishte dhënë shpirt në duart e saj. “Më shti në gji, nanë, kam ftohtë!”, kishin qenë fjalët e fundit të Markut. Më pas ishte kruspulluar si zog i vogël në kraharorin e së ëmës dhe fryma i qe ndalur. Dila kishte fërkuar ballin e tij të akullt, më pas kishte futur gishtërinjtë mes kaçurrelave të tij të dendura dhe kishte psherëtirë me zë:
– E mjera unë, si do zgjohem pa ty nesër, mor bir! Si kam me hapë sytë nesër e mos me të pa ty, o Marku i nanës!…
E kishte mbajtur të birin në prehër duke e tundur, në përpjekje për ta përmendur. Një çast kishte ulëritur:
– O Zot, lësho një rrufe e na ngroh të dyve!…
Lotët e saj binin mbi fytyrën e të birit si shiu në vjeshtë e britmat rrëqethëse shpërndaheshin në ajër si kënga e qyqes. I qe lutur të birit me përgjërim:
– Hapi sytë, Marku i nanës!…
Por Marku nuk mund t’i hapte sytë më kurrë. Dila kishte ngritur kryet dhe kishte parë para saj nusen e re që vështronte skenën krejt e shtangur. Nuk kishte patur forcë as ta mallkonte e as t’i fliste. Veç kishte vendosur kokën e Markut në gji dhe kish nisur ta fërkonte, si dikur kur ai kishte qenë foshnjë. Me një zë të përvajshëm, që të këpuste shpirtin, kishte nisur t’i këndonte një ninullë…
Gjatë ritualit të varrimit të të birit, Dila ishte tretur në agoni. Vetëm kërcitja e dheut mbi dërrasën e arkëmortit e kishte bërë të dridhej e të përmendej, si prej një tërmeti. Përnjëherësh i qe shfaqur para syve fytyra e zbardhur e nuses së re. Ajo ishte në fundin e shtatzanisë së saj të parë. Befas kishte ndjerë brenda barkut shqelmin e një foshnjeje!… Krejt e habitur kishte vënë dorën mbi barkun e saj të sheshtë dhe kishte ndjerë se shqelmat po bëheshin gjithnjë e më të fortë. Mendja i pati shkuar menjëherë te foshnja që rritej brenda barkut të nuses së re dhe i qe dukur se ishte ajo foshnjë që po shqelmonte brenda saj. Kishte ndjerë një dhimbje të madhe e të pashpjegueshme për atë foshnjë ende të palindur. Vetëtimthi kishte menduar se shpirti i Markut po kërkonte që ajo ta lejonte të rimishërohej në trupin e asaj foshnjeje. Qe ngritur me vështirësi në këmbë, kishte mbushur një grusht me dhé bri varrit të hapur, e kishte hedhur duke u dridhur mbi arkëmortin e të birit dhe kish thirrur me zë të lartë e të sigurtë:
– Mark! Nana jote e fal atë që të vrau! E baj për hir të jetës së re që po krijohet brenda trupit të saj. Foshnja ka me qenë djalë dhe ka me gëzu emnin tand!…
Si pati thënë këto, Dila qe shkrehur përdhe dhe prej atij çasti qe bërë “Dila e marrë”. Për vite me radhë, shpesh ajo dilte natën prej kasolles së saj dhe mëngjesi e zbardhte të shtrirë mbi grumbullin e dheut që mbulonte të birin.
Nusja e re kishte lindur vërtet djalë pak kohë më pas dhe fëmijës, sipas kushtit që kishte vënë Dila, i qe vënë emri Mark. Prej asaj dite, “Marku i ri” i kishte lidhur Dilën dhe nusen e re me një dhimbje të përjetshme…
– E vrau, e vraftë Zoti! – i tha përsëri më dëshpërim nënës “Dila e marrë”. – Këtë herë nuk kam me e falë!… Jo, jo!…
Murmuriste dhe luante kokën. Unë dhe vëllai u pamë në sy, si për t’i thënë njëri-tjetrit “ja, nisi kjo!”. Nëna na hodhi një vështrim zemërak. Kjo na bëri të merrnim çantat dhe të niseshin për në shkollë. Rrugës, si asnjëherë tjetër, unë dhe vëllai nuk këmbyem asnjë fjalë. Një trishtim i pakuptueshëm na kishte mbërthyer të dyve.
Kur mbërritëm në oborrin e shkollës, pamë që nxënësit ishin rreshtuar. Mbretëronte një heshtje e rëndë. Kur u afruam më shumë, vumë re se disa nga nxënësit po qanin pa zë. Unë ndjeva një rrymë të padukshme që ma përshkoi krejt trupin dhe u shkarkua te gjymtyrët e mia, duke më shkaktuar një mpirje tepër të dhimbshme. Ajo grua e çmendur kishte patur të drejtë: atë natë roja i vreshtit të kooperativës kishte vrarë “Markun e ri”!…

Shënim : Në Vigjilje të Lindjes së Krishtit zgjodha të ndaj këtë rrëfenjë me Ju mbi faljen njerëzore dhe kumtimin e fjalës se Zotit “ prej dheut erdhëm e përseri do ti kthehemi atij “

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s