Poezi nga Adem Zaplluzha
U STEPËN EDHE ULLUKËT E
NDRYSHKUR
Mbrëmë nuk dëgjuam asnjë hingëllimë
Nga ullukët e çative
Si rrëshira e verdhë
Filluan të pikojnë
Lotët e kristalta të mjegullave
Një hije morbide
Po sillet mbi qiellin e mrrolur të atdheut
–
Nga çatia e rrënuar e kambanores
Dolën disa zogj të panjohur
Ikën tej përtejmes
U larguan nëpërmjet
Vijës së ajrit të tendosur
Kurse shiu i egër
Njëqind vjet nuk pushoi në tokën tonë
Mbiu zjarri i ferrit e etja për liri
–
Nga kjo befasi e padukshme
Tjegullat e çative
Mbetën pa asnjë fjalë
U stepën edhe ullukët e ndryshkur
Një ushtri e huaj
Me çizmet e saja të zeza
Shkeli mbi varret e vithisur të atdheut
Mbase u mëkëmb dhuna e vjetër.
VETËM ETJA E PADUKSHME E KRIPËS
Nën pemët e dehura
Përpëlitet një zog klandestin
Kali im i zi
Mes mjegullave të hirta
Harroi dizgjinët e këputur të mbrëmjes
–
Në mol një kohë të gjatë
Protestuan tasat e konservave
Protesta zgjati aq shumë
Sa që me piskamat monotone
I bezdisi marinarët e dehur
–
Kurse anijet e fundosura
Që nga shekulli i kaluar
Presin të pajtohen
Me algat e detit
Presin çastin e shpëtimit
–
Mbi dunat e rërës ka kohë
Që nuk mbiu asnjë trëndafil
Vetëm etja e padukshme e kripës
Kohë pas kohe
Si nepërka ngrit kokën e plagosur.