Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Tekst i shkruar nga ti

Të kam thënë
që thellë telave të zemrës sime
ruaj një këngë për ty.

Nuk është si këngët e tjera,
ka tjetër ritëm,
e tjetër melodi.

Dhe teksti i kësaj kënge,
…padyshim…
është i shkruar nga ti.

Mes ëndrrash e zgjimesh,
unë jam melodia,
që refrenin tënd, këndoj në çdo poezi.

 

Një ditë

Një ditë kur rrudhat të më mbushin ballin,
E sytë s’do i kem më me dritë,
Kur shpirti të mos ndjejë rrahje pulëbardhash,
Do jem e plakur,si të gjithë, sigurisht.

Një ditë kur këmbët të më merren,
E hapat nëpër dhomë me zor t’i ngas,
Kur gishtat të më dridhen tek zgjas duart,
Do jem e plakur,aspak nuk është përrallë.

E atëherë kur kohën do shoh me mëdyshje,
E fletët e kalendarit më s’do t’i gris,
Kur s’do t’numëroj më orët e pritjes,
Atëherë fundin do t’u pres të mijave ditë.

 

Revoltë

ligjin e xhunglës na mësoi politika,
mbijeton më i forti,
e me dhëmbë e ha më të dobëtin.

e kush përfitoi?
…sigurisht hienat
që me kërma ushqehen sheshit…

e në fund,
kopshti zoologjik kyç dyert
me kafshët e burgosura.

paria gajaset
me robërinë e tyre
dhe tund kopilin çels të artë.

…lavdi lirisë nën hekura…

 

Para se të të njihja ty…

…e panjohur
ishte gjithçka për mua,
e trishtë,e ftohtë,
akullnajë Himalajeje ishte.

para se të të njihja ty,
nuk i vija re lulet,
tani për to kujdesem si fëmijë,
e çdo mëngjes t’i dërgoj
në vend të përshëndetjes.

para se të të njihja ty,
nuk e vëreja hënën
në shtratin e qiellt.
tani me orë të tëra
rri e vështroj
mos këputen yjet,
e dëshirat
më mbeten pa thënë.

para se të të njihja ty,
çdo gjë e huaj ishte për mua,
e tjetërsuar,
tani i buzëqesh edhe ajrit
tek më flladit fytyrën.
me gishtërinjtë e tu
ledhatarë më duket.

tani që të njoha ty,
i njoh të katër stinët,
dhe me ngjyrat e tyre
plotësova 365 ditët e mia.

…tani që të njoha ty,je pjesë e ditëve të mia…

One thought on “Poezi nga Behare Daja Kasa

  1. M’u duk sikur lexova këtë poezi timen:

    E DI SE DO TË VISH!

    Një ditë,
    Kur këmbët lodhur s’do më mbajnë,
    Dhe rrudhat egër do t’i kem mbi ballë.
    I vjetër plak e me një shkop të bardhë,
    Kërcu prej lisi mund të bëhem,
    Por më unë nuk do të jem një djalë!

      Një ditë, në se,
    Udhës vetëm do të mbetem,
    Do ulem lehtas mbi një gur,
    Një copës Hënë do ta sjell me vehte,
    Dhe  do të pres,
    Me sytë e humbur larg në rrugë.

    Të shfaqesh vetëtimë,
    Me nurè drite e  hirè plot të artë,
    Rrufe t’i sjellësh shpirtit tim,
    A një përqafim të zjarrtë,

    Ti si dikur!
    Magjike a reale do të vish,
    Një plak i vjetër këtë dot s’e di,
    Veç gjatë mbi gurin ulur do të pres,
    Të shfaqem unë në ëndrrën tënde fluturake,
    A ëndrrës sime i afrohesh Ti!

    Dhe do më presësh pak e dashur:
    Ashtu si pritjet i ke Ti
    Po s’erdha unë kur muzgu të jetë vakur,
    Me hënën vonë- eja Ti!

    BEHARI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s