EPIGRAMET E PRANVERËS TRAGJIKE / Cikël epigramesh nga Iliaz BOBAJ

Cikël epigramesh nga Iliaz BOBAJ

 

EPIGRAMET E PRANVERËS TRAGJIKE

1.
Bota ecën dhimbshëm,
e plagosur rëndë në shpirt.
Mbrojeni botën, o njerëz,
në të kundërt, bota do jetë ndryshe një ditë.
Dhe plagët më të mëdha, natyrisht.

2.
Kur do të bëhet bilanci pas kësaj pandemie,
do të llogariten vetëm fitimet e këtij krimi të ri.
Qindra mijra të vdekurit,
nuk do t’i zërë askush në gojë.
”Qenë viktima të pafajshme”, do thonë me hipokrizi.

3.
Mos më flisni më,
për respektin ndaj njeriut.
Nuk e dua më këtë fjalë pa zemër.
E pashë me sytë e mi nderimin për të,
kur i varrosën njerëzit në një varr të përbashkët,
pa emër e mbiemër…

4.
Njeriu nuk paska asgjë në këtë botë,
edhe jetën ia marrin kur të duan, si të duan,
siç po ia marrin me këtë virus edhe sot.
Prandaj mos e përdorni më termin ”Bota jonë”,
po luftoni ta bëjmë më njerëzore këtë botë.

5.
Nga kjo pandemi disa do dalin fitues,
të tjerë do derdhin lotë për këtë gjëmë.
Veç një gjë është krejt e sigurt:
bota nuk do të jetë më siç ka qenë.
Nëse nuk vëmë mend, nuk bëhemi të ndjeshëm,
ne do të jemi TË MJERËT e përjetshëm.

6.
Nuk është puna se nuk shijuam një pranverë,
pranvera të tjera do vijnë, domosdo.
Një pyetje tjetër shtrohet këtë herë:
varet si do jenë, si do vijnë ato…?!
Prandaj le të japim gjithçka me vlerë,
që jeta të jetë jetë dhe pranvera, pranverë.

7.
Gjithçka që kalon në këtë botë,
paguhet me harxhet e njerëzve.
O njerëz të mirë,
erdhi koha gishtin kokës t’i vëmë:
mos e lini veten në dorë të të tjerëve,
ndryshe një ditë do themi:”Ç’bëmë…!”.

8.
Që të bëhet më e bukur kjo botë,
nuk kërkon shumë gjëra, sigurisht.
Mjafton që ne, njerëzit,
të bëhemi pakëz më të bukur në shpirt.
Atëhere jeta jonë do ketë më shumë dritë…

9.
Jeta është jona, çdo njeri,
e jeton atë për veten e vet,
ndaj për të do kujdesur çdo çast, çdo ditë.
Jetojeni jetën për veten tuaj, o njerëz,
se nuk të vjen më, nuk ka jetë të dytë.
Pas hijes së të tjerëve, mos e zvarrit…

10.
Mbreti sheh vetëm nga njëri sy,
(ato që i interesojnë)
dhe dëgjon vetëm nga njëri vesh,
(ata që e lëvdojnë).
Duke mos guxuar ta shohim, ta themi të vërtetën,
jemi ne që e bëjmë ta mbyllë tjetrin sy,
ta mbyllë veshin tjetër.

11.
Në jetën tonë ekziston ky rregull:
të gjallët kanë liri të kufizuar,
se janë të gjallë.
Të vdekurit kanë liri të plotë,
sa janë të vdekur.
Liri të plotë kanë edhe të gjallët e vdekur.

12.
Një të vërtetë të madhe ka në këtë jetë,
gjithkush prej nesh duhet ta dijë:
kur i pari i turmës rrëmben shkopin,
kthehet në bari,
turma kthehet në kope të tij…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s