UNË NUK DOLA TË VDISJA PËR TEATRIN / Nga: Rexhep SHAHU

UNË NUK DOLA TË VDISJA PËR TEATRIN

Unë nuk dola të vdisja për të mbrojtë teatrin dhe ndjehem me faj që nuk dola por jam i pamundshem fizikisht të isha në shesh në mbrojtje të teatrit, të historisë, të memories, të kujtesës, i pamundshëm fizikisht që të isha në shesh ku doli dhe im bir që aktualisht e kanë marrë në polici, që të rrihesha pak, të përgjakesha, të coptohesha, të merrja goditje shkopinjsh apo shkelma policësh kafshë, të sakatohesha, të arrestohesha, të burgosesha, të dënohesha apo ndoshta edhe të vdisja nga dhuna e verbër e qeverisë Rama që shitet si artist por në fakt është siç e kanë përcaktuar, një gangster me veshje artisti që derdh para kesh ngado nëpër botë për të lartësuar veten e poshtëruar liderin e opozitës shqiptare..
Barbarët, vandalët nëpër natë e shembën godinën e Teatrit Kombëtar, simbolit të qytetit, pasi vendimin për shembje e kishin marrë me kohë në sytë tanë të të gjithëve që si gomari kujtonim se ishim në ëndërr ndërsa ujku kafshonte në vithet tona.
Teatri Kombëtar që u shemb, më ka kujtuar gjithë kohën Teatrin e Vjenës, atë të famshmin në të cilin luhet koncerti i vitit të ri për gjithë botën. Teatri i Vjenës që pengohej nga qeveria e kohës të ndërtohej, u ndërtua nga presioni i grave dhe zonjave vjeneze. Kur ata panë se qeveria austriake nuk po lejonte ndërtimin e Teatrit të Vjenës, gratë e fisme vjeneze dolën në shesh, dhe hodhen në një shtrojë unazat,, vëthet dhe bizhuteritë e tyre që me ato para të ndërtohej Teatri i Vjenës. Dhe ashtu ndodhi, nga presioni i grave vjeneze u ndërtua ai teatër që i jep sot e kësaj dite famë e lavdi Vjenës e Austrisë.
Qytetaret sot në këtë 17 maj nuk dolën mjaftueshëm në ndihmë të aktorëve e në ndihmë të qytetit sepse duket jemi pak qytetarë që mendojmë për rrënjët.
Nuk besoj se janë të pamundshëm fizikisht si unë kaq shumë qytetarë që munguan e nuk dolën në mbrojtje të teatrit me trupat e tyre.
Sepse kjo qeveri vetëm këtë lloj mbrojtje e lufte njeh pasi ajo ka ardhë në pushtet me gjak, duke derdhë në mes të Bulevardit të Mbretit gjakun e katër vikltimave të cilat Edi Rama i rivret vit për vit.
Edi Ramës dhe shumëve si ai nuk u dhëmb Tirana, kujtesa, historia, qyteti se nuk janë rritë me to si prona të oborrit të tyre, si prona të ëndrrave të tyre. Edi Rama është nga ata që është i largët për Tiranën, nuk ka jehona kujtese me Tiranë, të parët e tij nuk e kanë njohur Tiranën, kanë patur arë e livadh ndoshta detin, kujtesë detin por jo Tiranën, ndërsa të parët e mi e të pasmit e mi Tiranën e kanë patur kullotë e arë, livadh e mal të tyrën dhe e ndjejnë në rrënjë që e kanë të tyren.
Edi Rama ka mundë të përçajë qytetarët, artistët, popullin, mediat sepse është besnik i metodës përça e sundo, e ka metodë, mënyrë të jetuari e të menduari. Mediat në këtë akt tragjedie që u luajt sot në shesh nuk ishin me aktorët as me spektatorët, ishin në shumicë me barbarët, me vandalët, në pjesën e tyre më të mirë ishin me qeverinë.
Qytetarët e pazotë si unë llomotisin nëpër Fb, nga skuta të ndryshme dyqanesh të mbyllura, dashuri e mbrojtje të teatrit por nuk dolëm të përlesheshim me barbarët e vandalët, të përgjakeshim pak me to, të thyheshim hundësh e brinjësh, të gjakoseshim, të hynim ngapak në burg, të tërhiqeshim ngapak zvarrë nëpër shesh prej barbarëve e vandalëve të qeverisë, policëve me uniformë, policëve civilë e policëve të policisë sekrete.
Llomotitje e dërdëllitje pafund nëpër Fb nga katër anët e botës, vërshim dashurie, mençurie, dijenie e dalldie, vërshim leksionesh demokratike, këshillash e urtësish nga shqiptaroeuropianë, nga shqiptaroamerikanë apo shqiptaroaustrialianë me na tregue e me na bindë se teatrin e shembi opozita shqiptare e jo qeveria shqiptare.
Ndonëse janë shumë – shumë pak shqiptaro botërorë që shohin ndonjëherë teatër atje ku janë pasi nuk kanë kohë as mundësi as nuk e kanë zakon, këshillat e urdhëresat ndaj neve shqiptarëve të këtuhit i japin biblike, kuranore.
Shumë e thjeshtë të jesh antikomunist në Amerikë, i krishterë në Vatikan dhe mysliman në Mekë, tashmë është bërë e njohur shumë kjo fjali dhe ndaj duhen kursyer urtësi të tilla për shqiptarët e këtuhit.
Nga janë e nga s’janë oratorët, demagogët, këshillonjësit, analfabetët që dinë shkrim e këndim dhe njohin veç kandarin me të cilin shesin speca e domate dhe kanë hapsira pa fund për flliqje në rrjetet sociale, na tregojnë nga larg se çfarë ka brenda vorba jonë kur ne këtu e kemi në dorë lugën dhe po e shohim në tre vakte se çfarë ka në vorbën që po zien.
Unë jam një ushtar i mirë vullnetar, pa lejen e askujt, në mbrojtje të teatrit të kujtesës e të trashëgimisë, në llogoren time, jam pa urdhër, pa llogari, jo për biznes.
Natyrisht që me këtë të drejtë nuk duroj flliqjen e mjedisit tim me vner, urrejtje e përçarje.
Ata që janë mësuar që për çdo gjë në jetë të bëjnë llogari, çfarë fitojnë, ata nuk janë të dobishëm për mua as shoqërinë. Unë nuk pres të fitoj asgjë, vetem dua të mos më mbeten prangat në duar se nuk di ku ti lë, ku ti vendos prangat as zingjirët e këmbëve tona.
Argatët më të zellshëm të Edi Ramës e shohin me sytë e tyre të urrejtjes se godinën e teatrit, kujtesën, historinë, memorien e shembi opozita dhe jo Edi Rama.
Argatët rrënues të Edi Ramës nuk kanë hallin e teatrit, por vijojnë misionin e ngarkuar prej tij, rrënimin e shembjen e opozitës, nxjerrjen nga skena të opozitës.
Argatët e Edi Ramës të mllefosur pse ende ekziston opozita dhe lideri që e ka zgjedhe opozita, jo opozita e opozitës e as argatët e Ramës, harrojnë me dashje se opozita nuk merr armë në dorë, opozita nuk është sindikatë nga ata që shoi Edi Rama, nuk është sindikatë që mund të përdorë mjete të dhunshme me mbrojtë të drejtat e saj, opozita është parti politike qe synon të veprojë politikisht, e jo ushtarakisht si Edi Rama qe la katër viktima në shesh, për të ardhë në pushtet me votë nëse e votojnë qytetarët.
Argatët e Edi Ramës të mos vajtojnë për opozitën dhe të mos vetmashtrohen se janë opozitë, ata janë opozitë e opozitës, janë rezervistë të Edi Ramës që ai i thërret në zbor kur të dojë që të bëjnë pretenca e të ngrenë akuza ndaj opozites e drejtuesit të saj.
Argatët e Edi Ramës ta kuptojnë se nuk vdes PD dhe opozita për to, nuk lufton opozita për to përveçse me mjete të moralshme demokratike.
Këta qortuesit e opozitës dhe lëvdues të Ramës, që u shpëton si padashje e thonë se “ne e dinim”, “ai është i fortë”, “ai nuk tërhiqet”, “ai nuk kthen mbrapsht”, etj., etj, le të gjejnë mënyra tjera ta vjellin dëshpërimin pse nuk janë deputetë apo kandidatë për deputetë në listat e PD, le të gjejnë mënyra të tjera të imponohen moralisht në elektoratin e PD e jo duke dhënë honorare ndonjë tellalli që nuk i beson as gruaja e vet.
Godina e teatrit u shemb. Dëshpërimi qytetar u rrit. Shpresoj se të dëshpëruarit nuk e votojnë më “modernin” Rama.
Shpresoj se të dëshpëruarit dhe ata që avokatojnë opozitën të mos ndjehen se janë spartanët e saj të vetem.

 

Nga: Rexhep SHAHU

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s