Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

 

***

E dua vdekjen e ajërt të gruas hënore,
me thirrjen e ethshme,
“Më vri Akil,mos ki mëshirë!”
Se bukuria lutëse burrin e shkrumbon,
në pikë të gjakut të Pentesilesë.

 

Për ne…

Rekuiemi i dhimbjes
përplaset zemrave të trishtuara
e kumbojnë elegjitë e shenjta
në lindje e vdekje
vetëm për ne!

 

Muzë

Ndihu nëpër qiell muza ime!
Mos hesht, mos psherëtij!
Se ti vjen dhe ikën kur do.
Mos luaj me mua lojërat e erës!
Mos m’i shty mendimet,
Mos m’i përplas aty-këtu!
Por bëji ato të jenë një çast!
Të ndiej se je pranë meje.
Dhe nëse Ti
s’mendon për mua,
pushoj së qeni.
Mos më braktis fryma ime!

 

Di të lexoj…!

Unë di ta lexoj heshtjen,
në tëra format
dhe kur vështrimi kthehet në peizazh
dhe kur bëhet marrëzi njerëzore.
Mos u gënje nga dhembshuria e saj,
ku shpirti i botës dëneset
e ndoshta loti fshehet
në të paterrin terr të dhimbjes foshnjore!

 

Udhëtimi ynë

Brenda vetes kërkojmë çfarë jemi.
E mendojmë pareshtur rrugës tonë
me peshën e fatit në supe.
Qeshim e qajmë
në kërkim të pamundësisë tonë
shkelim mbi gjurmë pa i prekur fare
zbrazëtisë së kohës humbasim.
Vazhdojmë të kërkojmë dritën.
Atje mes diellit dhe qirinjve që përndritin
e në zërin e natës dëgjojmë,
se jeta nuk është një shaka,
por një vrap i çmendur që e ndjekim çdo ditë.

 

Kur të kemi ikur…

Për njerëzit tanë
do të mbetemi kujtim,
do të kthehemi në mall,
kur të kemi ikur.
Shpirtrat e dashurisë,
si feniksë do të vijnë vërdallë,
midis botës së vdekur
e botës së gjallë.
Të vdekurit flasin nga përtej varri,
shkelin vërtet në kohë, besojeni
e prehen në pikë loti.

 

Larg iluzioneve

Të vetmuarin nuk ka kush ta braktis,
nata i thyhet nën këmbë,
jeta i shndërrohet në melodi të çmendur,
një vorbull pikëllimi i shpresave të zbehta,
për të shpëtuar nga bota e pakuptimtë,
të iki, veç të iki dëshiron
pavarësisht se ku e në çfarë cepi globi të shkojë
ndoshta për pak më shumë ngrohtësi
larg iluzioneve të së shkuarës,
me kredi të së ardhmes.
Të arratiset nga kështjella e rreme e ndjenjave të pashpjegueshme…!

 

***

Në betejën e përjetshme të kaosit,
dyzimit kohë
ndjenja dhe shkëlqimi i ëndrrave japin jetë
e shuajnë kufijtë mospërfillës të së tashmes.

 

***

Në përplasje të dallgëve klithin pulëbardhat,
e qielli digjet vetëtimave.
Rrufeja përpin zemrën e detit
të etshmen drithërimë të përmallshme
dhimbjes njerëzore gjer në përjetësi.

 

***

Ti,malli im i brishtë
shndërruar në pulëbardhë,
fluturon pranë bregut,
humbet në pafundësi,
pastaj vjen krejt papritur,
më sjell kaltërsi,
stërkala të bardha valësh,
më mbush me dashuri.

 

***

Të pres të vish,
me këngën e mbrëmjes,
shoqëruar me vallen e yjeve,
me paradën e hënës,
të vish me sekrete të shenjta.

 

***

Humbas në ngjyrën e syve të tu
në dritën thellësi
mes përflakjes dëshirë që përthyhet horizontit
e rrënqethem.
Shpirti yt fluid bëhet frymë
në të etshmen jetë,
ku vrapojmë çdo ditë
e prekim ëndrrat
që lindin përherë në ujëvara dashurish.

 

***

Shpeshherë kërrusemi
nga pesha e mendimeve
ëndrrave të uritura të kohës
me pëshpërima të trishtuara lirie.

One thought on “Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s