Poezi nga Marjeta Shatro Rrapaj
Liria
Në shëtitje me veten
shohim në sy lirinë,
dielli i saj na verbon
e shpresa na mbush frymë e jetë.
Nën ritmin e ditëve harrojmë e kryqëzojmë
e netëve para gjumit I lutemi kryqit të saj.
***
Një copëz diell e lidha në flokë
dhe e kërkova stinës së bardhë
atje ku lulet çelnin nën dëborë
e ndrinin petalet kristal,
dashurisë, ku brishtësia përkundet me erën
në shenjtërinë e Yllit Polar,
që ngrihet nga një qiell i përbashkët
në krahët tanë, në paqe…!
***
Me flatra ëngjëlli
eja këtë natë,
të fluturojmë hapësirës së errët, bashkë!
Nata vjen
veç një yll ndrin.
Pagjumësia endet krejt fillikat,
në pritje hëne
në gjithësinë e pamatë,
për ankorim mendimesh
në farin e shpresës,
deri në zbardhje të agimit,
pritjes së shkëlqimit diell.
***
Në tejngopjen e botës
harrojmë atë që mungon,
rrugëve shkelim mitet,
takojmë legjendat e gjalla.
Zhgënjimin e flakim në erë
shpresën e shtrëngojmë fort në dorë.
***
Humbur në errësirë shpirtrat tanë,
kërkojnë vetveten
dëshirat e fshehura
që vlojnë nënkresave të një vezullimi
paqes së shkrirë një me dritën
shpresave varur shall rreth qafës.
Përkëdhelin të nesërmen e pafajshme
e prej diellit marrin rrezet e jetës.
***
Dielli lind e perëndon,
Stinët ndërrojnë po ashtu,
zogjtë shtegtarë shkojnë e kthehen
edhe ne gjithashtu…
Ngulur shikimi në kaltërsi,
tek një re bardhoshe
te një rreze që dritën përthyen,
te një diell që vjen me mëngjesin
e humbet prapë mbrëmjes në kthim,
mbetur Unë dhe Ti
gjuhëve që flasin me shkëlqime sysh
e prushin e natës e ndezin
për të çelur tjetër agim.
***
Duke ndier frymëmarrjen e kohës,
kaltërsi mendimi t’i ofrojmë njëri-tjetrit,
t’i shkulim prej zemrës trishtimet gërryese
e diçka të re të gjejmë…
***
O dritë mahnitëse!
O këngë e jetës sime!
Ti,hutimi im,ti,dashuria ime!
Mall që pikon në sy,
Ti,ëndrra ime më e bukur!
Faleminderit Atunis!
Faleminderit Agron Shele!
Bellissime parole che s’innalzano fin lassù , sono briose e molto toccanti …..brava la poetessa che tesse mille versi di colori e li libra per volare da petalo a petalo….
Grazie Giancarlo!